Kullat dhe personeli i shërbimit ishin pjesë e një projekti të komunës i mbështetur nga OSBE dhe GTZ, i cili u zbatua nga shoqata "Maltezer-ndihmoni Shqipërinë", por që vitet e fundit nuk ka vazhduar.
G. Marku
Pak ditë më parë, një pushues në plazhin e Velipojës, u rrezikua të mbytej për shkak të dallgëve të papritura.
Djaloshi, rreth të 30-ve, emigrant në Itali, po notonte së bashku me një shokun e tij, jo shumë larg bregut, tregon Tonin Sheqeri, pronar i hotelit "Adriatik".
"Si rezultat i një dallge që ia përplasi ujin në fytyrë, ai piu aq shumë ujë deti, sa e humbi fare kontrollin," thotë Tonini.
Sipas Toninit, shoku i djalit në rrezik po bërtiste për ndihmë, por asnjë strukturë e specializuar nuk u gjet për t'i ardhur në ndihmë. Dy-tre pushues ndërhynë me të shpejtë dhe ia dolën ta nxirrnin djaloshin në breg.
Sipas këtij dëshmitari, pas nxjerrjes së viktimës në breg, ai kishte nevojë për ndihmë profesionale, sepse ai thuajse kishte pësuar vdekje klinike. Rastësia e solli që aty pranë të gjendej me pushime një mjek nga Kosova, i cili i bëri frymëmarrje artificiale, i nxorri ujin e shumtë, dhe e riktheu të riun në jetë.
Nga drejtuesit e komunës së Velipojës dhe përfaqësues të prefekturës së Shkodrës, mësojmë se në plazhin e Velipojës, më përpara kanë funksionuar rojet e plazhit. Burimet e komunës thonë se plazhi kishte rreth tetë kulla vrojtimi, prej nga vrojtohej dhe menjëherë bëhej ndërhyrja e shpëtuesve.
Kullat dhe personeli i shërbimit ishin pjesë e një projekti të komunës i mbështetur nga OSBE dhe GTZ, i cili u zbatua nga shoqata "Maltezer-ndihmoni Shqipërinë", por që vitet e fundit nuk ka vazhduar.
Po bëhen disa vite që kullat dhe ky shërbim nuk funksionon, thanë burime e komunës. Kullat nuk ekzistojnë më, ato janë shkatërruar dhe janë shitur si skrap.
Për këtë shkak, sipas burimeve nga komuna, policia kufitare ka vënë në përdorim dy motoskafe, të cilët janë përpjekur t'i vijnë në ndihmë pushuesve përgjatë vijës bregdetare të Velipojës me patrullimet e tyre të herëpashershme.
Mësohet se këtë verë në plazhet e qarkut të Shkodrës nuk ka patur asnjë rast të humbjes së jetës nga plazhistët.
Sipas burimeve pranë Drejtorisë së Policisë Qarkut Shkodër dhe asaj të Kufirit, motoskafë të tillë, me detyrë për t'i ardhur në ndihmë pushuesve janë vënë në përdorim edhe në plazhet e Shirokës dhe Zogajve në liqenin e Shkodrës, si dhe të lumit Buna.
Burime të prefekturës së Shkodrës thonë se situata në sezonin e ardhshëm turistik do të jetë krejt tjetër. Sipas tyre, vërejtjet e pushuesve të ndryshëm do të merren parasysh duke bërë të mundur rikthimin e kullave të vrojtimit. Mendohet që vitin e ardhshëm të vihet në shfrytëzim një projekt i ri, ai i rojeve mjedisore, që do të thotë se ato do të jenë të ngarkuar të patrullojnë kudo që ka pushues, jo vetëm në plazhe, por edhe në pika turistike malore