Nju Jorku do të jetë qyteti më i zbukuruar me ngjyrat e Misionareve të Bamirësisë. Time Square do të ndricohet sot në mbrëmje nga dritat bardhë e blu, ndërsa Empire State Building nuk ka pranuar të përfshihet në festimet për Nënë Terezën.
E gjithë bota, nga India në Tiranë feston 100 vjetorin e Nënë Terezës, murgeshës shqiptare e cila u bë simbol universal i bamirësisë për të varfërit me aromë shenjtoreje. Mëngjesi nisi me meshën e përshpirtshme në Kalkuta të Indisë. Nju-Jorku do jetë qyteti më i zbukuruar me ngjyrat bardh e blu. Për të vazhduar me një sërë aktivitetesh në të gjithë botën, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Shtete të Bashkuara të Amerikës.
Në Kalkuta të Indisë, aty ku bamirësja kaloi pjesën më të madhe të jetës në shërbim të të varfërve, sot në mëngjes është mbajtur mesha në Shtëpinë e Nënë Terezës. Në Nju Dehli, në kryeqytetin idian presidenti Pratibha Patil do të kryesojë një ceremoni publike në nder të Nënë Terezës.
Kryeqyteti shqiptar përkujton me aktivitete kulturore 100-vjetorin e lindjes së Gonxhe Bojaxhi e njohur nga e gjithë bota si Nënë Tereza. Rrugët e qytetit janë mbushur me postera që lajmërojnë aktivitetet si dhe me thënie të kësaj figure me përmasa globale.
Një ekspozitë në Bibliotekën Kombëtare, një koncert në Durrës me titullin "Rruga e jetës sime", ndërkaq një seri filmimesh ardhur nga Vatikani, janë shfaqur në Tiranë e po shfaqen nëpër rrethe. Po mbrëmë, në Kështjellën e Rozafës në Shkodër është zhvilluar mbrëmja muzikale-poetike: "Në lavdi të emrit të saj. Sot aktivitetet nisin në orën 8:30 me një meshë solemne. Në orën 11:30-13:30 do të prezantohet projekti i Memorialit të Nënë Terezës nga fondacioni kulturor "Nënë Tereza".
Kuvendi i Republikës së Maqedonisë mban sot seancë solemne me rastin e shënimin të 100-vjetorit nga lindja e humanistes së madhe, ndërsa do të ndahet edhe çmimi shtetëror "Nëna Terezë". Në hapësirën galerike të Shtëpisë përkujtimore të Nënës Terezë, do të hapet ekspozita e fotografive "Nëna Terezë - Nëna e të varfërve" nga artisti kroat Zvonimir Atletiq.
Gjithashtu do të promovohet monografia "Jeni të bekuar, lutje dhe mesazhe" të Stojan Trençevskit, ndërsa midis 100 aktiviteteve dhe manifestimeve do të shfaqet edhe filmi dokumentar "Nëpër rrugët e Nënës Terezës.. Në orët e mbrëmjes do të bëhet promovimi i këngës dhe video spotit për këngën Një shekull dashuri të kënduar nga Ardian Gaxha, Leonora Poloska, Selami Kolonja, Besiana Mehmedi, Mustafa Ymeri, Laura Krliu, Berkan dhe Valon Suma.
Viti 2010 në Kosovë është shpallur vit i Nënë Terezës dhe janë paraparë një numër manifestimesh përfshirë edhe hapjen e Katedrales më emrin e saj në Prishtinë, më 5 shtator si dhe konferenca shkencore kushtuar jetës dhe veprës së saj.
Dje në mjediset e Parlamentit të Kosovës, u hap një ekspozitë për nderë të 100 vjetorit të lindjes së humanistes shqiptare Nënë Tereza. Pikturat që u ekspozuan më parë në Parlamentin e Shqipërisë janë vepër e piktorit Xhovalin Paci. Sot në Mitrovicë, ura mbi lumin Ibër, e cila lidh anën jugore dhe atë veriore të këtij qyteti, do të emërtohet si Ura e Paqes-Nënë Tereza, në shenjë kujtese për këtë humaniste, e cila gjate gjithë jetës së saj ishte lutur për dashuri dhe paqe. Përfaqësuesit e tri bashkësive më të mëdha fetare në Kosovë, e çmojnë lart personalitetin dhe figurën e Nënës Terezë, duke thënë se humanizmi dhe vepra e saj tejkalojnë kufijtë fetarë, etnikë dhe racorë.
Nju Jorku do të jetë qyteti më i zbukuruar me ngjyrat e Misionareve të Bamirësisë. Time Square do të ndricohet sot në mbrëmje nga dritat bardhë e blu, ndërsa Empire State Building nuk ka pranuar të përfshihet në festimet për Nënë Terezën.
Nëna Tereze lindi më 26 gusht të vitit 1910 nga prindërit shqiptarë. Ajo arriti në Indi në vitin 1929.