Kombëtarja barazoi 1-1 me Apoloninë, në një ndeshje që më tepër
ishte një test informues, për trajnerin Kuzhe. Sërish ishte Hamdi
Salihi protagonisti i kuqezinjve, duke qenë ai autori i golit në
takimin e zhvilluar në Durrës. Për Apoloninë e Kategorisë së Parë
barazoi talenti Andi Ribaj.
Gjergji Mima
Përgatitja intensive për ndeshjen e 3 shtatorit ndaj Rumanisë ka vijuar edhe ditën e sotme për Kombëtaren e Shqipërisë. Sipas burimeve nga Federata Shqiptare e
Futbollit, lojtarët e drejtuar nga kroati, Josip Kuzhe kanë zhvilluar
një seancë stërvitore mëngjesin e sotëm, ndërsa pasdite kanë zhvillaur
një ndeshje miqësore me ekipin e Apolonisë, që luan në Kategorinë e
Parë shqiptare.
Kombëtarja barazoi 1-1 me Apoloninë, në një ndeshje që më tepër
ishte një test informues, për trajnerin Kuzhe. Sërish ishte Hamdi
Salihi protagonisti i kuqezinjve, duke qenë ai autori i golit në
takimin e zhvilluar në Durrës. Për Apoloninë e Kategorisë së Parë
barazoi talenti Andi Ribaj.
Hamdi Salihi, autor i të tre golave në tri fitoret e fundit 1-0
të Shqipërisë në tri miqësoret kundër Malit të Zi, Andorës dhe
Uzbekistanit ka qenë edhe një nga protagonistët e konferencës së sotme
për shtyp që u mbajt në hotel Dyrrah, në plazhine Durrësit ku është
grumbulluar ekipi Kombëtar.
Sulmuesi i Kombëtares po përjeton një formë të mirë me skuadrën
e tij austriake, Rapidin e Vjenës, për të cilin ka shënuar edhe një
gol në kampionatin aktual (goli i tij i 50-të në Austri). Sulmuesi, i
cili ka veshur fanellën e kombëtares 22 herë (5 gola) ishte në unison
me lojtarët e tjerë të përfaqësueses në prag të ndeshjes kundër një
Rumanie, që ka disa mungesa, përfshirë dhe atë të kapitenit të saj,
mbrojtësit të njohur të Interit, Kristian Kivu (i pezulluar).
Ne duhet të përqendrohemi te gjendja jonë jo te problemet e
kundërshtarit pasi rezultatin pozitiv vetëm në atë mënyrë mund ta
arrijmë, - tha Salihi, autori edhe i golit të fundit zyrtar të
Shqipërisë në ndeshjen e humbur 4-1 me Suedinë për eliminatoret e
Kampionatit Botëror.
Edhe mbrojtësi i Kombëtares, Debatik Curri, beson se Shqipëria
i ka të gjitha mundësitë për të bërë një paraqitje pozitive kundër
Rumanisë, ndaj së cilës në ndeshjen e fundit për eliminatoret e Euro
2008-s humbëm 6-1.
Mbrojtësi i Gençerbirligi në kampionatin turk, u shpreh
entuziast gjatë konferencës për shtyp. Besoj se nuk do të përsëritet
ai rezultat aq i hidhur për ne pasi tani jemi ne grup i konsoliduar që
kemi treguar se dimë të fitojmë. Pretendojmë një paraqitje të mirë.
Vijmë pas disa rezultateve pozitive (pesë miqësore të suksesshme) dhe
besoj se kemi dhe motivimin e duhur. Dëshirojmë të tregojmë se ky grup
lojtarësh mund të zhvillojë lojëra të bukura, - tha Curri, i cili
numëron 32 ndeshje me Kombëtaren dhe është autori i golit kundër
Holandës në kualifikueset e Euro 2008-s (11 tetor 2006, 2-1).
Shqipëria do të luajë, më 3 shtator kundër Rumanisë në
transfertë dhe më 7 shtator me Luksemburgun në Tiranë. Shqipëria nuk
fiton një ndeshje ndaj Rumanisë prej vitit 1948, një sukses pikërisht
në fushë kundërshtare. Kombëtarja më 7 shtator do të presë
Luksemburgun në Tiranë.