Lajmin e kanë bërë të ditur media e qytetit të Triestes, ku artistja e re shqiptare jeton prej vitesh. Sipas të përditshmes së Triestes "Il piccolo", "X Faktor" do të nisë në 7 shtator. 12 konkurrentë do të marrin pjesë të ndarë në nënkategoritë: Grupet Vokale, Over 25, Meshkuj 16-24 dhe Femra 16-24.
Edmond Prifti
- Artistja Dorina Leka është konkurrentja e parë shqiptare, e cila do të marrë pjesë në Reality Show "X Factor", i rrjetit italian "Rai 2", një format televiziv që vë në garë këngëtarët e rinj.
Lajmin e kanë bërë të ditur media e qytetit të Triestes, ku artistja e re shqiptare jeton prej vitesh. Sipas të përditshmes së Triestes "Il piccolo", "X Faktor" do të nisë në 7 shtator. 12 konkurrentë do të marrin pjesë të ndarë në nënkategoritë: Grupet Vokale, Over 25, Meshkuj 16-24 dhe Femra 16-24.
Dorina Leka, 24 vjeç, ka sudiuar në Itali për pianoforte, por ka edhe një zë me ndjeshmëri të madhe.
Ajo vjen në këtë edicion të katërt të "X Factor" si "gjetje" e Anna Tatangelos, një nga pjesëtaret e jurisë, anëtare të së cilës janë dhe emra të mirënjohur të muzikës italiane si, Mara Maionchi, Elio, Enrico Ruggeri, etj.
Artistja shqiptare, e cila admiron tingujt e muzikës pop, por edhe rrymat e lehta të muzikës, e më tej në ekstremin e tyre- heavy metal, dark, black metal apo edhe atë lirike- do të konkurrojë në kategorinë e këngëtarëve "Under 24" (nën 24 vjeç).
Dorina Leka në kategorinë "Donne 16-24"
"E re, e bukur e plot talent. Dikush e quan atë 'e reja Janis Joplin'. Një zë me ndjeshmëri të madhe që dridhet në ritmet e muzikës 'Rock n' Roll'. Shpirti i rrok-ut, shpirti i saj rebel dhe mosha e re, u morr me skepticizëm fillimisht në këtë 'Reality Show'. Por Dorina, vendosi ta provonte këtë sfidë, e përmes saj për t'i dhënë vetes një mundësi më shumë drejt rritjes humane dhe asaj artistike", shkruan e përditshmja italiane e Triestes, "Il Piccolo" për artisten shqiptare.
Më tej gazeta shkruan se Dorina Leka ka lindur në Shqipëri, por jeton në Trieste dhe "prej vitit 1986, ajo festohen ditëlindjen njëherazi me Alice Cooper dhe Kitaro. Ajo është rritur në një mjedis familjar artistik, duke i stimuluar kësisoj kreativitetin drejt muzikantëve dhe rrymave origjinale. Pianoforti ishte 'loja' e saj e parë, një instrument të cilin ka nisur ta mësojë mosha 8 vjeçare".
Pasioni për këngën i lindi në kohën kur Dorina Leka u bind se mund të ecte edhe e vetme. E kështu, shkruan gazeta, ajo ndiqte të atin gjatë koncerteve dhe mbrëmjeve muzikore në qytetin e Triestes. Dikujt mund t'i sillen ndërmend pak a shumë imazhet e një fëmijë që këndon në një skenë të rëndësishme si ajo e Vitit të Ri në "Piazza Unità" të Triestes.
Më tej, Dorina Leka ndoqi muzikën pop, muzikalet dhe muzikën e lehtë, por nuk ishte e kënaqur nga vetja, e kështu, provoi rrymat e tjera si heavy metal, dark, gothic apo black metal.
Influencat muzikore ajo i mori nga zërat e mëdhenj femërorë si Lisa Gerrard, Diamanda Galas, Nina Simone, Billie Holiday, Maria Callas, Patti Smith, Janis Joplin, PJ Harvey, për të kaluar në një shkrirje spontane me Debussy, Verdi, Rossini apo Mozart. U rikthye në kolosët e muzikës rock si, Led Zeppelin, AC/DC, Black Sabbath, apo Demetrio Stratos.
Për disa vite rresht, Dorina Leka ka qenë solistja e disa grupeve muzikore, por më pas "i premtoi besim" një grupi etnik, me të cilët gjithashtu ka realizuar një këngë-demo (demonstrative për producentët, etj.).
Së fundi, referuar medias italiane të Triestes, "Dorina Leka është përfshirë në disa koncerte me grupin vendas "Crazy Donkeys", duke realizuar me ta një rrymë muzikore që luhatet mes "blues dhe rock"".
Ndër planet e saj është dhe grupi me harpa kelte. E ka quajtur Velvet (sipas Velvet Underground), me të cilën Dorina "shkriu talentin" e saj rreth dy javë më parë, gjatë një feste të organizuar në qytetin e Triestes, në kujtim të gjigandëve anglezë, "The Beatles".
I ati, kompozitori Gjergj Leka
I ati i Dorinës, 43 vjeçari Gjergj Leka është një nga artistët më të njohur në Shqipëri. Kur ishte 18 vjeç, drejtoi orkestrën e parë të Institutit të Arteve, e më pas atë të Televizionir Shqiptar.
Krijimet e para të Gjergj Lekës përkojnë me vitet kur ai ishte nxënës në Liceun Artistik në Tiranë.
Në vitet '90 ai u largua drejt Italisë. Kompozitori Leka arriti të krijonte në vendin fqinj një formacion muzikor të quajtur "Colori Uniti", me 69 persona të 27 etnive që jetojnë në Itali, me instrumentistë, shkrimtarë, këngëtarë, balerinë dhe aktorë, dhe që shumë shpejt u kthye në një institucion të vërtetë, me dy studio regjistrimi, sallë baleti, si dhe një faqe virtuale.
Gjatë qëndrimit në Itali, Gjergj Leka ka bashkëpunuar me Rita Pavonen dhe Tedy Reno (nga shkolla e tyre ka dalë Klaudjo Baljoni), duke organizuar së bashku me ta edhe "Paradën e të rinjve", me idenë e bashkëjetesës kulturore e muzikore, një eveniment artistik që pati sukses.
Pas më se 15 vite qëndrimi jashtë Shqipërisë, si në Milano, Zvicër e Trieste, ai u shfaq pak vite më parë në ekranin e TVSH-së në emisionin "Kthehem të dielën", një show i përjavshëm që i kushtohej vlerave të muzikës shqiptare.
Bëhet e ditur se Leka ka filluar një projekt, "Në ndihmë të muzikës", iniciativë që ai e ka emërtuar "Art pa lek". Ideja dhe qëllimi i Lekës është të ndihmojë talentet e reja me këngë, kompozime, orkestrime, inçizime si dhe në menaxhim të tyre.