- Kampionati Botëror i Basketbollit do të zhvillohet në Turqi nga data
28 gusht deri më 12 shtator 2010 Ndeshjet në grupe do të luhen në katër qytete të ndryshme, ndërkohë që nga ndeshjet e raundit me eliminim direkt ato do të luhen në Stamboll.
Gjergji Mima
- Kampionati Botëror i Basketbollit, që do të zhvillohet në Turqi nga data 28 gusht deri më 12 shtator, konsiderohet si një nga turnetë më prestigjiozë. Për herë të tretë, pas (pas atyre në vitin 1986 dhe 2006), Kampionati Botëror diskutohet midis 24 vendeve. Ndeshjet në grupe do të luhen në katër qytete të ndryshme, ndërkohë që nga ndeshjet e raundit me eliminim direkt ato do të luhen në Stamboll.
Shorti i kampionatit është hedhur prej kohësh (15 dhjetor 2009) dhe
skuadrat janë ndarë në katër grupe eliminatore me nga gjashtë skuadra.
16 skuadrat më të mira në total do të avancojnë për në raundin me
eliminim direkt.
Për organizimin e këtij botërori, Turqia mposhti konkurrencën e
Francës dhe një grupimi të bashkuar midis
Bosnjës-Kroacisë-Serbisë-Sllovenisë. Ndeshjet do të zhvillohen në
qytetet turke te Anakarasë, Stambollit, Izmirit dhe Kajserit, në
pallatin e sporti që variojnë nga 7500 deri në 16 mijë shikues (në
Stamboll).
Spanja është kampionia në fuqi e Botës, trofe i fituar në vitin 2006.
Më 28 gusht do të zhvillohen 12 ndeshje, më 29 gusht, po 12 ndeshje,
ndërsa më 30 gusht 6 ndeshje. Ndeshjet nisin me Greqinë kundër Kinës
dhe Zelandën e Re kundër Lituanisë.
Turqia u kualifikua automatikisht si vend organizator, ndërkohë
që edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës siguruan një vend si fituese
të Lojërave Olimpike të Pekinit në vitin 2008. Shumë nga ekipet
siguruan vendin e tyre përmes kualifikimeve: tre janë nga Afrika, tre
nga Azia, dy nga Oqeania, katër nga dy Amerikat dhe gjashtë nga
Europa.
FIBA, Federata Ndërkombëtare e Basketbollit, ftoi katër ekipe te
tjera, përmes një wild card (sipas një kriteri të veçantë) për të
kompletuar listën me 24 skuadra. Nga Europa marrin pjesë: Kroacia,
Franca, Gjermania, Greqia, Lituania Rusia, Serbia, Sllovenia, Spanja
(kampione e Botës) dhe Turqia (vendi organizator). Nga Afrika janë
Angola, Bregu i Fildishtë dhe Tunizia. Nga Azia marrin pjesë Kina,
Irani, Jordania dhe Libani. Dy Amerikat përfaqësohen nga Argjentina,
Brazili, Kanadaja, Porto Riko dhe SHBA-ja (fituese e Lojërave Olimpike
2008). Oqeania prezantohet nga Australia dhe Zelanda e Re.
Disa nga yjet më të mirë të botës në basketboll, përfshirë dhe
legjendat e kampionatit amerikan, NBA, do të jenë të pranishëm në
Kampionatin Botëror të Turqisë. Emra të tillë si Kobi Brajant, Lëbron
Xhejms, Xheson Kid, Duejn Uajde, Karemo Antoni, Duajt Hauard, Kris
Pol, Majkell Red, ishin fituesit e Lojërave Olimpike në Kinë, ndërkohë
që në Turqi, SHBA-ja paraqitet me emra të tillë si Rudi Gej, Lamar
Odom, Çaunsej Billaps, Tajson Çandler, Stefën Kjuri, Kevin Djurant,
Erik Gordon, Deni Grejnxhër, Endri Iguodala, Kevin Lav, Derik Rouz dhe
Rasëll Uestbrouk.
Një amerikano-polak, Majkëll Krzysevski (63 vjeç), është
trajneri i skuadrës amerikane. Ai drejton nga Botërori i Japonisë
(2006) dhe ka fituar Lojërat Olimpike (2008). Skuadra e Shteteve të
Bashkuara është një ndër më të sukseshmet në basketbollin e meshkujve
në kompeticionet ndërkombëtare, duke fituar medalje në të gjitha 16
turnetë olimpikë të basketbollit në të cilat ajo ka marrë pjesë. Ekipi
amerikan njihet si Dream Team, ekipi i ëndrrave, kjo edhe për vetë
famën dhe performancën e jashtëzakonshme të basketbollistëve të saj.
Gjithsesi, aktualisht, SHBA-ja renditet si ekipi i dytë më i
mirë në botë. Deri në vitin 1989, ekipet përbëheshin nga lojtarë
amatorë, por më pas rregullat ndryshuan dhe lojtarët ishin
profesionistë. Ekipi i parë i njohur si Dream Team, fitoi medaljet e
arta në Lojërat Olimpike të Barcelonës, në vitin 1992, ku mundi në
finale Kroacinë. SHBA-ja në 16 pjesëmarrje në Lojërat Olimpike ka
fituar 13 herë medaljet e arta, 1 argjendi dhe 2 bronzi.
Në Kampionatet Botërore, SHBA-ja ka marrë pjesë 15 herë, por
vetëm 3 herë e ka fituar titullin, pikërisht në vitet 1954, 1986 dhe
1994, duke humbur edhe tri finale të tjera: 1950, 1959 dhe 1982.
Ndeshja e parë e Shteteve të Bashkuara në këtë Kampionat Botëror do të
jetë ajo kundër Kroacisë, për tu pasuar me ato kundër Sllovenisë,
Brazilit, Iranit dhe Tunizisë. Në ndeshjen e fundit testuese, SHBA-ja
fitoi 87-59 me Greqinë në Athinë. Ekipi amerikan ka një shtatlartësi
mesatare prej 200 cm.
Ekipi spanjoll është kampioni në fuqi i Botës (Japoni 2006,
mundi Greqinë 70-47), por dhe kampioni i Europës (Poloni 2009, mundi
Serbinë 85-63). Në renditjen e përgjithshme botërore të FIBA-s, Spanja
renditet e treta. Spanja ka marrë pjesë deri tani në 9-të kampionate
botërore, ndërkohë që në ato evropiane ka marrë pjesë 26 herë, duke e
fituar atë vetëm një herë në vitin 2009, ndërkohë e ka humbur finalen
në gjashtë raste të tjera. Spanja fitoi gjithashtu medaljen e
argjendtë në Lojërat Olimpike të Kinës, duke humbur me Shtetet e
Bashkuara.
Grupi A
Argjentina
Serbia
Australia
Gjermania
Angola
Jordania
Grupi B
SHBA
Sllovenia
Brazil
Kroacia
Irani
Tunizia
Grupi C
Greqia
Turqia
Puerto Riko
Rusia
Kina
Bregu i Fildishtë
Grupi D
Spanja
Franca
Kanadaja
Lituania
Zelanda e Re
Libani