E mėrkurė, 8.02.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Sipas një legjende emri i tashëm i qytetit është emëruar në kohën e sundimtarit Vukashin Gosti. Gosti ne shqip do tw thotë “mysafir”. Meqë ka pasur një numër të madh të vizitorëve, miqve nëpër këto vise edhe gjatë periudhës së sundimit të turqve në turqishte vendin e kanë thirur "Gostivar” (miq ka).
Gostivari,





Ky qytet ka qenë vatër e agallarëve dhe bejlerëve

Natyra mahnitëse, toka, pozita e volitshme gjeografike, mbi 500 m lartësi mbidetare, me gurgullimën e burimit të lumit Vardar, aty në perëndim të Maqedonisë, i rrethuar nga dy fortesa, Sharri dhe Mali i Thatë, dhe me shumë karakteristika të tjera, shtrihet i qetë me banorët e tij qyteti i shumë ngjarjeve dhe personaliteteve.

Për të soditur për së afërmi panoramën e mrekullueshme të qytetit të Gostivarit qoftë duke ardhur nga Tirana, në Ohër për në Gostivar, apo nga Prishtina, Shkupi, nga Tetova për në Gostivar, shfrytëzohen autostrada moderne që shkelin nëpër fushën e gjerë të Pollogut. Përndryshe të gjitha komunikacionet, rrugore apo hekurudhore, mundësojnë qarkullim të shpejtë.

Në njëqind kilometra në jug ndodhet aeroporti në Ohër dhe rreth nëntëdhjetë kilometra larg aeroporti në Shkup. Gostivari është komunë e cila kap sipërfaqe prej rreth 650 kilometra katrorë. Qyteti paraqet mjedis administrativ, politik, kulturor dhe biznes për me tepër se tetëdhjetëmijë banorë, prej të cilëve në vetë bërthamën e qytetit jetojnë rreth 36 mijë.

Mjedis tipik multikulturor. Në të jetojnë shqiptarë, maqedonas, turq, romë e të tjerë. Qytet i cili paraqet me të vërtetë vend të bukur jetese, duke ofruar klimë të këndshme në të gjitha stinët e vitit, vend pozitë e mrekullueshme, komunikacion, kushte për biznes, shkollim.

Legjendat rrethe Gostivarit

Rreth Gostivarit dhe për Gostivarin janë thurrur shumë legjenda me versione të ndryshme bazuar nga pushtuesit e periudhave të ndryshme. Sipas dokumentit të vetëm nga epoka antike tek historiani Tit thuhet se mbreti i fundit i Maqedonisë Pasai me 10.000 ushtarë pas pushtimit të Uskanës (Kërcovës) pushton qytezën DrauDAK që më pas të pushtohej Oneji (Tetova).

Nga këto të dhëna mund të kuptohet se qyteti i vjetër Drau Dak i cili ka pasur rëndësi të madhe, është gjindur në mes të Kërcovës dhe Tetovës, d.m.th. Gostivari i tanishëm. Sipas një legjende emri i tashëm i qytetit është emëruar në kohën e sundimtarit Vukashin Gosti. Gosti ne shqip do tw thotë “mysafir”. Meqë ka pasur një numër të madh të vizitorëve, miqve nëpër këto vise edhe gjatë periudhës së sundimit të turqve në turqishte vendin e kanë thirur "Gostivar” (miq ka).

Vetë emri Gostivar quhej vend i tubimit të miqve "Qyteti i miqve". Në vitin 1850 gjeologu dhe balkanologu Ami Beu në përshkrimet për Tetovën në mes tjerave në një pjesë thotë se në Pollog gjindet "fshati i madh" Gostivari, ndërsa si qytet Gostivari për herë të parë është përmendur në dy shkrimet e shekullit XIX.

Sipas tyre ky vendbanim i Pollogut ka formuar çarshinë e vet (qendrën) kurse e marta ka qenë ditë pazari. Në vitin 1874 qyteti ka pasur 400 shtëpi, rreth 2000 banorë, ndërsa në fund të shekullit të njëjtë 3500 banorë.

Bazuar në shkrimet e Abdylhaqim Doganit, Gostivari merr emrin nga vajza e ardhur nga Tivari që për venbanim ka zgjedhur këtë qytet. Në gjuhën lokale vajza është gocë edhe atë nga Tivari, prandaj del emri Gostivar nga goca e Tivarit.

Qyteti i Gostivarit gjindet nëpër anale historike nga historianë në zë të cilët japin të dhëna të rëndësishme për ekzistencën, strukturën, etj. që vërehet edhe në dhënat statistikore që i jep etnologu bullgar Vasil Kincev, sipas të cilit në Gostivar në fund të shekullit XIX ka pasur 3735 banorë, 3180 shqiptarë, 310 të krishterë (maqedon, serb) 200 romë (cergë), 20 turq dhe 25 vlleh.

