E mėrkurė, 23.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Në ato vite se kuptoja se si mund ti dërgosh tjetrit urime me bomba! Që nga ajo kohë e deri tani kanë rrjedhur shumë këngë, se këngët këta njerëz i bëjnë vetë e i këndojnë vetë. Mjafton një shkak dhe kënga për to është gati. Ruaju të mos bësh ndonjë të pabërë se këngën e ke nga pas. E për dreq këto këngë përhapen më shpejt.
Kurvelesh-zemra e kėngės







FIQIRI SEJDIAJ


Për të shkuar në Kurvelesh duhet të kalosh grykën e Bënçës. Pasi kalon kthesat e Gërxhunit e del në majë të malit, befas të çfaqet kanioni i madh i Progonatit.

Këtu ke hyrë në territorin e komunës së Kurveleshit, por të 5-të fshatrat e saj, me ca shtëpi të vogla fare, janë ende larg.Fshati i parë është Legëdushi me bustin e Heroit të Popullit – Mustafa Matohiti dhe teqenë e bektashinjve. Më tutje Progonati i Asim Zenelit me rrepet shekullor në qëndër. Zyrat e komunës ndodhen në Gusmar.

Mbi një pllajë buzë humnerës ndodhet Rexhini e Nivica që të ngjan si një yll i varur në qiell.

Qysh në vogëli, më kujtohen burrat e fshatit që këndonin shtuar:

“Kurvelesh o zëmra ime,
ç’janë këto bombardime,
të dërgon Duçja urime…”


Në ato vite se kuptoja se si mund ti dërgosh tjetrit urime me bomba!
Që nga ajo kohë e deri tani kanë rrjedhur shumë këngë, se këngët këta njerëz i bëjnë vetë e i këndojnë vetë. Mjafton një shkak dhe kënga për to është gati. Ruaju të mos bësh ndonjë të pabërë se këngën e ke nga pas. E për dreq këto këngë përhapen më shpejt.

Sot në Kurvelesh, kënga më e preferuar është ajo që këndon grupi i të rinjve të Progonatit:

“sa shumë malli më ka marrë
të dal e të shoh fshanë
të shoh vendin e vatanë
që si kam, e që s’më kanë”

ǒështë kjo këngë, gati në vaj, kur fshatin e ke aty e s’të pengon kush të rish me të?


Është një këngë për të gjithë ata që janë larguar pas viteve 90’. Për ata burra e gra, të rinj e fëmijë që kanë lënë Legëdushin, Progonatin, Gusmarin, Rexhinin e Nivicën. Vetëm në Nivicë p.sh nga 155 shtëpi që ka patur para vitit 1990, tani kanë mbetur 35. Shtëpitë janë aty, mirëpo në to nuk ka frymë njeriu. Nga oxhaqet e tyre nuk del më tym.

Zërat gazmor të fëmijëve nuk dëgjohen më. Mysafirët e vetëm të këtyre shtëpive janë dallëndyshet, por edhe ato, kur e ndiejnë se në shtëpi nuk ka më frymë njeriu, largohen duke e braktisur folenë që e kanë bërë me aq mund.

Sekretari i komunës së Kurveleshit – Bedri Lopaj, na thotë se 80% e familjeve janë larguar nga fshati. Është e rëndë, dramatike, por ja që kështu është. Kanë vajtur në Vlorë, Tiranë, Sarandë. Pjesa më e madhe kanë emigruar në Greqi, Itali, Amerikë e Kanada. “Megjithatë, - thotë sekretari i komunës, - mendjen dhe zemrën i kanë këtu. Herë pas here vijnë në Kurvelesh. Mjafton një sebep dhe i ke këtu. Çdo mal, çdo hon, çdo pllajë e çdo gur është i dashur për ta”, përfundon sekretari.

Territori komunës së Kurveleshit shtrihet nga Gusmari, në kufi me Kuçin, e deri në Legëdush. Përballë mali i Këndrevicës 2120 metra i lartë. Ky mal hijerëndë, të shoqëron kudo që të jesh në komunë.
Këta njerëz që jetojnë mes maleve, çdo gjë e kanë të lidhur me qiellin. Edhe emrat janë të lidhur me qiellin, si p.sh Shpella me qiell, Honi mbi re.

Kur s’kanë me kë të bëjnë muhabet, kurveleshasit llafosen me retë, aqë lart janë, se po u bën dy vetë bashkë, ja marrin këngës. Ata që shkojnë për herë të parë në Kurvelesh, habiten nga honet, greminat e kanionet. Këtu edhe shtëpitë sikur mbijnë nga honet. Një vend i ashpër, po siç thotë kënga “i larë me flori”.
Kurvelesh-zemra e këngës

Për ata që janë rritur këtu, çdo fije bari, çdo pemë, çdo gjethe e lule është e shtrenjtë. S’ka si Kurveleshi! Natyrë e ashpër, njerëz bujar, mish në hell, ujë i ftohtë, këngë.Unë nuk e di se sa qingja ka sakrifikuar komuna, por më në fund, Ministria e Punëve Publike dhe ajo e Financës, e zgjidhën qesen për të bërë rrugën Leqëdush – Nivicë, 18 km e gjatë, që përshkon gjithë territorin e komunës mes për mes.

Sa për hidrocentralet, ato janë investime private të marra me konçension që do i japin zhvillim zonës. Kënga për dy hidrocentralet nuk ka dalë ende, sepse fshatarët janë mosbesues. Po s’e panë me sy e po s’e prekën me dorë, s’ka këngë.

Siri Sinani – administrator i dy hidrocentraleve, tregon se kapaciteti i tyre do të jetë 5 megavat. Puna ka filluar dhe falë terrenit favorizues, uji do të ketë derdhje të lirë nga 260 metra lartësi. Turbinat do të vendosen poshtë në humnerë, në Vinjë. Rruga dhe dy hidrocentralet, sipas Siriut, kanë krijuar një atmosferë tjetër në fshat. Mjaft njerëz që ishin bërë gati të iknin kanë ndryshuar mendim. Ky vend mund të bëhet. Kjo komunë ka të ardhme. Këta njerëz mund të jetojnë më mirë.

Hidrocentralet po punësojnë qysh tani njerëz e me mbarimin e tyre do të punojnë edhe 30 vetë të tjerë. Linja e tensionit të lartë që do të ngrihet, do të rregullojë përfundimisht tensioni e kësaj zone, që deri tani ka qënë mjaft problematik. Po edhe natyra do të bëhet më e bukur. Liqeni do të mbulojë territorin më inproduktiv të komunës, “varret e zeza” ku nuk rritet asnjë lloj bimësie.

- Kush do të punojë në hidrocentral, kur gjithë fshati është larguar?
- Ja, këta fëmijë, - na thotë drejtori i shkollës Vladimir Binaj, - të cilët janë krenarë për shkollën e tyre. Në Kurvelesh, shkolla i ka hapur dyert e saj qysh në vitin 1909, një vit pas mësonjëtores së parë shqipe. Kurveleshi nuk është vetëm i dyfekut, as i kërrabës – siç e kanë etiketuar herë pas here. Jo mik i dashur. Këtu ka patur katër shkolla 9 vjeçare dhe një të mesme.

Kanë dalë mjek, inxhinier, agronom e ushtarak.Është kohë dreke dhe nga larg vjen jehona e një kënge labe. Drejtori i shkollës buzëqesh. Pastaj vazhdon.

- Këndohet tek Ramadani! I ka ardhur nusja e djalit nga Italia.

- Italiankë në Kurvelesh!

- Po more, mandej Barjame Çakaj i ka ngritur një këngë.
Edhe pse 80% e kurveleshasve janë larguar nga fshati, përsëri vendi ka gjallëri. Ata që kanë mbetur merren me blegtori. Burra, gra, pleq e fëmijë zemrën e kanë tek blegtoria.

Meraku për gjënë e gjallë fillon qysh herët në mëngjes e vazhdon gjatë gjithë vitit, brez pas brezi, sepse terreni i ashpër, mungesa e infrastructures, largësia nga qëndrat urbane, këtë alternativë i kanë afruar për mbijetesë. Delja u ka siguruar këtyre njerëzve jo vetëm ushqimin, por edhe veshjen e shtrojen.

Me blegtorinë – thotë bariu Ramadan Veshi, jemi të lidhur në mënyrë të pa zgjidhshme. Këto brinja, livadhe, fusha e deri në Këndrevicë mbajnë mbi 30 mijë kokë bagëti.

