E mėrkurė, 23.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Nga Dubrovniku, Bosnjë, Mali i Zi, Serbi, Kosovë, Tiranë, plot 1000 kilometra. Mes për mes qytetit kalon një njeri i veçantë, hipur në një biçikletë sportive, ngarkuar me fare pak plaçka, ku bie në sy një dyshek alpin. Biçikleta duket se është tejet e vjetër.
Taksisti gjerman, malėsive tė Ballkanit me biēikletė






Gjergj Marku

Nga Dubrovniku, Bosnjë, Mali i Zi, Serbi, Kosovë, Tiranë, plot 1000 kilometra. Mes për mes qytetit kalon një njeri i veçantë, hipur në një biçikletë sportive, ngarkuar me fare pak plaçka, ku bie në sy një dyshek alpin. Biçikleta duket se është tejet e vjetër. Që në pamjen antropologjike “çiklisti” i tejmoshës 50-të, duket se nuk është vendës. Rubikas jo e jo, por as dhe shqiptar.

Ndalet dikund në dalje të qytetit, diçka me biçikletën nuk shkon. E kontrollon, nxjerr pincën, forcon një vidë, pastaj një gëllënjkë ujë a pije të ëmbël dhe niset sërish për udhë. Qoftë dhe në këto pak lëvizje, shikimin kundrues ndaj teje gjysmë të qeshur e gjysmë mosbesues, shenja të mjafta këto për të dhënë një mesazh se ia vlen ta portretizosh, apo ndjesia e gazetarit për t’u yshtur drejt tij?!...

Në Gjermani taksist…

Quhet Norbert, mbiemrin e ka Gradlenski, është 54 vjeç nga Nurembergu i Gjermanisë. Profesioni i tij është taksist, punon në qytetin e lindjes si i tillë. Është i pamartuar, ndërsa në këtë aspekt të jetës, thotë se nuk e di se ç’do të ngjasë me të në vitet e jetës së gjatë që ka ndërmend të jetojë! Përveç eksplorimeve të tilla për sport, ka shumë dëshirë të hulumtojë mbi historinë dhe kulturën e popujve, sidomos atyre të Europës, por ndryshe nga të tjerët don ta mësojë atë në një mënyrë tjetër, krejt origjinale, jo thjeshtë përmes librave, por përmes kontakteve, duke i shkelur këto vise me biçikletë. Këtë të fundit, thotë se e ka pjesë të jetës. Të lëvizë gjithandej është hobi i tij. Lëvizja me biçikletë qosh më qosh Europës, janë dhe pushimi i tij më i mirë dhe atraktiv. Një histori kjo e filluar dekada më parë, që në rini të hershme 25 vjeç, ndërsa tani, “të mos lëviz, më mirë më thuaj, ik vdis!...”.

Biçikleta e 25 viteve

Norbert thotë se ka 25 vjet që bredh botën pash më pash me këtë biçikletë, që sot duket si rrangallë. Mbase, vërtetë sot nuk kushton asnjë cent, por kjo është pjesa më e bukur e jetës sime, për 25 vjet nuk më ka tradhtuar qoftë dhe një herë te vetme; në mal apo fushë, në autostrada apo rrugët me gropa, në shi, në diell apo në balturina. Ajo është historia dhe memoria ime më e mirë, ajo ka të shkruar më së miri historinë e Europës në rravat e gomave të saj. Me këtë biçikletë i ka rënë kryq e tërthor Spanjës, Francës, Greqisë, Italisë dhe tani vendeve të Ballkanit. Kurrë nuk është rrëzuar a të ketë pësuar aksident me të.

Ja shikoji gjymtyrët dhe trupin tim, kam ndokund ndonjë gërvishtje?!

Ndonëse në një ditë si me shi, ka të veshur një bluzë të linjtë pa mëngë, pantallona të shkurtëra sportive dhe një palë atlete pa çorapë.

Prej 12 ditësh nëpër Ballkan

Misioni i turistit të çuditshëm për këtë vit duket se ka qenë Ballkani. Ndaj me një hartë treguese të imtë të Ballkanit, me një fjalor doracak 700 faqesh të ARMIR HETZER dhe një bashkëpunim të padër Zef Simonit (anglisht-gjermanisht-shqip), ia ka nisur kalërimit me biçikletën e tij emblematike me Dubrovnikun, qytetin e lashte dikund në jug të Kroacisë, i vendosur në një pozicion piktoresk përkundrejt detit kobalt në bregdetin Dalmat 940 km-sh, ndryshe i quajtur si qyteti i turizmit elitar europian, për të vijuar me Bosnjën, Malin e Zi, Serbi, më pastaj në veri të Kosovës, Sanxhak, Mitrovicë, pastaj për në Prishtinë e deri në Prizren e më pastaj në Shqipëri. Afro 1000 km në 12 ditë, ose për rreth 70-80 km në ditë.

Përse e zgjodha këtë udhëtim? Doja të vizitoja Ballkanin pas lufte thotë ai, sidomos Kosovën, por dhe Shqipërinë, më është dukur si diçka mistike, enigmatike, që prej epokës së Enver Hoxhës. Nuk e kisha idenë se ç’është, po e shikoj nga afër.

Taksisti gjerman, malësive të Ballkanit me biçikletë
Shqipëria, vend i frikshëm, apo jo?!...

