E mėrkurė, 23.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Tenistja e famshme rrëfehet: Pas katastrofës bërthamore, prindërit e mi u transferuan në Sochi. Isha gjashtë vjeç kur u takova me Navratilovën. Po të mos kishte ndodhur ajo tragjedi nuk do të isha marrë kurrë me tenis.
Maria Sharapova






“Çernobili më ndryshoi jetën”

24 vjet më parë, tragjedia e Çernobilit ndryshoi përgjithmonë jetën e mijëra personave. Tenistja bukuroshe, Maria Sharapova, nuk kishte lindur akoma, por ekzistenca e saj u kushtëzua nga ajo ngjarje e tmerrshme. Vetë Sharapova, kampionia me origjinë bjelloruse e ka treguar këtë ndodhi në një intervistë të dhënë për ESPN, televizioni që e ka shoqëruar në vendet e origjinës së familjes së saj për realizimin e një dokumentari.

“Prindërit e mi lanë gjithçka në shtëpinë ku jetonin. Kur u larguan kishin me vete vetëm pasaportat”, tregon Sharapova. Në vitin 1986, prindërit e tenistes bukuroshe jetonin në Gomel, qytet i Bjellorusisë afër kufirit me Ukrainën. Mamaja e Sharapovës ishte shtatzënë dhe prindërit u larguan nga shtëpia për të emigruar në Siberi, ku do të vinte në jetë kampionia e ardhshme. Por, episodi i parë vendimtar ishte transferimi në Sochi, një nga qytetet e pakta ruse ku tenisi ishte një sport shumë popullor. Në moshën 6-vjeçare në Moskë, Sharapova takoi Martina Navratilova, që pa te vajza një talent të rrallë dhe i sugjeroi familjes transferimin në SHBA.

Maria Sharapova
“E vetmja gjë që kujtoj është momenti kur mora librat e mi dhe mamaja më tha se nuk mund të merrja me vete gjithë Rusinë”, tregon tenistja. Në moshën 9 vjeç u fut në akademinë “Nick Bollettieri”. Edhe pse thotë se nuk mban mend shumë nga vitet e fëmijërisë të kaluara në Rusi, ato që tregon janë të mjaftueshme. "Nuk kam shumë kujtime nga Siberia. Ajo që kujtoj me saktësi është momenti kur ne vendosëm që të largoheshim drejt Amerikës. Kujtoj mamanë dhe të afërmit e mi që më përgatisnin valixhen e rrobave, ndërsa lotët nuk u pushonin për asnjë çast. Dija që nuk po shkoja në Florida për t‘u bërë aktore apo balerinë, por po shkoja për të luajtur tenis", tregon ajo.

Por më të vështira ishin vitet larg nënës sime. Flisja me të në telefon një herë në gjashtë muaj, por mund t‘i shkruaja letra në çdo kohë". I ati, Juri Sharapov, është fansi i saj më i madh. Ka qenë i vetmi që ka analizuar çdo top të sajin që nga mosha 4 vjeçe. Por edhe e ëma, Yelena, është gjithashtu një tjetër fanse e madhe e saj. Në prill të vitit 1986 ajo u takua me Jurin dhe vendosën të lidhnin kurorë në Bjellorusi, qytetin e tij të lindjes, ku gjyshja e Marias administronte një dyqan të madh ëmbëlsirash. Babai i saj ishte vetëm 26 vjeç kur reaktori numër katër i Çernobilit, që ishte vetëm 100 milje larg, shpërtheu duke shkatërruar gjithçka. Vetëm tre muaj pas kësaj katastrofe, kur Yelena ishte shtatzënë, udhëtuan drejt qytetit industrial Nyagan, në Siberinë Perëndimore. Dimri i acartë në Niagan ishte më i ftohti që kishin përjetuar ndonjëherë. Pasi gjeti punë në një zonë naftëmbajtëse dhe u rregulluan në një apartament me të afërmit e Yelenas, në prill të vitit 1987 do të vinte në jetë Maria.