- Kam 32 vjet që merrem me blegtori – thotë Memo Breshaj, edhe ky bari. Këtë punë ka bërë stërgjyshi, gjyshi e babai. Brez pas brezi jemi marrë me blegtori. Kam 600 kokë dele, e çdo njërën prej tyre e njoh në blegërimë. S’kam nevojë ta shoh në faqe, se e njoh në zë. Memo Breshaj na tregon se periudha më delikate është dhjetori, dimri e bora kur pjellin dhentë.

N.q.s çobani nuk do të jetë afër deleve, atëhere qingjat ngordhin – thotë ai. Në këtë periudhë u rrimë mbi kokë. Prishim gjumin e natës, e prishim shumë gjumin dhe mëkojmë me qumësht çdo qingj që vjen në jetë.

Në një natë mund të qëllojë që të pjellin 50 dele. Sëbashku me gruan kujdesemi aqë shumë për kopenë, sa ju s’mund ta kuptoni kurrë. I duam njësoj si fëmijtë tanë, o burrë!

Një tjetër bari, Fuat Seferi, (këtu të gjithë janë barinj të mirë) na tregon sesi shtegton çdo vit në Sarandë.

Aty ka blerë edhe një shtëpi për familjen që ti ketë pranë e të mos i lërë fëmijët pa shkollë.

- Për një javë rrjesht, - tregon Fuati – udhëtoj çdo ditë 12 orë me kopenë në sy. Fle 6-7 orë e nisem prapë, deri sa qafë më qafë, e mal më mal arrij në kullotat e Sarandës. Kam ikur më 20 nëntor, dha ja tani, u ktheva përsëri në fshat.

Shtegtimi i kopesë është një punë e vështirë. Askush s’mund ta parashikojë kohën, daljen e lumenjve e të përrenjve, ujqërit në pyje, e kështu me radhë. Por këta njerëz janë të përpjekur. Askush nuk mund ta bëjë më mirë se ata. Shumë njerëz pyesin të habitur: si shpjegohet që këta njerëz janë kaq shumë të lidhur me blegtorinë, sa e kanë kthyer në profesion?

Përgjigja është e thjeshtë: Sepse blegtoria i ka mbajtur gjallë këta njerëz. Delja ka qënë i vetmi burim jetese. Kali e mushka i vetmi mjet transporti, kurse pushka e qeni, mjet sigurie për vete e për kopenë.

Rrugët për të lëvizur brënda fshatit, e nga stani në stan, janë të vështira; kështu që transporti i qumështit nga kopeja në baxho bëhet me kafshë. Të gjithë fshatrat kanë baxhot e tyre. Në 25 maj hapet edhe baxhua e Llufës, një vend piktoresk që të kujton kullotat alpine. Gjithë kopetë e Kurveleshit verojnë në Llufë të Këndrevicës.
Sapo sheh këtë vend të mrekullueshëm, ku nuk mungon as bukuria, as gjelbërimi, e as uji, vetvetiu lind kënga:

“o djem kthehuni tek mëma
se nënës ju ça zemra
kthehuni tek vatër gjëma
të hapet, të ndizet kënga”


Mjafton një shkak që Kurveleshasit e larguar, me mallin e pashuar që as varri nuk ua tret, të kthehen në Legëdush e Progonat, në Gusmar e Nivicë, sepse e dinë që ky vend i ashpër, i pret me dashuri.
Në Kurvelesh, sot për sot, nuk ka hotel, sepse çdo shtëpi e ka të hapur portën; e çdo njeri e ka të hapur zemrën.

Sapo të hyni brënda, bashkë me zjarrin do u ndezin muhabetin, do therin qengjin, do ftojnë edhe komshiun e do ja nisin këngës. Ky është Kurveleshi, zemra e labërisë. Kështu ka qënë e kështu ka mbetur edhe sot e kësaj dite.

Publikuar: 30.08.2010 | 19:41
Lexuar: 939 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet
Marenglen llapaj (31/01/2012 15:20:21) Me pelqeu pershkrimi qe eshte bere me siper,pergezime nga ana ime.kisha nje lutje nqs eshte e mundur .kam kerkuar por nuk e kam gjetur tekstin e kenges se vjeter kushtuar heroit te popullit Mustafa Matohiti.nese eshte e mundur ta postoni ose ma dergoni ne emailin tim apoloni@gmail.com.ju pershendes

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime