Në tetor do të shfaqet në Shtetet e Bashkuara, filmi që zbulon jetën e themeluesit të Facebook-ut. Mark Zuckerberg nuk e ka pritur mirë këtë gjë.
A keni provuar ndonjëherë të merrni kokainë nga gjinjtë e zhveshur të një vajze? Kur i treguan skenën Mark Zuckerberg, u çmend fare. Thonë se për atë dreq filmi, vonoi me një vit kuotimin në bursë të kompanisë së tij: si mund të prezantohesh në Wall Street me rrezikun e një skandali kaq të madh? Duhet pranuar se një gjë është filmi dhe diçka tjetër realiteti: ky është film me spec. Regjisori është David Fincher, autori i Figth Club dhe The curious case of Benjamin Button. Edhe për skenarin e filmit janë shkëputur copëza të ndryshme nga vitet 90, me ndihmën e skenaristit Aaron Sorkin, i cili firmosi edhe serialin televiziv The West Wing mbi jetën në Shtëpinë e Bardhë.
Këtë herë faktet dhe personazhet kanë një qëllim të thjeshtë. Që në titull kuptohet gjithçka. Filmi është titulluar The social network. Protagonisti me flokë kaçurrela interpretohet nga Jesse Eisenberg, i cili ngjan shumë me djaloshin Mark. Kjo është historia e Facebook-ut dhe e një djaloshi, i cili dëshironte të bënte për vete botën me çdo kusht. Këtë gjë e thotë edhe slogani: Nuk mund të kesh 500 mijë miq, pa pasur asnjë armik. Për ish-studentin e Harvardit, që ka krijuar një perandori të madhe duke u nisur nga një iniciativë në kolegj, kjo është më shumë se një gënjeshtër.
Zuckerberg akuzohet nga e gjithë bota se ka dhunuar privatësinë me forumet e tij virtuale duke zbuluar emra, fotografi dhe shumë të fshehta. Si mund të kërkojë tani privatësi për veten? Producenti Scott Rudin thotë se Mark nuk ankohet shumë. Ai dhe kompania Sony kanë bërë gjithçka për të qetësuar situatën. Për muaj të tërë emisarët e tij kanë ndërhyrë në film duke prerë copëza që Mark-ut nuk i pëlqenin. Por pse kaq shumë durim? Askush nuk dëshironte të rrezikonte që Facebook-u të bllokonte filmin. Edhe skena e kokainës nuk është prerë. Tani Facebook jep përshtypje të mirë, duke bërë lojë të keqe. Edhe pse është film, kjo është një shenjë që Facebook-u është bërë shumë i rëndësishëm.
Pyetja që shtrohet është kjo: është film apo jo? Skena e kokainës është elokuente. Protagonisti është Sean Parker, që në film interpretohet nga idhulli i vajzave, Justin Timberlake. Parker është një nga themeluesit e Napster. Në fillim të lindjes së Facebook-ut ishte edhe një nga këshilltarët e Zuckerberg. Biografi zyrtar i kompanisë, David Kirkpatrick, shkruan se Sean u largua kur u zbulua arrestimi për histori droge.
Megjithatë, filmi The social network nuk është bazuar në biografinë zyrtare. Madje është e kundërta. Filmi është ndërtuar mbi bazën e The Accidental Billionaire, bestselleri i Ben Mezrich që tregon ngritjen e Zuckerberg të parë nga ish-shoku i kolegjit, me të cilin janë armiq. Eduardo Saverin u përjashtua nga grupi pas një padie nga gjykata. Zuckerberg është një hero, prandaj edhe Amerika e do, thotë Mezrich për Usa Today. Përveç kësaj ka edhe diçka tjetër: një djalosh i cili fillimisht është i izoluar, i zgjuar dhe arrogant, e ka shumë të vështirë ti tregojë botës se mund tia arrijë gjithmonë qëllimit që ka në kokë.
Që ia ka dalë mbanë për gjithçka këtë e dinë të gjithë. Këtë e vërteton edhe filmi, i cili do të shfaqet fillimisht në kinematë amerikane në muajin tetor. Fotografitë dhe skedat e studentëve të kolegjit janë vjedhur për tu vënë online, ndërkohë që është hapur edhe një konkurs për fotografinë më të bukur, e cila do të arkivohet në software-in e Facebook-ut. Pas këtij veprimi nuk kanë munguar denoncimet e profesorëve dhe kolegëve të kursit, gjithashtu edhe festat e shfrenuara me bazë alkoolin dhe seksin. Kirkpatrick thotë se filmi është plot ambicie dhe falsitet. Vërtet rrezikon kredibilitetin e Facebook-ut? Sido që të jetë, fundi dihet: Mark-u do të bëhet shumë i famshëm.
Në fakt, kjo është një famë që themeluesi i Facebook-ut mund të kishte bërë edhe pa të. Filmi do të shfaqet në tetor, por Festivali i Filmit në Nju Jork do ta prezantojë që në shtator. Gjithashtu, në përfundim e sipër është edhe një film tjetër, ai mbi fillimet e Google-it. Libri nga ku është frymëzuar regjisori, është tepër serioz dhe titullohet Googled, i autorit Ken Auletta. Nuk është një roman skandaloz si The Accidental Billionaire. Në pritje të shfaqjes në kinema, filmi The social network është tepër i klikuar edhe në internet. Një element tjetër shumë i rëndësishëm është edhe kolona zanore: kënga Creep de Radiohead, e kënduar nga një kor vajzash belge.