Bukuroshja bionde kaloi dy vitet e para të jetës në këtë vend të shkatërruar, derisa familja hoqi mënjanë lekët e nevojshme për të lëvizur drejt Sochit, vendlindja e Yevgeny Kafelnikov, një nga tenistët më të mirë rusë. Pasi u miqësua me të atin e Yevgeys, në qendrën ku luhej tenis, Maria bashkë me të atin filloi të vinte rregullisht aty. Ishte pikërisht ai që i dha Marias, atëherë vetëm katër vjeçe, një raketë tenisi, me të cilën luajti ndeshjen e saj të parë me një mur në parkun e lagjes së saj. Maria, bashkë me prindërit, jetonin në një shtëpi të vogël në katin e katërt të një pallati, rreth gjysmë ore larg qendrës së tenisit. Disa muaj më vonë, Maria, së bashku me të atin, u nisën drejt Moskës për një test që kampionia ruse e tenisit, Martina Navratilova, do të zhvillonte me të.

Maria Sharapova
Pas disa orësh, teksa e shihte Marian e vogël të luante, Martina i tha të atit se Maria, vajza kishte një talent të jashtëzakonshëm, por që i duhej patjetër dikush që ta stërviste në mënyrë profesionale. U duhej të niseshin drejt Floridës. "Familjes sime iu desh të kursente rreth një vit për të mbledhur lekët e nevojshme për vizat dhe biletat. Për mamanë ishte e pamundur të siguronim një vizë, ndaj asaj i duhej të qëndronte në shtëpi. Nuk e pashë nënën time për dy vjet rresht, pas ndarjes në aeroport", tregon Maria. Më pas ajo rrëfen se ishte viti 1994, kur së bashku me të atin, që kishte në xhep vetëm 700 dollarë dhe nuk dinte asnjë fjalë anglisht, fluturuan drejt Majamit. "Pasi qëndruam disa ditë në Majami, një mbrëmje morëm autobusin dhe u nisëm drejt akademisë së tenisit ‘Nick Bolletieri”. Ishte errësuar dhe dera e akademisë ishte e mbyllur.

U kthyem në hotel dhe vendosëm të shkonim sërish një ditë më vonë", kujton. Pasi i dha Marias një raketë në dorë dhe i bëri disa ushtrime, një trajner do i thoshte të atit: "Është shumë e vogël, kthehuni pas dy vjetësh. Këto dy vite do të ishin më të vështirat për të dhe të atin. "Babai bënte çfarëdo lloj punësh, ndërsa unë në vitin 1995 nënshkrova për IMG-në dhe fillova të punoja me Robert Lansdorp në akademinë ‘Bolletieri’”. Edhe pse ende e imët, në moshë 9 vjeçe ajo kishte gjetur rrugën e saj, që do të pasonte e mbushur plot suksese. Në vitin 2000, kur ishte vetëm 13 vjeçe, ajo do të fitonte kampionatin e "Under 16", në vitin 2002 do të ishte tenistja që do të mbërrinte deri në finalen e të rinjve në turneun australian “Open”. Vetëm në vitin 2003 ajo do të fitonte turneun e parë për të arritur në Tokio, që do të pasohej një vit më vonë me fitoren e Uimbëlldonit.

Kur e pyet tani për vendimin e të atit për ta çuar drejt Floridës përgjigjet: "Ajo që bëri im atë ishte një sakrificë e jashtëzakonshme dhe tani kur kthehem në akademi shoh plot fëmijë të vegjël në të njëjtën situatë si unë shumë vite më parë dhe ndiej një ankth brenda vetes". Por tani ato vite kanë kaluar dhe Maria nuk është më ajo vajza e vogël që ia merrte vendimet babai. Tani mund të zgjedhë vetë, dashurinë, sponsorët, gjithçka që ajo mendon se është e mirë për të. “Është çmenduri që të rri të mendoj sot se kush do isha pa atë shpërthim”, thotë Sharapova. “Shpeshherë më kalon nëpër mend ky veprim, por as që dua ta mendoj se ç’do ishte bërë me mua, sepse jam vërtet e lumtur për atë çka arrita të bëhem në jetë”. (shqip)
Maria Sharapova
Maria Sharapova

Publikuar: 20.08.2010 | 19:07
Lexuar: 1236 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime