Sot mbushen plot 100 vjet nga data kur Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, e njohur si Nënë Tereza, lindi në Shkup, kryeqytetin e atëhershëm të Vilajetit të Kosovës nga prindërit e saj shqiptarë, Kolë Bojaxhiu dhe Drane Bojaxhiu (mbiemri i vajzërisë Barnaj). Në moshën 18 vjeçare Nënë Tereza u largua për në Dublin të Irlandës dhe filloi jetën e murgeshës, duke e kaluar jetën e saj në Kalkuta të Indisë prej vitit 1929 e deri më 5 shtator 1997 kur ndërroi jetë.
100-vjetori i Nënë Terezës, mrekullisë shqiptare, shenjtores botërore
Sot mbushen plot 100 vjet nga data kur Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, e njohur si Nënë Tereza, lindi në Shkup, kryeqytetin e atëhershëm të Vilajetit të Kosovës nga prindërit e saj shqiptarë, Kolë Bojaxhiu dhe Drane Bojaxhiu (mbiemri i vajzërisë Barnaj). Në moshën 18 vjeçare Nënë Tereza u largua për në Dublin të Irlandës dhe filloi jetën e murgeshës, duke e kaluar jetën e saj në Kalkuta të Indisë prej vitit 1929 e deri më 5 shtator 1997 kur ndërroi jetë.
Më 10 shtator 1946 do të përjetonte atë që më vonë do ta përshkruante si "thirrje brenda thirrjes". "Duhej të larohesha nga kuvendi i murgeshave dhe t'i ndihmoja të varfëritë, duke jetuar midis tyre. Ishte një urdhër. Nëse nuk bindesha, ishte një shkelje e besimit," kujtonte më vonë Nënë Tereza. Punën e saj misionare e filloi më 1948, duke themeluar urdhrin e saj Misionaret e Bamirësisë, i cili do të përhapej nga Kalkuta dhe India në shumë anë të botës. Motrat misionare të bamirësisë do t'iu jepnin ndihmë dhe përkrahje jetimëve, të sëmurëve me AIDS, me lebër, refugjatëve, të verbërve, invalidëve, pleqve, pijanecëve, të varfërve, të pastrehëve, viktimave të katastrofave natyrore, epidemive dhe urisë. Kalkuta ishte pikëtakim i tri besimeve të mëdha dhe filozofia e bamirësisë e Nënë Terezës e ndërtuar mbi bazën e respektit të plotë ndaj veçantive të secilit, do të jepte shembullin më të lartë e më të përkryer të bashkëjetesës së harmonishme të hinduve, myslimanëve dhe të krishterëve. Mjetin më të parapëlqyer shërues Nënë Tereza do të kishte dashurinë, ngrohtësinë dhe shpresën ndaj atyre kategorive të popullsisë të cilët ndjehen të braktisur, të pashpresë, në mëshirën e fatit.
Nënë Tereza ua dha praktikave moderne fetare, lëvizjeve bamirëse dhe të gjitha projekteve për bashkëjetesë përmasën shqiptare të barazisë e të harmonisë midis të ndryshmëve, të mëshirës ndaj më të dobëtëve, të përkrahjes e të mbështetjes ndaj atyre që kanë nevojë. Qysh në vitet 1970 Nënë Tereza do të ishte në vëmendjen e medieve botërore dhe të elitës botërore politike, shpirtërore e mediatike, do të pritej në kancelaritë më të larta botërore, do të merrte çmime të shumta ndërkombëtare, të cilat do të kulmonin me çmimin Nobël të Paqes më 1979. Nënë Tereza do të qëndronte larg botës shqiptare, por ajo do ta rrezatonte shqiptarësinë në çdo çast, në çdo frymëmarrje, deri në pikën e fundit të shpirtit të saj. Bota do ta pranonte që herët pothuaj njëzëri Nënë Terezën si një mrekulli shqiptare dhe si një shenjtore botërore. Dhe nuk do të mungonte mirënjohja e njerëzimit ndaj kombit shqiptar që ia fali atij shenjtoren e madhe.
Papa Gjon Pali II, ky mik i madh i kombit shqiptar e veçanërisht Kosovës, menjëherë pas vdekjes së Nënë Terezës do t'i fillonte praktikat e shenjtërimit. Më 19 tetor 2003 Nënë Tereza do të shpallej e lumnuar, shkalla paraprake drejt shenjtërimit zyrtar dhe në ceremoni do të kishte një pjesëmarrje të lartë shqiptare, ndër të tjerë edhe të Presidentit Ibrahim Rugova, një ndër adhuruesit më të mëdhenj të Nënë Terezës. Presidenti Rugova do të vendoste gurin e themelit edhe në katedralen e Nënë Terezës në qendër të Prishtinës. Sot, duke kujtuar bashkë me gjithë botën, ditëlindjen e njëqindtë të mrekullisë shqiptare dhe të shenjtores botërore, Nënë Terezës, ne shqiptarët nuk mund të mos jemi krenar më shumë se kurrë për vlerat e larta dhe të pashlyeshme që ia kemi dhënë e që vazhdojmë t'ia japim njerëzimit.