Kuptohet, për situatën e shqiptarëve PDSH (si përherë) nuk ka asnjë faj dhe as edhe një përgjegjësi të vetme; ajo është thjesht pala e keqkuptuar ose e pakuptuar, ajo asnjëherë nuk ka pasur përgjegjësi institucionale, dhe ndaj saj përherë janë ushtruar padrejtësi në Maqedoni!
Ermira Mehmeti
Sa shumë i gëzohemi ne të Maqedonisë shansit për të folur para opinionit të Tiranës! Ka diçka provokuese në këtë ide... Ata janë finë, të kulturuar, të ditur, politikisht shumë të edukuar. Ata janë shumë të artikuluar dhe të qartë dhe prandaj, të të jepet shansi të flasësh para atij publiku me shumë shije (ose siç thonë ata me shumë gusto), duket vërtet si shans që të vjen njëherë në jetë. Kështu, kur ne të vegjëlve nga provinca na vjen një rast i tillë, ne ekzaltohemi fare, ndërsa mundohemi të paraqitemi sa më mirë, ti impresionojmë. Se, të të pëlqejë publiku i Tiranës është një vërtetim shumë i fuqishëm për cilësitë e tua. Me pak fjalë, për të qenë të suksesshëm në politikën e vendit, ne sikur patjetër na duhet certifikati i Tiranës, e sa për këtë grusht injorantësh në shtëpi, asnjëherë as që e kemi vrarë mendjen fare! Kështu, nga ekzaltimi i pakontrollueshëm që na shkakton shansi për të dalë në mediet tiranase, ne jemi të gatshëm të deklarojmë gjithçka, pa çka se gjërat që me shumë guxim e vetëbesim i deklarojmë atje, këtu nuk na dalin dot nga goja kurrë! Atje jemi nacionalistë, pa çka se këtu jemi lojalistë! Po kujt i bëhet vonë, këtu publiku asnjëherë ska qenë i ditur apo jo?!
Kjo ka qenë përherë logjika politike e PDSH - konstruktimi i një të vërtete të pranueshme dhe të pëlqyeshme për opinionin në Tiranë, por në kundërshtim me realitetin në Shkup e Tetovë, dhe duket se të njëjtën po e vazhdon edhe sot sekretari i përgjithshëm i kësaj partie. Kështu, ndërsa është i heshtur, përherë nervoz (se është i mllefosur me sistemin tonë apo), gati i padukshëm para opinionit tonë, në një intervistë për një javore të Tiranës, kishte bërë një goxha tentim për të shpjeguar realitetin aktual politik në Maqedoni. Kuptohet, për situatën e shqiptarëve PDSH (si përherë) nuk ka asnjë faj dhe as edhe një përgjegjësi të vetme; ajo është thjesht pala e keqkuptuar ose e pakuptuar, ajo asnjëherë nuk ka pasur përgjegjësi institucionale, dhe ndaj saj përherë janë ushtruar padrejtësi në Maqedoni!
Revista raporton se për PDSH-në Marrëveshja e Ohrit tashmë ska asnjë kuptim dhe se ky formacion politik ka përgatitur një material të ri, që do të quhet Marrëveshja e re. Funksionari partiak pastaj, jep një shpjegim sipas të cilit motivi i vetëm i konfliktit që mjeshtërisht kamuflohej para shqiptarëve nga kjo garniturë që udhëhiqte Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare, ishte rrëzimi me dhunë i PDSH-së nga qeverisja e asaj kohe dhe instalimi i tyre në pushtet me çdo kusht. Parashtrohet pyetja: cili shqiptar beson në plehra të tilla prej koncepti? Vallë, a vërtet dikush në PDSH e beson se ky ka qenë motivi i konfliktit të vitit 2001? Dhe, kontradikta: pasi që ky ishte një konflikt thjesht dhe vetëm për pushtet, për cilat arsye kjo parti flet për çështje si amnistia, statusi i ish-pjesëtarëve të UÇK-së, rehabilitimi i zonave të luftës? A nuk është ky një manipulim politik?
Pastaj, zyrtari flet për servilizmin e partisë shqiptare aktualisht në pushtet, pra BDI-së, ndërsa përkujton se nuk janë të gjithë shqiptarët servilë dhe këtë përjashtim e vërteton me shembullin e liderit të tij. Wow! Ky është zëvendëskryeministri të cilit për dy vjet vetëm njëherë ia dëgjuam zërin, edhe atë kur tentoi që debaklin në politikëbërje ta prezantonte si ngadhënjim (dhe shefi i tij e ndëshkoi edhe për këtë deklaratë të vetme duke u distancuar prej saj!), ndërsa lideri i tij në Parlament deklaronte se nuk mërzitej për rejtingun e partisë së tij, për sa kohë që e kishte rejtingun e partnerit! Kjo është partia e cila në fushatën parazgjedhore të vitit 2008 kishte proklamuar se do të fitonte zgjedhjet, sepse ato do ti fitonte partneri i saj! Është partia që në ditën e zgjedhjeve organizoi forcat policore për tu konfrontuar me votuesit shqiptarë, dhe si pasojë u vra një dhe u plagosën më shumë qytetarë të pafajshëm!
