Në deklaratën me 11 pika, të cilën e lexoi fizikani Jahja Kokaj, Instituti i Alb Shkenca shpreh "kundërshtimin ndaj çdo lloj forme apo formati bisedimesh të imponuara që nuk marrin parasysh pavarësinë e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur, që cënojnë në çfarëdo lloj mënyre tërësinë territoriale të shtetit të Kosovës dhe që shkelin Kushtetutën dhe legjislacionin e miratuar në pajtim me të".
"Pavarësia e Kosovës është e shenjtë dhe e pakthyeshme dhe tërësia territoriale e Kosovës do të mbrohet me çdo mjet nga shqiptarët kudo që ata jetojnë", shprehu sot në Tiranë mendimin përmes një deklarate Instituti Alb-Shkenca, Tiranë-Prishtinë-Shkup, në mbledhjen vjetore të tij.
Në deklaratën me 11 pika, të cilën e lexoi fizikani Jahja Kokaj, Instituti i Alb Shkenca shpreh "kundërshtimin ndaj çdo lloj forme apo formati bisedimesh të imponuara që nuk marrin parasysh pavarësinë e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur, që cënojnë në çfarëdo lloj mënyre tërësinë territoriale të shtetit të Kosovës dhe që shkelin Kushtetutën dhe legjislacionin e miratuar në pajtim me të".
Në deklaratë hidhen poshtë si të papranueshme idetë e qarkulluara kohëve të fundit për avancim të mëtejshëm të statusit të komunitetit serb të Kosovës, gjë që bie ndesh me dispozitat kushtetuese dhe rendin juridik në Kosovë dhe refuzohet kategorikisht çdo lloj përpjekje, nga kushdo qoftë për të shpërblyer spastrimin etnik të shqiptarëve në komunat e Leposaviçit, Zubin Potokut dhe Zveçanit dhe në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës me shkëputje territoriale.
"Ne kërkojmë nga autoritetet përkatëse dhe nga klasa politike e Kosovës që t'i përmbahen me përpikmëri angazhimeve të marra përsipër me shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe të ndërmarrin masa konkrete për vendosjen e autoritetit në veriun e Kosovës", nënvizon deklarata.
Ndërsa kerkojnë hedhjen poshtë si të papranueshme rezolutën e paraqitur nga Republika e Serbisë para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ALB-shkenca bën thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ushtrojë ndikimin e tij mbi Republikën e Serbisë, me qëllim "ndërprerjen e provokimit të dhunës në komunat veriore të Kosovës, financimin e strukturave paralele dhe ndërhyrjen në punët e brendshme të Kosovës".
Deklarata kërkon gjithashtu nga BE-ja, që Serbia të respektojë Kosovën si shtet i pavarur dhe në rast të kundërt të kushtëzojë proceset integruese me mbajtjen e këtij qëndrimi, ndërsa udhëheqësit politikë shqiptarë të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Serbisë jugore (Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë) dhe Malit të Zi të bashkërendojnë veprimet në kundërshtimin e çdo ideje, që cënon sadopak pavarësinë dhe tërësinë territoriale të Kosovës.
Në përfundim të deklaratës, pjesëmarrësit në takimin e ALB-Shkencës ritheksojnë vullnetin e përbashkët për ndërmarrjen e hapave të mëtejshëm në mbrojtje të pavarësisë dhe tërësisë territoriale të Kosovës