Tashmë na vijnë raporte 100 për qind më shumë për instalim të pajisjeve se sa në ditët paraprake. Vetëm në periudhën prej 1 prill-30 qershor kemi pasur diku rreth 480 pajisje, ndërsa prej 1 korrikut deri më tani i kemi mbi 1600 pajisje, që do të thotë është një rritje e shpejtë, ka potencuar ai.
Arsim Rashiti
Prishtinë. Mbi 2000 biznese janë pajisur deri më tani me arka fiskale, ndërsa Administrata Tatimore e Kosovës(ATK) ka lëshuar mbi 300 gjoba për ato biznese të cilat nuk i janë nënshtruar këtij procesi. Nahit Sharku, drejtor për Planifikim Strategjik në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), ka thënë se sa i përket grupit të parë të procesit të fiskalizimit i kanë përgjigjur mbi 90 për qind e bizneseve, ndërsa grupet tjera, sipas tij, gjejnë arsye për mosfiskalizim tek çmimet e pajisjeve fiskale.
Ai ka thënë se ATK-ja ka kryer diku mbi 1700 vizita në terren vetëm për çështjen e arkave fiskale. Gjobat sillen nga 125-1000 euro. Ndërsa tashmë me ligjin e ri të ATK-së gjoba për mosinstalim të arkave fiskale është 1000 euro për të gjitha llojet e bizneseve si dhe e njëjta gjobë është për moslëshim të kuponit fiskal, ka thënë Sharku, duke shtuar se masat janë më të rënda, mirëpo pas paralajmërimit të parë tatimpaguesit do ti përgjigjen procesit.
Ai ka shtuar se ky aksion ka dhënë rezultate të mira, sepse tashmë në ATK shkojnë raportime nga terreni për numër shumë më të madh të instalimit të pajisjeve fiskale.
Tashmë na vijnë raporte 100 për qind më shumë për instalim të pajisjeve se sa në ditët paraprake. Vetëm në periudhën prej 1 prill-30 qershor kemi pasur diku rreth 480 pajisje, ndërsa prej 1 korrikut deri më tani i kemi mbi 1600 pajisje, që do të thotë është një rritje e shpejtë, ka potencuar ai.
Ai ka shpjeguar se edhe tatimpaguesit shohin se nuk ka zgjidhje tjetër, mirëpo siç ka thënë ai, gjithmonë vazhdojnë me ankesat e tyre rreth çmimeve të arkave e çështje tjera.
Por, shpresojmë që shumë shpejt do të kryhet procedura e licencimit edhe të operatorëve tjerë, ku do të eliminohet ky problem edhe pse shumë pak mund të ndikoj në ulje të çmimeve të arkave fiskale, ka deklaruar Sharku.
ATK-ja, sipas tij, është e vendosur që kthim mbrapa të procesit nuk ka, por procesi duhet të ecë përpara deri në realizimin e tij.
Jemi të vetëdijshëm që ka vonesa, por të jetë një proces i sigurt dhe sa me pak ndëshkime. ATK-ja nuk është vetëm që ti ndëshkojë bizneset, por procesi të kryhet, ka thënë ai.
Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), ka vlerësuar faktin se deri më tani janë fiskalizuar më se 2000 biznese, kjo dëshmon se ky proces e ka marrë një kah të vetin, ka thënë Gërxhaliu.
Është e vërtetë se problemet do të jenë ato që do ta përcjellin, mirëpo do të kuptohet se ky proces duhet të jetë i pandalshëm, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se në aspektin ekonomik fiskalizimi do të jetë në luftën kundër informalitetit dhe në ngritjen e buxhetit të Kosovës, ndërsa në aspektin politik do të jetë një shkëlqim se në vend ka rregulla.
Sipas tij, OEK-u është në kontakt me komunitetin e biznesit dhe ATK-në që brengat dhe shqetësimet ti bartin aty ku duhet.
Pra mund të ndodhë që do të ketë zhagitje, mirëpo procesi duhet ta ketë fundin e vet, ka thënë ai.