“Je i krisur që shkon për në Kosovë e Shqipëri me biçikletë, -më thonin në Gjermani, -do ta pësosh…”. Për të qenë të sinqertë, disa kosovarë e shqiptarë ia kanë nxjerrë namin e keq këtij vendi me vjedhje, drogë, prostitucion, grindje e vrasje që bëjnë, ndaj dhe është krijuar një përshtypje e tillë. Me këtë udhëtim, unë dua t’u them gjermanëve të mij, se është krejt ndryshe këtu. Unë eci me biçikletë, ndalem, takoj njerëz të thjeshtë, nuk kam as kollare e as kostum, as bodiguardë a blinda, unë takoj një Shqipëri tjetër, atë realen, të njerëzve të thjeshtë, takoj gjithandej në miqësinë, bujarinë, besën e tyre. Më kishin thënë se do të lini kockat maleve këndej prej kanibalëve këtu, por siç e shihni pas 12 ditësh jam shëndosh e mirë, kam shëtitur gjithandej i vetëm pa armë e mbrojtje, thjeshtë me nje biçikletë e një pagure uji, për këto 1000 km nuk mbaj mend as incidentin më të vogël, njerëzit më përshëndesnin ngado shkoja. Ja, kështu si me ju, edhe në Kosovë, zura plot miq, kemi shkëmbyer muhabet e pirë ndonjë konjak. O, sa më pëlqen konjaku juaj, nuk kisha parë si ai në jetën time, është më i miri në botë, si nuk e eksportoni?! Sa të vete atje do t’u flas për konjakun e mrekullueshëm tuajin. Në Gjermani do t’u them, shkoni në Kosovë e Shqipëri, është vend i bukur, ka njerëz të mrekullueshëm.

Shqipëria, dy anët e medaljes

Më pëlqen tejmase natyra e virgjër e Shqipërisë, thotë Norbert. Kosovës i rashë tej e mbanë nga veriu në jug, fjeta në hotele komode me standart të lartë. Po ashtu në Kukës, Fushë Arrëz dhe këtu tek Kroi afër Rrëshenit, hëngra mishin e shijshëm të viçit, si këtu, ama, shijova peshkun dhe rakinë vendase. Shqipërinë e njihja deri tani nga dy emra, Nënë Terezën, shqiptaren e madhe dhe Altin Rrakllin, futbollistin që luan në Gjermani, pastaj gërmon në kujtesë për të nxjerrë një shkrimtar të madh që i është afrua NOBELIT, sapo i themi Kadarenë, pohon me kokë, ndërkohë që i kujtojmë dhe Robert Shvarc e të tjerë, futbollistë që luajnë atje, duke u shtyrë në kohë dhe me Skëndërbeun, ç’ka e bën të skuqet pakëz. Por na e kthen reston e “mburravecllëkut” tonë tradicional historik, kur thotë se duhet të jetoni dhe të tashmen, këto rrugë duhet t’i mirëmbani, qytetet gjithashtu, shumë pisllëk ka gjithandej, ja shikoje atë të furgonit si i hodhi mbeturinat nga dritarja, edhe anash kësaj rruge duhet të ketë kosha, ndaloje makinën hidhe mbeturinën, pastaj ik. Jo më në qytete…

Mos u shëndoshni shumë, lëvizni

Pa bërë moral por me gjeste konkrete ai të thotë se ndjehet mirë me shëndet ngaqë lëviz. Asnjë sëmundje nuk ka kaluar dhe nuk ka në trupin e tij, muskujt i dallohen gjithandej trupit. Duhan pi në të rrallë ndonjë mbrëmje sa për shoqëri kur ndjehet vetëm, edhe alkool gjithashtu pak. Ndonëse e ka prishur me konjakun e rakinë vendase këtu në Shqipëri darkave në hotelet buzë rrugëve. Dhe sidomos me konjakun, disa shishe të të cilit ka vendosur t’i marrë me vete dhe në Gjermani, për t’i pirë nën shoqërinë e shokëve atje, por edhe si reklamë. Ndërkohë që ka dëshirë t’i lexohet mesazhi i lëvizjes së tij me biçikletë edhe si një nevojë e njerëzve për të mbajtur trupin dhe mendjen në formë.
…
Në mes një muhabeti të hareshëm (taksisti gjerman flet rrjedhshëm disa gjuhë të Europës), orët çuditshëm shtyhen një pas një, pa e kuptuar se i kemi prishur diçka nga itenerari i tij i zakontë ditor. I lutemi ta marrim me makinë për Tiranë për të fituar kohën e humbur, por ai kurrsesi nuk pranon, do t’i shtojë diçka më shumë shpejtësisë së zakonshme, për të përshkuar edhe 70 km e fundit, ditën e fundit të vizitës së tij nëpër malësitë e vendit të shqipeve me biçikletë. Për t’u kthyer më pas me ndonjë autobus të linjës, sërish “me miken e tij të vjetër”, biçikletën e tij 25 vjeçare, sigurisht kësaj rradhe në kthim, të kyçur në bagazhe, drejt e për në Nurenberg, mbase për t’u rikthyer ne vitet e ardhshme në nje Shqipëri më të zhvilluar, siç dhe ishte dëshira e zemrës së këtij gjermani të thjeshtë.

Mirupafshim miku ynë, Norbert!...

Publikuar: 30.08.2010 | 17:42
Lexuar: 880 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime