E mėrkurė, 23.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

(Me rastin e daljes në dritë të numrit të parë të Revistës me recension ndërkombëtar “SUT SCIENTIFIC OBSERVER” të Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Angleze të Universitetit Shtetëror të Tetovës)







Prof.dr. Lirak Karjagdiu

Po merrni në dorë për herë të parë Revistën periodike “SUT SCIENTIFIC OBSERVER” të USHT-së, që botohet nga Departmenti i Gjuhës dhe Letërsisë Angleze të USHT-së. Në të vërtetë kjo revistë ka filluar të botohet në qershor të vitit 2008, por me titullin “ID EST.” Me këtë titull kanë dalë në dritë tri numra.

Ndërkaq, kohë më parë redaksia e kësaj Reviste mori vendimin që tani e tutje kjo revistë të mbajë emrin “SUT SCIENTIFIC OBSERVER.”Kjo Revistë e ka filluar jetën e saj me pretendimin që të jetë një revistë e mirëfilltë shkencore, që do ta ndrisë dhe afirmojë shkencën shqiptare në botë. S’do mend se ky synim ambicioz është mjaft sfidues. Prandaj, e ndjej sinqerisht nevojën që të përshëndes ngrohtësisht nismëtarët e kësaj Reviste me shumë vlerë si për studiuesit tonë dhe të huaj ashtu edhe për studentët dhe dashamirët e shkencës dhe kulturës shqiptare.

Do thënë që në krye të herës se kjo është Revistë me recension ndërkombëtar, ndaj pothuajse të gjitha shkrimet në te botohen në gjuhën angleze. Kjo Revistë vjen si një zë në shktetëtirën e shkencës dhe kulturës shqiptare. E them këtë sepse shkenca shqiptare ka pak dhe pothuajse aspak Revista të këtilla që e afirmojnë shkencën shqiptare në botë.

TRIBUNË E VËRTETË SHKENCORE DHE KULTURORE

Vlen të vihet në spikamë se një ndër qëllimet kryesore të kësaj Reviste është që t’i njohë të gjithë lexuesit e saj me aktivitetin e saj shkencor shumë cilësor, të studiuesve nga mbarë bota. Në të botohen shkrime dhe punime shkencore të cilësisë së lartë, ku trajtohen tema dhe çështje nga shumë fusha të rëndësishme për superstrukturën tonë kombëtare dhe ato botohen pasi ta kalojnë fazën e fundit të filtrit të cilësisë. Mirëpo, kjo nuk do të thotë që numri, cilësia, sasia dhe larmia tematike e Revistës nuk do të ndryshojë dhe nuk do të pasurohet, përmirësohet dhe modifikohet edhe më shumë në të ardhmen.

Fakti që shumica e punimeve të Revistës “SUT SCIENTIFIC OBSERVER” të USHT-së botohen në gjuhën angleze nuk është i rastësishëm apo për arsye se këto punime nuk kanë mundur të botohen në gjuhën shqipe. Redaksia e kësaj Reviste e ka kuptuar me kohë dhe si duhet se mosnjohja, njohja e pamjaftueshme dhe meskine apo edhe njohja e keqe e shkencës dhe kulturës shqiptare nga të tjerët, përbën një pengesë serioze për intergimin e shkencës, kulturës, por edhe të mbarë popullit, shteteve dhe trojeve shqiptare në strukturat euroatlantike.

Kontributet shkencore që botohen në këtë revistë janë kryesisht nga fusha e filologjisë si: gjuhësia, përkthimi dhe letërsia, por edhe të fushave të tjera siç janë: politika, turizmi, ekonomia, ekologjia, psikologjia, bujqësia etj.

Revista është një thesar i çmuar i gjuhësisë, letërsisë, shkencës dhe kulturës sa për shkrimet e zgjedhura aq edhe për temat dhe çështjet që trajtohen në të. Së këtejmi, mund të thuhet se kjo Revistë përbën një gurthemel të zhvillimit dhe afirmimit të shkencës, kulturës dhe dijes shqiptare në botë.

Si e tillë kjo Revistë ka dhënë dhe do të japë një kontribut çikllopik për zhvillimin e gjuhësisë, letërsisë, përkthimit, shkencës dhe kulturës shqiptare, në përgjithësi. Kërkimet dhe rezultatet shkencore në fushat e gjuhësisë, letërsisë, përkthimit, filologjisë dhe lëmive të tjera shkencore, gjetën dhe do të gjejnë vend gjithnjë në shtyllat dhe faqet e kësaj revisteje.

Ndërkaq, kontribuesit shkencorë janë studiues, pedagogë dhe studentë universitarë dhe pasuniversitarë shqiptarë nga e gjithë bota që veprimtarinë e tyre shkencore e zhvillojnë në vendet e tyre ku jetojnë dhe punojnë. Gjykuar sipas punimeve dhe kontributeve dhe studiuesve që botojnë në këtë Revistë dhe sidomos cilësinë e kontributeve, shkrimeve dhe punimeve të tyre shkencore mund të thuhet me gojën plotë se kjo revistë është një tribunë e vërtetë shkencore dhe kulturore.

Ca nga kontribuesit e rregullt dhe të shquar të kësaj Reviste janë: Prof. Dr. Refik Kadija, Prof. Dr. Sami Ibrahimi, Prof. Dr. Vilma Tafani, Mr.sc. Arburim Iseni, Prof. As. Dr. Lirak Karjagdiu, Dr.sc. Majlinda Nuhiu, Dr.sc. Florim Ajdini, Mr. Hyreme Gurra, Dr. Besa Shahini, Dr. Liljana Elmazi, Dr. Etleve Leskaj, Dr. Naser Raimi, Mr. Gazmend Iseni, Ing. Besa Iseni, Mr. Arben Hoti Dr. Vilma Proko-Jazegjiu, Prof. Dr. Bahri Musabelliu, Dr. Remzi Keco, etj. Së këndejmi, meritë e veçantë e kësaj Reviste është edhe se ajo ka grumbulluar rreth vetes ca nga studiues të shquar, por edhe studiues të rinjë të talentuar të fushave të ndryshme.

NJË UNIVERS UNIKAL SHKENCOR DHE KULTUROR

Ndërkaq, nga përmbajtja e Revistës “SUT SCIENTIFIC OBSERVER” të USHT-së është e qartë se kjo Revistë është një univers unikal shkencor dhe kulturor. Disa nga punimet që vlen të përmenden nga fusha e gjuhësisë janë: Punimi i Mr.sc. Arburim Isenit me titull “Gjetja e gabimeve në shkrimet në gjuhën angleze të folësve (studentëve) shqiptarë”.

Pastaj shkrimi i Dr.sc. Majlinda Nuhiut me titull “Mësimdhënia dhe mësimnxënia e sinonimeve dhe homonimeve”; nga fusha e përkthimit spikatet punimi i Fjoralba Dados me titull “Fazat e përkthimit të njësive (shprehjeve) frazeologjike”; nga fusha e Metodikës vlen të vihen në pah punimi i Suzana Ejupit me titull “Ndikimi i strategjive të mësimdhënies te nxënësit e shkollës fillore në mësimin e gjuhës angleze si gjuhë e huaj” si dhe shkrimi i Igballe Miftarit me titull “Promovimi i të menduarit kritik në klasë”; nga fusha e Politikës është botuar një punim mjaft interesant dhe i veçantë i Mr. Hyreme Gurrës për luftat në Evropë gjatë viteve 1945-1991; po kështu, nga fusha e Turizmit është botuar një punim i rrallë i Dr.sc. Besa Shahinit me titull “Matjet në turizëm-një sfidë me të cilën duhet të ndeshet Sistemi Statistikor i Shqipërisë”; nga fusha e ekonomisë do vënë në dukje punimin e Doc. Dr. Naser Raimit mbi aftësimin profesional të ndërmarrësve (afaristëve) si domosdoshmëri për suksesin e ndërmarrjeve të vogla në Republikën e Maqedonisë, dhe nga fusha e Ekologjisë me vlerë të veçantë është shkrimi i Mr.sc. Gazmend Isenit dhe Ing. Besa Isenit me titull “Parametrat fiziko-kimik dhe bakteriologjik të ujrave natyral dhe mineral të banjove të Tetovës.

Pos këtyre, janë botuar edhe punime dhe shkrime mjaft interesante dhe me vlerë nga fusha e ekonomisë, ekologjisë, psikologjisë, terminologjisë, bujqësisë, etj.

TEMAT DHE MOTIVET SHQIPTARE TEK AUTORËT ANGLEZË

Ndërkaq, në mesin e shumë shkrimeve dhe punimeve dhe të qindra faqeve të lexuara të këtij numri të Revistës s’ka se si të mos e veçoj punimin shkencor të studiuesit, profesorit dhe anglistit më të madh në botën shqiptare, Prof. Dr. Refik Kadijës, me titull: Tema dhe motive shqiptare në letërsinë angleze të traditës. Prof. Dr. Refik Kadija është pedagog në katedrën e Gjuhës dhe të letërsisë angleze pranë Universitetit Luigj Gurakuqi të Shkodrës, gjithashtu pedagog i jashtëm në katedrën e Gjuhës dhe të letërsisë angleze pranë Universitetit Shtetëror të Tetovës.

Gjatë karrierës së tij të begatshme pedagogjike, akademike dhe shkencore është marrë jo vetëm me mësimdhënie, por ka shkruar edhe libra, monografi, punime shkencore dhe profesionale, ka përkthyer disa vepra të letërsisë angleze, si dhe ka marrë pjesë në një mori kongresesh, simpoziumesh dhe konferencash shkencore jashtë vendit. Me këtë rast, është e udhës të vihet në dukje se Profesor Kadija është një ndër anglistët e parë dhe më të shquar në botën shqiptare dhe një ndër themeluesit e Departamentit të Anglistikës në Universitetin e Tiranës.

Në këtë punim Prof.Dr. Refik Kadija jep të dhëna të panjohura dhe të pazbuluara gjer më sot për temat dhe motivet shqiptare në letërsinë në gjuhën angleze. Këtu kemi të bëjmë me një punim të ngjeshur mbi temat dhe motivet shqiptare në tërësinë e tyre në letërsinë në gjuhën angleze. Ky punim u drejtohet dhe është jashtëzakonisht i dobishëm, në radhë të parë për studiuesit, mësimdhënësit dhe studentët e gjuhës dhe letërsisë angleze, por edhe për intelektualët dhe dashamirët e letërsisë dhe filologjisë shqipe dhe angleze.

Temat dhe motivet shqiptare në letërsinë në gjuhën angleze autori rropatet t’i pikasë dhe t’i nxjerrë në pah jo vetëm te veprat letrare të autorëve të periudhave të ndryshme letrare angleze dhe amerkane, por edhe te veprat historike të autorëve të antikitetit si: Tit Livi, Plinti, Plutarku, Plauti, Ovidi, Virgjili, Horaci, Klaudiani, Eskili dhe Homeri. Ndërkaq, trajtimin e temave dhe motiveve shqiptare në letërsinë në gjuhën angleze e nis me Geoffrey Chaucer-in (1340-1400). Ndër veprat e autorëve të tjerë anglezë të periudhës së Rilindjes dhe Neoklasicizmit, ku autori gjenë tema dhe motive shqiptare janë edhe Uilliem Shekspiri, Ben Jonson, Thomas Dekker, James Shirley, Richard Lovlace, Sir William Temple, William Haward, George Lillo, Thomas Whincop, etj.

Më pas, në pjesën e dytë të punimit në epiqendër të vëmendjes së autorit është Shqipëria dhe shqiptarët në letërsinë romantike angleze dhe amerikane, ku autori rreket të pikasë, të trajtojë dhe të analizojë tema dhe motive shqiptare te këta autorë të letërsisë romantike angleze dhe amerikane: Henry Longfellow, Clement C. Moore, Percy B. Shelley, Mary B. Shelley, George G. Byron, etj. Pjesën e tretë të punimit autori ia kushton trajtimit të temave dhe motiveve shqiptare nga autorë anglezë të Periudhës Viktorine, të shekullit XIX-të.

Ndër ta, sipas Dr. Kadijës, vëmendje të veçantë meriton Benjamin Disareli, por ai bënë fjalë për temat dhe motivet shqiptare edhe te veprat e autorëve të tjerë të kësaj periudhe si: Edward Lear-i, Lord A. Tennyson-i dhe Mathew Arnold-i. Ndërkaq, punimin e tij të thukët, kritik dhe analitik, studiuesi dhe profesori ynë i respektuar, e përfundon me një analizë të përmbledhur në variantin anglisht të trajtimit të temës shqiptare nga Lord Byron-i në Këngën e Dytë të poemës epiko-lirike “Shtegtimet e Çajld Haroldit”.

Do thënë se ky punim i rrallë shkencor, që i bën nderë të madhë Revistës, mund të quhet lirisht një rezultat i jashtëzakonshëm shkencor, madje zbulim shkencorë dhe kontribut tejet i çmuar me vlera shumë të mëdha për shkencën dhe filologjinë shqiptare. Kjo për faktin se gjer më tani, me sa jam në dijeni, pothuajse asnjë studiuesë shqiptarë apo i huaj i anglistikës apo edhe i filologjisë, nuk ia ka daluar mbanë që të japë të dhëna të panjohura, të pazbuluara dhe të paditura më parë në mënyrë aq të hollësishme, të detajuara, gjithëpërfshirëse, lucide, profesionale, akademike dhe shkencore si Prof. Refik Kadija.

Kam bindjen se ky punim dhe kontribut i rrallë shkencor i Prof. Dr. Refik Kadijës për temat dhe motivet shqiptare në letërsinë angleze të traditës jo vetëm që do t’u japë një ndihmesë të madhe përhapjes, leximit dhe njohjes së mirëfilltë të veprave të shkrimtarëve anglezë, që kanë shkruar për tema dhe motive shqiptare, por do të zgjojë edhe intersimin e studiuesve, mësimdhënësve, akademikëve dhe intelektualëve për hulumtime të mëtejme mbi këto tema me vlerë dhe rëndësi të veçantë për shkencën dhe filologjinë shqiptare.

Në fund, duke mbajtur parasyshë se kjo Revistë boton punime të cilësisë së lartë shkencore në gjuhën angleze jam i sigurtë se do t’ia dalë mbanë ta kryejë me sukses misionin e saj për të avansuar dhe afirmuar shkencën dhe kulturën shqiptare në botë.

Publikuar: 25.08.2010 | 05:39
Lexuar: 858 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet
Nehat (26/08/2010 02:19:44) I lumte Katedres se Gjuhes Angleze prane USHT-se.

Ju pergezoj

Nehati
Florim Ajdini (02/09/2010 23:57:59) Eshte nje gur i cmueshem ne kuroren e gurreve te shumte qe u vendosen nje nga nje dhe gershetuan fjalen dhe mendimin shkencor ne Universitetin Shteteror te Tetoves, por edhe me gjere. Revista ne fjale ngerthen nje numer te konsideruash artikujsh shkencore te bazuar ne teorine dhe praktiken tone shkencore, nga fusha te ndryshme te shkences. Eshte per cdo levdate puna e grupit udheheqes dhe te gjithe atyre qe kontibojne ne daljen ne drite te saj.

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime