E mėrkurė, 23.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

A e dëshiron vërtet opozita kosovare fitoren? A e dëshiron kjo opozitë rrëzimin e Hashim Thaçit nga pushteti? Ose, qysh tash ka nisur të mjaftohet me ndërtimin e justifikimeve për humbjen?
Tė jesh kundėr Thaēit






Mufail Limani

Të jesh kundër kryeministrit Thaçi, është një qëndrim legjitim politik.

Të jesh për Thaçin dhe partinë e tij, është po aq një qëndrim legjitim.

Por, të jesh kundër Thaçit dhe të përpiqesh të bindësh veten dhe të tjerët se ky është qëndrimi i vetëm i mundshëm moral, është një sulm kamikaz kundër çfarëdo debati të frytshëm.

Dhe e kundërta, po ashtu.

Kjo është bindja e vetme që vazhdon të më nxisë që të përfshihem në debate, sa herë që vërej se vlimi i ekspresivitetit politik i afrohet pikës së ndërtimit të një konteksti revolucionar, me sugjerimin se ka ardhur koha e mbarimit të debateve dhe, rrjedhimisht, koha për “dhunë të domosdoshme”.

Pra, ajo që vazhdon të më shqetësojë edhe tash është përpjekja që në debate aktuale të futen argumente nga një kontekst tjetër historik, duke besuar në mrekullitë e shndërrimeve, pra, shkurt, duke insistuar në referenca ose nga Kosova e okupuar, ose nga konteksti radikal i kohës së luftës, ose tash edhe nga bërja e rolit të viktimës përmes huazimeve evidente nga arsenali i opozitarizimit të dikurshëm beogradas.

E tillë m’u duk përpjekja e fundit e Veton Surroit.

Në ndërtimin e shkrimit i cili në fillim i premtonte lexuesit se do ta shpjegonte pse në këto rrethana nuk duhej folur për “zëvendësimin e Rezolutës 1244”, ai shumë shpejt bëri diçka që nuk besoj se i takon njeriut që e merr politikën dhe analizën politike si diçka vërtet serioze; ajo që ndodhi në rrjedhën e shkrimit të tij i ngjante pamjes kur dikush sakaq frenon, parkon veturën në trotuar, dhe del i tërbuar nga makina, duke zbrazur një karikator të tërë ndaj armikut.

Po themi, OK që e goditi kundërshtarin e tij.

E, lexuesi?

Lexuesi i atij shkrimi mbetet i mbështetur për një lloj muri diskursiv.

Mur diskursiv?
Po.
Sepse ai shkrim nuk na fton që t’i mendojmë ose rimendojmë gjerat që të paktën kujtojmë se i dimë.
Një shkrim pa horizont.
Një shkrim ku je i mbyllur në një kthinë pa dritare.

Por, më e keqja është se autori na kërcënon se kushdo që eventualisht ka mëdyshje ndaj pohimeve përfundimtare të autorit, në fakt vetiu meriton fatin e kriminelëve ose kolaboracionistëve.

Në fakt, tek ai shkrim, sikur edhe te i gjithë lloji të cilit i takon, gjërat as që kanë nevojë të argumentohen.

Karakteristikë e përbashkët e këtij soji të keq të shkrimeve propagandistike është se, rregullisht, pohimi paraqitet si i vetëmjaftueshëm, prandaj edhe i padiskutueshëm.

E kureshtja elementare për fakte, për arsye?

Sikur në shkretëtirat e dogmave religjioze, ajo zëvendësohet me apelin për besim, një besim të pakushtëzuar.

Dhe rasti i Veton Surroit, vazhdon me rastin e fundit të AAK-së dhe “bisedave sekrete” , i cili nga disa burime lidhet me nënkryetarin e parë, Blerim Shala.

Po, rasti i AAK-së është shumë më i qartë dhe, prandaj, më sqarues.

E pamë se disa vërtet u habitën pse nuk kishte fakte, argumente, të dhëna konkrete- çfarëdo!
Disa thanë se në të vërtetë në AAK kanë fakte për biseda sekrete , por se nuk dolën me to për shkak të presioneve nga ndërkombëtarët, mbase të përfshirë edhe ata vetë.
Një zhvendosje interesante e gjërave, apo jo?
Etj.

Por, për vete nuk shoh gjë tjetër në rastin “zbulimeve të AAK-së”, pos një përpjekje që të ashpërsohet diskursi i deritashëm antiqeveritar, pra, që të përçohet mesazhi se “këta jo që janë hajna, por janë edhe spiunë të Serbisë ndoshta!”.
Edhe një karikator ndaj kundërshtarit politik?

Por, e para, vetë AAK-ja, si parti që bashkë me PDK-në trashëgojnë në mënyrë të drejtpërdrejt UÇK-në, do të duhej të kishte një konsideratë specifike nëse për asgjë tjetër, atëherë pse në perceptimet e masës së “elektoratit tradicional rugovist”, këto dyja vazhdojnë të jenë si “buka e një brumi”.

E dyta, besoj se AAK-ja duhet të jetë më e arsyeshme në përcaktimin e caqeve të fushatave politike opozitare; ndryshe, po qe se me fushatën e saj ajo krijon situata ku

PDK-ja dhe LDK-ja detyrohen që të ndërtojnë mbrojtjen ose kundërsulmet e përbashkëta, AAK-ja nuk ka gjasa! Por, kjo nuk do të duhej të ishte një arsye për frustrim dhe radikalizëm, por arsye për ndërtim të koncepteve më pragmatike politike.