Qytetet me ekzistencë të hershme kanë tradita, histori, kulturë, shenja nga lashtësia, gjë që bën qe gjurmët e tyre te duken qartë edhe në ditët tona. Pikërisht qyteti i Gostivarit është i shenjëzuar nga Kulla e Sahatit e cila qëndron si dëshmitare memece e ndodhive këtu, prej vitit 1566 e deri më sot. Kulla në pjesën më të madhe i ka ruajtur veçoritë e ndërtimit dhe nuk është rastësisht përmendore e kulturës.
Kulla e Sahatit ne Gostivar

Shënimet dhe përmendoret e kulturës ku janë një numër i madh i xhamive, teqeve dhe kishave na kthejnë në një kohë kur në këto hapësira kanë ardhur turqit. Beu i parë i Gostivarit ka qenë Kara Mustafa Pashai. Gjatë sundimit të Sulltan Ibrahim Kanit (1639-1648) në vitin 1639 bëhet vezir i Perandorisë Osmane. Pas vdekjes së tij, kur e likuidojnë në Stamboll, djali i tij Ebu Bekiri vjen në Gostivar. Si pasanik i madh, pas vendosjes së tij në Gostivar, ndërton xhami, në afërsi të Lagjes Beg.

Në vakufnamen prej vitit 1688, të cilën e ka parë personalisht Abdylhaqim Dogani, pranë xhamisë është ndërtuar medrese, që është shkolla e parë në Gostivar, një konvikt për nxënësit e fshatrave të afërta, ku përveç talebeve (nxënësve) janë ushqyer edhe të vobektit nga Gostivari. Në përbërjen e këtij kompleksi ka funksionuar edhe biblioteka. Xhamija e Ebu Bekirit është rrënuar që përsëri ta ndërtojë xhaxhai i tij Ismail Aga.

Ai ka qenë pasanik i madh. E ka ndërtuar edhe Kullën e Sahatit, që na e bën me dije se prej atëherë kjo xhami është quajtur Xhamia e Sahatit. Në vitin 1920 kjo xhami rikonstruohet. Verën e vitit 1944 rikonstruohet, qw për 50 vite më vonë të ndërtohet në themelet e kësaj xhamie, një objekt i bukur pranë Kullës së Sahatit që ndodhet në qendër të qytetit, Xhamija e re, Xhamija e Sahatit që ka një minare me dy sherife.

Pasuritë e Gostivarit janë te medha

Territori i Komunës së Gostivarit është territor mjaft i begatshëm me ujëra të përherëshme dhe të përkohshme që e mbulojnë territorin duke krijuar gërshetim nga lumenjtë dhe prockat me ujë gjatë tërë vitit . Lumi më i gjatë në Republikën e Maqedonisë, Vardari, buron pesë kilometra në perëndim të qytetit të Gostivarit. Në vete i grumbullon lumenjtë dhe prockat më të vogla në rrugën e gjatë deri te Deti Egje.

Duke kaluar vërtetë nëpër vise atraktive, Vardari dhe degët e tija, kalimtarit të rastit i ofrojnë kënaqësi të vërtetë që e ka krijuar natyra, e adhuruesve të peshkatarisë përjetim që mbahet mend. Fusha e Pollogut është krijuar si pasojë e zhvendosjeve të mëdha tektonike gjatë derdhjes së liqenit që ka ekzistuar në fundin e fushës gjatë tercierit dhe kuarterit nëpër luginën e Dervenit nëpërmjet të Vardarit në Detin Egje.

Në këtë fazë gjeologjike është formuar reliefi themelor i fushës së Pollogut. Mali i Thatë me 1853 metra të lartësisë mbidetare dhe Mali Sharr me 2.748 metra të lartësisë mbidetare e shënojnë ambientin nëpër të cilin shtrihet qyteti. Malet perëndimore dhe pjesët e shpatinjve janë të mbuluara me vegjetacion të begatshëm duke u dhënë këtyre hapësirave karakter të theksuar pyllor, ndërsa ato lindore janë të zhveshura dhe të shkreta për shkak të përbërjes gëlqerore.

Fusha e Pollogut është në 300-600 metra lartësi mbidetare. Ajo është thesar i vërtetë për prodhimet bujqësore që shfrytëzohet me të madhe. Prodhimi i zhvilluar bujqësor nuk mundet që të thuhet se është dominant, sepse Gostivari sot zhvillohet në qendër moderne biznesi në të cilën zhvillohen prodhimi dhe shërbimet.

Baza është në të kaluarën, në zejtarinë e zhvilluar dhe në sistemet e mëdha industriale të cilat për shkak të modeleve të organizimit dhe drejtimit, nuk arritën që të ekzistojnë në garrën e tregut. Këtu një kohë ekzistonin zejtarë kulminantë të cilët tregut i ofronin prodhime të lloj-llojshme, e që sot të mbijnë kompani brendet e të cilave janë të njohura edhe jashta kufinjve të Maqedonisë.

Jeta kulturore e gjallë

Nën patronazh të rinisë gostivarase në qytet funksionojnë disa SHKA, të cilët aktivitetin e tyre e shpalosin qoftë në Shtëpinë e Kulturës, qoftë në ambient të hapur... Jetë të begatshme dashamirëve të sportit u ofrojnë një numër i madh klubesh si në basketboll, futboll, hendboll...

Veçoritë natyrore, veçanërisht malet përreth dhe liqeni i bukur i Mavrovës që ndodhet në vetëm 25 kilometra larg Gostivarit, në të ardhmen duhet që ta promovojnë qytetin në qendër turistike. Për vetëm tridhjetë minuta mund të arrihet në natyrë, në liqe apo mal.

Publikuar: 22.08.2010 | 02:49
Lexuar: 939 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet
ida (10/10/2010 16:05:05) e pershkrujtme mire

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime