Sot, tre vjet më pas, u konfirmua që ky ishte me të vërtetë koalicion interesi, por jo për Kosovën. Është koalicion për interesa të pushtetarëve të dy partive të mëdha.
Donika Kadaj-Bujupi
Kur të dy partitë më të mëdha në Kosovë për, siç u tha, interesa të vendit u futën në koalicion, pasoi një reagim dhe pakënaqësi e përgjithshme e qytetarëve, e medieve dhe e opinionit publik. Madje, edhe militantët më të mëdhenj të të dy kampeve politike e kundërshtuan. Për një kohë të gjatë, ky koalicion i panatyrshëm u arsyetua, nga ata të cilët e krijuan, si vendim goxha i dhimbshëm, por i domosdoshëm për interesa të Kosovës.
Sot, tre vjet më pas, u konfirmua që ky ishte me të vërtetë koalicion interesi, por jo për Kosovën. Është koalicion për interesa të pushtetarëve të dy partive të mëdha.
Ky koalicion interesi, duke pasur numrat në Kuvendin e Kosovës, me shumë lehtësi kaloi strategji, ligje dhe vendime në interes të koalicionit, gjithsesi, por me dëme dhe pasoja afatgjata për vendin.
Ky koalicion interesi votoi shitjen e Postës resursin më profitabil (pas Doganave) të buxhetit të Kosovës. Dha me koncesion Aeroportin e Prishtinës me çmim qesharak, nga i cili u varfërua Kosova. Po përgatit shitjen e KEK-ut, nga i cili do të përfitojë vetëm investitori dhe, të mos harrojmë, 20-përqindëshi përkatës zyrtar i koalicionit të interesit.
E, sikur nuk mjaftoi kjo. Për ironi edhe një pjesë e opozitës nuk u anashkalua nga ky koalicion interesi, i cili, për tia mbyllë gojën partisë, që doli me 14 ulëse ne Parlamentin e Kosovës pas zgjedhjeve të vitit 2007, sakrifikoi nga buxheti i Kosovës 15 milionë euro. Ato ia dha aleatit edhe më të panatyrshëm të këtij koalicioni, partisë e cila kishte zënë vendin në rreshtat opozitar - Aleancës Kosova e Re. Kësaj partie opozitare, e cila pas debateve të nxehta në Kuvend votonte PRO buxhetin e qeverisë, iu dha RILINDJA. Vlera e këtij tenderi për renovim të objektit ishte rreth 15 milionë euro. Ndërsa, vlerësimet për objekt nuk kalonin shifrat prej 7 milionë.
Mirëpo, qeveria e dinte, e edhe AKR, që dëgjueshmëria shpërblehet, dhe ky ishte një shpërblim për interesa, të cilat edhe kjo e dyta i quajti interesa të Kosovës.
Kur mediet janë të fuqishme, përmbysin regjime apo, në ditët e sotme, qeveri të korruptuara. Mirëpo, në Kosovë, një numër i madh i medieve kontrollohet nga qeveria, kryesisht përmes ushtrimit të presionit financiar. Për fatin e keq të këtij vendi, një numër i medieve (gjithmonë me përjashtime), burim kryesor të financimit kanë qeverinë, dhe me këtë rrezikohet demokracia. Dhe, si pasojë, mungon gazetaria hulumtuese, e roli Wachdog i medieve karshi qeverisë merr kahe tjetër. Shigjetat drejtohen ndaj opozitës, ndërkohë që në Kosovë ekziston vetëm një opozitë e fuqishme, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe vetëm një lider opozitar, i cili seriozisht rrezikon pushtetin e këtij koalicioni qeverisës, z. Ramush Haradinaj.
Si rrjedhojë, AAK shikohet me vrer nga koalicioni qeverisës, i cili të vetmin rrezik për humbjen e pushtetit e sheh këtë forcë politike.
Panatyrshëm sulmohet, edhe pse pafuqishëm nga partia e shitur opozitare, e cila si aleat i qeverisë, ëndërron që, të paktën, edhe në fillimin e fundit të këtij mandati, të merret nën sqetull nga koalicioni i madh dhe i gjerë, nga koalicioni i interesit. E kjo, përsëri për interesa të ngushta të marrjes qoftë edhe të një dikasteri qeveritar, nga i cili kompania- parti do të përfitonte edhe ndonjë tender.
Shumë shpesh, media të caktuara, si aleatë krejt të panatyrshëm të kësaj qeverie të korruptuar, obligohen të zbatojnë agjenda të kurdisura, me qëllim të zbehjes së imazhit të AAK-së dhe me këtë edhe minimizimin e rrezikut për përmbysje të këtij koalicioni.
Si pasojë, për interesa mbulohen afera të shumave marramendëse të zhvatjes së buxhetit të Kosovës nga zyrtarë të korruptuar, shkelje flagrante të ligjit dhe ndërhyrje arbitrare të kryeministrit (rasti i Rahovecit). Ngulfaten, qoftë edhe përmes dhunës fizike, tentativat e gazetarëve hulumtues për zbardhjen e krimeve ekonomike në vend, për interesa të redaktorit apo të pronarit të mediumit. I zgjatet jeta koalicionit të interesit, i cili në mandatin e tij do të kujtohet për shitjen e Ajrit, Ujit dhe Tokës së Kosovës, vetëm për interesa të koalicionit me dreqin.
Dhe, për të mbushur gazetën, por edhe egon e qeverisë, kërkohet qimja në ve tek ata të cilët i rrezikojnë këto koalicione.
Pa dashur të them që jemi të pagabueshëm, sepse jemi njerëz, apo të arsyetoj ndonjë deklaratë të pamatur eventuale, në (AAK-ja) vazhdojmë të jemi opozita e vetme e fuqishme në këtë vend, opozitë e cila nuk u nënshtrua karshi presioneve të mëdha politike.
AAK nuk bëri pazar interesin e vendit për interesa të partisë, sepse interesi kryesor për AAK-në dhe liderin e saj, Haradinaj, është Kosova pa koalicione interesi.
(Autorja është deputete e AAK-së në Kuvendin e Kosovës)