Në fund, sekretari ofron një alternativë ndaj Marrëveshjes së Ohrit, e cila sipas tij ka humbur kuptimin e vet, i ka skaduar afati dhe është bërë pengesë për zhvillimin e mëtejshëm të shoqërisë. Thash me vete, shyqyr, së paku diku të lexojmë ndonjë detaj nga kjo Marrëveshje e re, kjo është shenjë se mbase diçka edhe është shkruar. Por, le të shohim zgjidhjet e propozuara:
Propozohet barazi e plotë dhe përfaqësim i drejtë i shqiptarëve në sistem. Përfaqësimi i drejtë i shqiptarëve është proces që rrjedh në kontinuitet dhe vetëm nga viti 2008 deri më tash, janë punësuar më se 1000 shqiptarë në institucione të ndryshme të shtetit.
Propozohet përdorim zyrtar i gjuhës shqipe pa segregime fyese. Këtë e propozon partia e cila për dy mandate qeverisëse as që e mori ndonjëherë mundimin të përgatiste dhe të propozonte një ligj për gjuhën shqipe, qoftë edhe më të keqin version të tij! Një tentim i këtillë minimalisht do të krijonte përshtypje se ishin sinqerisht të interesuar për ta mbyllur këtë problem.
Propozohet Ligj për funksionim konsensual të Qeverisë dhe marrëveshje që njëri nga tri postet kryesore të shtetit (presidenti, kryeministri ose kryetari i Parlamentit) ti takojë përfaqësuesit shqiptar. Këtë e propozon partia e cila marrëveshjet shqiptaro-maqedonase i shpjegon me metafora të përputhjes së kapakut me tenxheren! Këtë e propozon partia e cila insistonte se në Maqedoni asnjëherë nuk mund të formohet qeveri me shumicë të dyfishtë (pra, me fituesin shqiptar dhe maqedonas), sepse vetëm partia maqedonase ka ekskluzivitet për të zgjedhur partnerin e saj shqiptar dhe se kjo kërkesë është antikushtetuese, duke e anuluar kështu në mënyrë absolute frymën konsensuale që e proklamon Marrëveshja e Ohrit!
Propozohet respektimi i përpiktë i konceptit shekullar të shtetit. Këtë e propozon partia e cila publikisht pranoi se gjatë mandatit qeverisës kishte dhënë vizë pozitive për ndërtimin e kishës ortodokse në qendër të Shkupit!
Për propozim-zgjidhjet tjera, vërtet, as që ia vlen të argumentohet në këtë tekst. Por, kështu duken punët kur flasim në Tiranë. E se çfarë flasim në shtëpi sna bëhet fort vonë. Kryesorja, të pëlqehemi në metropolin e shqiptarëve, pa çka se me sjelljen tonë bëhemi servilë e inferiorë në Tiranë, por shtiremi përçmues e superiorë në shtëpi (kini kujdes, ndaj atyre që ua kërkojmë votat!).
Eh, sot vërtetë nuk kisha ndërmend të shkruaj për raportet në politikën tonë. Sot desha të shkruaj për diçka krejt tjetër në fakt. Desha të shkruaj për simbolikën e kësaj jave për shqiptarët. Është Ramazan, muaji i bekuar i agjërimit dhe devotshmërisë për besimtarët myslimanë, dhe është 100-vjetori i lindjes së humanistes së madhe shqiptare-katolike, Gonxhe Bojaxhiu-Nënës Terezë. Kisha ndërmend të shkruaj për atë se si kjo simbolikë më së bukuri portretizon tolerancën dhe bashkëjetesën fetare të popullit shqiptar. Në këtë kohë kur vazhdon të jetë aktual debati mbi përplasjen e qytetërimeve, kur bota akademike dhe jo vetëm përpiqet të japë shpjegime të argumentuara mbi motivet për përdorimin e ndjeshmërisë fetare për qëllime të dhunshme, shqiptarët japin shembullin më të mirë se diversiteti fetar është ndër cilësitë më të mëdha dhe themelore të trungut tonë kombëtar. Prandaj, le të gjejmë fuqinë brenda vetes për ti respektuar të gjitha këto ngjarje të rëndësishme dhe manifestime rasti! Le të respektojmë, sepse të respektojmë nuk do të thotë të adhurojmë tjetrin, të ndryshmin me fe.