E treta, dhe mbase më e rëndësishmja, bisedimet me Serbinë nuk mund të demonizohen.
Deri tash, gjatë dy dekadave të kaluara, me Serbinë kanë biseduar e negociuar të gjithë protagonistët relevantë të politikës kosovare.
Pra, tabu, sakrilegj e blasfemi qëmoti nuk ka!

Po ashtu, në këtë fazë, çfarëdo lloji bisedimesh midis qeveritarëve të Prishtinës dhe të Beogradit, qofshin ato me ose pa dijen e publikut, realisht mund të jenë vetëm në favor të pozicionit të Kosovës, sepse, edhe juridikisht, do të paraqisnin një njohje të shtetit të Kosovës. Shkurt, çdo kalkulim, siç e shoh unë, tregon se një takim eventual sekret Thaçi-Tadiç, do t’i bënte më shumë favore politike Thaçit sesa Tadiqit.

Por, kjo që pamë se bëri AAK-ja, tregon që ose kjo parti është politikisht e papjekur, ose që kjo parti dëshiron t’i drejtohet publikut me mesazhin e saj se Hashim Thaçit nuk i takon që ta përfaqësojë shtetin e Kosovës, sado që kjo paraqet shpërfillje të qartë jo vetëm të rezultatit të zgjedhjeve dhe të sistemit tonë politik shtetëror, por edhe shpërfillje të gjithë përvojës dhe njohurive publike mbi proceset e deritashme, me ndikimin ose lidershipin e Hashim Thaçit.

Sidoqoftë, është shenjë e emancipimit të përgjithshëm të publikut kosovar kur pamë se edhe mediet që rëndom janë mjaft të ngjyrosura, u stepën nga mungesa e paraqitjes së provave nga AAK-ja.

Shkurt, ajo që besoj se duhet të shfrytëzohet si leksion nga kjo aventurë e AAK-së, është që debatin për qeverinë dhe cilësinë e qeverisjes ta rikthejmë në suaza të debateve parlamentare dhe mediatke, por gjithnjë të kornizuara me Kushtetutën e Kosovës, duke njohur të drejtat e ligjshme të një qeverie të zgjedhur , të paktën për aq sa njihen të drejtat e opozitës po ashtu.

Për vete, edhe në këto rrethana e shoh se vazhdon të ndodhë ajo për çfarë kam alarmuar vazhdimisht- se roli dhe fuqia në rritje e Hashim Thaçit nuk mund të kuptohen as të shpjegohen pa e diskutuar cilësinë e opozitarizmit; se opozita jonë ka nevojë për bashkëpunim dhe organizim, nëse jo edhe për bashkim, duke hequr dorë nga ideja se jak-a- jak mund ta rrëzojnë Hashim Thaçin.

Një opozitarizëm që për motive herë malicioze e herë naive, vajton për epokën e diktateve të UNMIK-ut, ose shpreh mëdyshje në aftësitë e shoqërisë së Kosovës për të ndërtuar dhe për të mbajtur një shtet sovran, e humb cilëndo të drejtë morale që të shërbehet me çfarëdo “argumentesh patriotike”.

Kriminalizimi i paseleksionuar i kundërshtarit politik mjegullon moralin e luftës kundër krimit në politikë dhe në qeverisje, qendrore ose lokale, duke e shndërruar temën e luftës kundër krimit në çështje të opinioneve, që kryesisht nuk kalojnë tej shprehjes së simpative ose antipative, por gjithsesi duke e dëmtuar kësisoj kornizën ligjore të rasteve.

Sidoqoftë, e kuptoj se në debatet politike demokratike ka vend edhe për preferencat dhe animozitetet e shkreta personale, për aq sa në rastin kosovar ka vend madje edhe për ndjenjën e nostalgjisë së njerëzve që vijnë nga një shtrese e cila ruan me xhelozi kujtimet nga komunizmi.

Mbase natyrshëm, kjo shtresë e të lazdruarve të komunizmit (dikur të amnistuar nga veprimet e paseleksionuara të Milosheviqit...) vazhdon të besojë se “këta katundarë” , gjenetikisht, nuk qenkan as të ngjizur, as të lindur, e as me zotësi gjenetike për zyra të pushtetit dhe për vetë kreun e tij.
Dhe , kjo “këta” nuk është se vlen vetëm për PDK-në qeveritare.

Ai adresim i dedikohet po ashtu edhe AAK-së, sikurse edhe LDK-së.
Njëjtë sikur AKR-së dhe LDD-së.
Në fakt, të gjithë atyre që kanë “prindër të gabuar”.
Por, i kuptoj unë ata!

(Ndonëse, në parim, një shkelje e padënuar nuk ka se si të kthehet në një të drejtë.)
Por, nuk e kuptoj faktin që një parti me histori dhe pretendime serioze si AAK-ja, që në disa momente dukej vërtet alternativa e vetme serioze e PDK-së, të përfshihet dhe të instrumentalizohet në doktrina të tilla të kota.

Tekefundit, a e dëshiron vërtet opozita kosovare fitoren?
A e dëshiron kjo opozitë rrëzimin e Hashim Thaçit nga pushteti?
Ose, qysh tash ka nisur të mjaftohet me ndërtimin e justifikimeve për humbjen?
Koha për vendim po afrohet!

Publikuar: 22.08.2010 | 14:55
Lexuar: 832 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime