Përpos kësaj deklarate të censuruar, deri më tani nuk është zbuluar as edhe një fakt i vetëm lidhur me këtë çështje shumë të ndjeshme për Kosovën dhe të ardhmen e saj, edhe pse zyrtarët e AAK-së thonë se koha do ti vërtetojë të gjitha këto gjëra.
Adrian Çollaku
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, as pas dy javësh nuk arriti që të paraqesë faktet për, gjoja bisedimet sekrete ndërmjet zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë. Partia e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, nuk publikoi as fotografi, as incizimeve, e as nuk paraqiti fakte tjera shtesë për të dëshmuar se vërtet kanë ndodhur takime sekrete që kanë të bëjnë me çështjen e Kosovës. Madje, për shkak të presioneve të mëdha ndërkombëtare diplomatike dhe për shkak të përplasjeve e mospajtimeve edhe vetë brenda AAK-së, të mërkurën nuk u lexua as deklarata e paraparë të lexohej në ditën e publikimit të fakteve. Megjithëkëtë, gazeta Zëri arriti që ta shohë atë deklaratë dhe më pas ta botojë, ku përmenden emrat e disa ministrave, zëvendësministrave e këshilltarëve, të cilët kanë biseduar me zyrtarët e lartë shtetërorë serbë.
Përpos kësaj deklarate të censuruar, deri më tani nuk është zbuluar as edhe një fakt i vetëm lidhur me këtë çështje shumë të ndjeshme për Kosovën dhe të ardhmen e saj, edhe pse zyrtarët e AAK-së thonë se koha do ti vërtetojë të gjitha këto gjëra.
Nga ana tjetër, zyrtarët qeveritarë i kanë hedhur poshtë si të pavërteta dhe si spekulime deklaratat e partisë së Ramush Haradinajt, për gjoja bisedime sekrete.
Sidoqoftë, e tërë kjo situatë përpos që ka krijuar edhe më shumë mjegull para qytetarëve të vendit, ka vënë në pah edhe disa gjëra shumë të rëndësishme.
AAK-ja nëse i ka pasur faktet ashtu siç i ka paralajmëruar është dashur që ti publikojë ato, sepse mosprezantimi i tyre është shkelje kushtetuese. Zyrtarët e saj nuk është dashur që të dorëzohen para presioneve ndërkombëtare, sepse nëse i kanë pasur faktet ka pasur forma nga më të ndryshmet që ti prezantojnë. Për më keq, censurimi i deklaratës së AAK-së, ku përmenden emrat e zyrtarëve qeveritarë që kanë marrë pjesë në bisedime sekrete, tregon për joseriozitetin dhe mungesën e guximit të kësaj partie që ti publikojë këto fakte.
E nëse AAK nuk ka pasur fakte, do të ishte shumë më mirë për ta që të mos hynin fare në këtë lojë të rrezikshme politike, e cila ka shumë gjasa që tua ulë edhe kredibilitetin dhe besueshmërinë atyre, madje të kthehet edhe në dëm të tyre.
Dhe kjo situatë e krijuar brenda AAK-së, ka vënë në dukje mungesën e liderit të partisë, Ramush Haradinajt.
Një studiues kinez Sun Cy Vu, kishte thënë se komandanti është ai që vendos për fatin e popullit.
Dhe kjo thënie e këtij studiuesi mund të na përshkruajë më së miri situatën e krijuar në AAK. Mungesa e komandantit të AAK-së, ka mjegulluar shumë situatën në këtë parti. Rasti i paraqitjes së fakteve të paralajmëruara për bisedime sekrete ndërmjet Kosovës e Serbisë, paraqiti një sfidë shumë të madhe që kjo parti do të duhej ta tejkalonte pa ndonjë çarje të brendshme. Me një fjalë, ishte krijuar një situatë e mjegulluar. Megjithatë, u tejkalua kjo sfidë, por u vërejt shumë qartë se Haradinaj është i pazëvendësueshëm në këtë parti, qoftë edhe për një mungesë shumë të shkurtër.
Ndalimi i paparashikueshëm i tij në Hagë, e ka zënë AAK-në të papërgatitur totalisht.
Dhe çdo ditë që Haradinaj do ti mungojë partisë, kjo do tu shkojë më së shumti përshtati rivalëve partiakë, sidomos partive në pushtet. AAK-ja nuk po e tregon as guximin, as identitetin dhe as sigurinë që e kishte më herët. Duket se çdo ditë e më shumë në mungesë të liderit të saj, ajo po rrezikon që të rrëshqasë në terrene të panjohura.
Kryesia dhe nënkryetarët e saj duhet që ta gjejnë formën dhe mënyrën për ta udhëhequr partinë në rrugën që e udhëhiqte Haradinaj.
Ata do të duhej të vazhdonin të ishin zëri opozitar, ashtu siç kanë qenë deri tash. Në të kundërtën, nëse edhe AAK-ja do të binte në nivelin e partive tjera opozitare, koalicioni PDK-LDK do ta ketë shumë më të lehtë qeverisjen. Dhe në këtë frymë, edhe jeta demokratike në Kosovë do të ishte shumë më e varfër. Pa asnjë dyshim!