E mėrkurė, 8.02.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Ekonomia e qytetit po rritet me ritme tri herë më të larta se në pjesën tjetër të vendit, tregu i punës po ndryshon dhe të ardhurat janë më të larta. Por diçka nuk ka ndryshuar: në kryeqytetin gjerman jetohet shumë mirë.
Berlini, seksi, por jo i varfėr






Kryetari i Bashkisë së Berlinit, Klaus Wowereit, tashmë duhet të mendojë për një slogan të ri. “Arm, aber sexy”, “i varfër, por seksi”, motoja e famshme e vendosur prej tij në vitin 2003, e bërë që nga ajo kohë marka e pangatërrueshme e kryeqytetit gjerman, tashmë nuk funksionon më. E kishte kuptuar katër vjet më parë gjykatësi i Gjykatës Kushtetuese, Winfried Hassemer, i cili duke refuzuar kërkesën e ndihmave të reja publike për shtëpitë e shkatërruara të këtij qytet-shteti, kishte shpjeguar se “ndoshta Berlini është kaq seksi, sepse nuk është edhe aq i varfër”. Tani e ka konfirmuar edhe instituti ekonomik, DIW, në një studim të destinuar për të nxjerrë jashtë përdorimit bindjet e vjetra: Berlini jo vetëm që po rritet si qytet, por këtë po e bën më shpejt se të gjitha landet e tjera gjermane. Mes viteve 2004 dhe 2009, ekonomia lokale ka pasur një rritje vjetore prej

1,7%, kundrejt shifrës 0,5% në pjesën tjetër të Gjermanisë. Sigurisht, diferenca me qytetet e tjera gjermane mbetet evidente: vlera e shtuar bruto e realizuar në Berlin është sa gjysma e asaj të prodhuar në Hamburg. Megjithatë, kthesa është e qartë: “Pas dhjetë vjetësh tkurrje ekonomike, Berlini ka arritur të ndryshojë tendencën dhe tanimë duket se e ka lënë pas shpine periudhën më të vështirë. Kur e zbulova, u befasova edhe unë”, thotë autori i studimit, kërkuesi i DIW, Karl Brenke.

Kryetari i Bashkisë së Berlinit, Klaus Wowereit
Deri më tani Berlini ishte mësuar të mbante shumë rekorde të tjera: është landi i Gjermanisë më i zhytur në borxhe, me një shifër që deri në fund të vitit mendohet të kapë vlerën rekord të 63,5 miliardë eurosh. Po ashtu ai është qyteti me numrin më të madh të të papunëve (rreth 14 për qind) dhe vendi ku rreziku për të zbritur nën pragun e varfërisë është i lartë. Megjithatë, ndërsa berlinezët ankoheshin për gjendjen e tyre, gjithmonë të fundit e klasës, shndërrimi strukturor i nisur pas rrëzimit të murit filloi të jepte frytet e veta. Për shembull, rasti i industrisë që sot luan një rol jo të madh. Me ndarjen e Gjermanisë dhe bashkimin e mëvonshëm të saj, sipërmarrja industriale në qytetin që deri në vitet ‘20 ishte zona më e madhe industriale e Europës, u shpërbë fare kollaj.

Ndërmarrjet e pakta që ngelën, sot janë aktive në sektorët që lidhen me zhvillimin e së ardhmes, si energjia diellore apo ajo biomjekësore. Ndoshta edhe për këtë arsye Berlini e ka ndjerë më pak se qytetet e tjera gjermane kohën e krizës: këtu, ata sektorë të industrisë më të prekur nga recesioni, si prodhimi i makinave dhe makinerive, luajnë një rol dytësor. Ata që ndihmuan në rritjen ekonomike të këtij qyteti kanë qenë sektori farmaceutik dhe ai i edukimit, shërbimet ndaj sektorit publik dhe privat (si asistenca ndaj të moshuarve që nuk ia dalin dot mbanë) dhe shërbimet ndaj kompanive (nga publiciteti te konsulenca për administrimin e kompanive) kanë njohur një rritje më të madhe se mesatarja. Po ashtu, çmimet e ulëta kanë bërë që turizmi prej vitesh të njohë një bum të paparë, duke tërhequr pas vetes edhe sektorë të tjerë si transportet: këtë vit u regjistruan 20 milionë prenotime, një shifër që nuk ishte arritur kurrë më parë.

Mes viteve 2005-2009, në Berlin vendet e punës janë rritur me një shifër prej 9 për qind (kundër një mesatareje kombëtare prej 3.5 për qind), ndërsa industria e kreativiteteve ka shpërthyer: sot një punëtor në shtatë të tillë është një profesionist i lirë, një përqindje shumë herë më e lartë se në të gjithë pjesën tjetër të vendit. Problemi: 140 mijë vende të reja pune të hapura në vitet e fundit janë zënë nga punëtorë shumë të kualifikuar, inxhinierë, informaticienë apo arkitektë, të ardhur nga rajone të tjera gjermane. Të papunët e Berlinit, përkundrazi, kanë mbetur në vend për shkak të kualifikimeve jo të duhura profesionale. “Ekziston rreziku i një ndryshimi në tregun e punës”, paralajmëron Karl Brenke, që këshillon një përqendrim më të madh tek edukimi. Sa keq që, sipas një studimi të sapopublikuar, sistemi edukativ i kryeqytetit është më i keqi i 16 landeve gjermane.

Jetesa

Në Berlin, sidoqoftë jetohet shkëlqyeshëm. Është metropoli më pak i shtrenjtë në të gjithë botën oksidentale. Mund të gjesh apartamente të mrekullueshme, të mëdha e me çmime shumë të arsyeshme. Gjendja sociale që ofron qyteti është shumë bujare dhe mbështet thuajse gjysmën e popullsisë: vetëm 39% e popullsisë e siguron jetesën falë punës. Për këdo që është i varfër, dëfrimi është gjysmë gratis: tre euro për të shkuar në teatër, një euro për të luajtur golf në atë që dikur ishte Stadiumi i Rinisë Botërore, hyrje gratis nëpër muze, 36 euro abonimi mujor në mjetet e transportit publik. Koncertet mund të dëgjohen nga rruga: koncertet janë të shumtë, ndërkohë që ata që nuk kanë mundësi të gjejnë bileta, presin hapjen e dyerve jashtë, deri pranë fundit të koncertit, duke gjetur mundësinë të hyjnë 20-30 minuta përpara përfundimit.

Gjatë gjithë viteve ‘90, Berlini ka jetuar falë kantiereve që ndërtonin kryeqytetin e ri. Aty erdhën arkitektët e mëdhenj, John Foster, Jean Nouvel, Frank Gehry, Daniel Libeskind, dhe krijuan ndërtesa të mrekullueshme qelqi: pasi është pikërisht transparenca që dhuron qelqi, mënyra me të cilën duhet përfaqësuar demokracia. Që nga koha e rinisë së Murit të Berlinit, qyteti u çmësua me ekonominë e tregut, për shkak të industrisë që subvencionohej nga brenda e jashtë kufirit, si dhe për të gjithë ata që gjetën parajsën kur u zhvendosën në pjesën perëndimore. Në qytet u dyndën të gjithë ata që ishin në kërkim të alternativave: shërbimin ushtarak, jetën prej borgjezi të vogël që ofron Republika e Bonit, apo punën në fabrikë. Pasi u rritën, vazhduan të mbeteshin kreativë, duke e kthyer Berlinin në qytetin e modës, të muzikës e dizajnit. (shqip)

Publikuar: 22.08.2010 | 20:58
Lexuar: 1284 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime