Lube Boshkovski, gjatë ditës së sotme ka dorëzuar edhe zyrtarisht firmat dhe dokumentet tjera të nevojshme për kandidaturën e tij deri tek KSHZ-ja. Sllagjana Taseva tërhiqet nga gara presidenciale, ngase nuk pret që zgjedhjet do të zhvillohen në atmosferë të qetë dhe demokratike.
Lube Boshkovski, gjatë ditës së sotme ka dorëzuar edhe zyrtarisht firmat dhe dokumentet tjera të nevojshme për kandidaturën e tij deri tek KSHZ-ja.
Ai njoftoi se nga dita e sotme ka ngrirë funksionin e tij si anëtar i VMRO-DPMNE-së dhe se hynë në këtë garë si kandidat i pavarur.
"Prej sot jam kandidat i pavarur për President shteti. Vihem në shërbim popullit tim dhe qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe se do ti përmbush të gjitha obligimet të cilat i kërkojnë nga unë në periudhën që është para nesh, deklaroi Lube Boshkovski, kandidat i pavarur për President shteti.
Boshkovski theksoi se ka dorëzuar 13 mijë firma ndërkohë që ka firmosur edhe deklaratën në përputhshmëri me ligjin për lustrim se nuk ka bashkëpunuar me organet e fshehta të sigurimit në periudhën e kaluar.
"Besoj se zgjedhjet që do të zhvillohen në muajin mars do të jenë të lira dhe demokratike. Unë do të zhvilloj një fushatë pozitive. Besoj në kapacitete demokratike të këtij shteti dhe jam i sigurt se zgjedhjet do të jenë të suksesshme", shtoi Boshkovski.
Nesër në mesnatë skadon afati i mbledhjes së firmave dhe deri më 15 shkurt të gjithë kandidatët janë të detyruar që firmat e grumbulluara dhe dokumentet përcjellëse ti dërgojnë në KSHZ. Deri më tani kanë njoftuar se me grumbullimin e firmave kanë përfunduar kandidati i VMRO-DPMNE-së Gjorgji Ivanov, ai i LSDM-së Lubomir Fërçkovski, i BDI-së Agron Buxhaku, i PDSH-së Mirushe Hoxha dhe i DR-së Imer Selmani.
Taseva tërhiqet nga gara presidenciale
Sllagjana Taseva tërhiqet nga gara presidenciale, ngase nuk pret që zgjedhjet do të zhvillohen në atmosferë të qetë dhe demokratike.
Taseva, thotë se tërhiqet nga kjo garë për të mos qenë pjesë e zgjedhjeve të tilla.
Ajo njëherit alarmon opinionin rreth obstruksioneve dhe presioneve në të cilat hasin qytetarët të cilët dëshirojnë që të japin firmën e tyre për kandidaturën e saj si kandidate e pavarur për president shteti.
"Njoftoj se e tërheq aktivitetin tim të mëtejmë në pjesëmarrjen e zgjedhjeve presidenciale në Republikën e Maqedonisë në vitin 2009. Mendoj se nuk ekziston një ambient demokratik dhe liri që qytetarët ta shprehin mendimin e tyre gjatë këtyre zgjedhjeve.
Këtë nuk e kemi tani, nuk pres që ta kemi edhe deri në fund të këtij procesi. Për këtë arsye vlerësoj se kjo në një farë mënyre nuk I duhet Republikës së Maqedonisë andaj edhe nuk dëshiroj që të marrë pjesë në kësilloj zgjedhjesh.
Qeveria është përgjegjëse për këtë që po ndodhë", deklaroi Sllagjana Taseva, ish-kandidate e mundshme e pavarur për President. Alsat