E mėrkurė, 23.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Strategjia e shumëpërfolur e diplomacisë kosovare menjëherë pas GJND-së nuk u publikua asnjëherë. Politika kosovare edhe një herë dëshmoi se nuk është në gjendje të bëjë politika nacionale dhe strategjike.
Tri alternativat diplomatike





Adrian Çollaku

Në kohën kur kanë mbetur vetëm edhe pak ditë deri në fillimin e punimeve të sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara janë shtuar presionet ndërkombëtare ndaj Serbisë. Diplomacia perëndimore nën primatin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka ndërmarrë një ofensivë të paparë deri tani për ta penguar projektrezolutën e Serbisë për Kosovën, e cila kohë më parë është deponuar para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Mirëpo, në anën tjetër, pavarësisht këtyre presioneve të mëdha Serbia nuk e ka ndër mend që të dorëzohet dhe ta tërheqë projektrezolutën.

As vizitat e ministrit të Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle dhe atij britanik, William Hague, në Beograd, nuk kanë arritur që t’i bindin zyrtarët shtetërorë të Serbisë që ta tërheqin projektrezolutën. Madje, si presidenti serb Boris Tadiq, ashtu edhe shefi i diplomacisë, Vuk Jeremiq, as që kanë dashur të dëgjojnë për thirrjet e ndërkombëtarëve për tërheqjen e kësaj rezolute. Ndonëse mosmiratimi i saj në AP mund të ketë pasoja për Serbinë, zyrtarët serbë duken shumë të vendosur që t’i shkojnë deri në fund kësaj pune.

Me gjasë kjo mund të jetë edhe një lojë e dyfishtë e Beogradit.

Derisa në njërën anë liderët e Serbisë paraqiten kinse po i rezistojnë presioneve ndërkombëtare, në anën tjetër ata janë duke u munduar që të përfitojnë sa më shumë nga kjo situatë. Beogradi zyrtar ndoshta është duke pritur momentet e fundit për të parë se çka po i ofron bashkësia ndërkombëtare asaj në këmbim të tërheqjes së rezolutës. E nëse nuk i ofrohet asgjë, atëherë Serbia për “konsum” të brendshëm do ta vazhdojë “lojën” e
saj deri në fund, e cila me gjasë do të jetë e humbur.

Dhe në këtë situatë, siç po zhvillohen gjërat, diplomacia ndërkombëtare i ka në dispozicion vetëm edhe 7 ditë që të realizojë një nga tri alternativat. Që ta bindë Serbinë që ta tërheqë projektrezolutën, ose që eventualisht t’i ofrojë asaj diçka si “kompensim”- përshpejtimin e anëtarësimit në BE. Nëse Serbia nuk do ta pranojë as njërën e as tjetrën prej këtyre dy alternativave, atëherë shtetet që janë pro pavarësisë së Kosovës, e kanë menduar edhe alternativën e fundit. Ato duke mos i lënë asgjë rastit, u kanë bërë thirrje shumicës së shteteve të botës që ta kundërshtojnë projektrezolutën e Serbisë, në mënyrë që ajo të dështojë gjithsesi.

Sidoqoftë, në tërë këto zhvillime diplomacia kosovare ka qenë shumë pasive. Përpos disa takimeve dhe disa letrave që u kanë dërguar vendeve që nuk na kanë njohur, ku u bëhet thirrje që ta bëjnë një gjë të tillë, diplomacia kosovare nuk ka arritur të bëjë asgjë më shumë. Njohjet e paralajmëruara nga liderët e Kosovës menjëherë pas mendimit pozitiv të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, as pas një muaji e gjysmë nuk ndodhën.

Strategjia e shumëpërfolur e diplomacisë kosovare menjëherë pas GJND-së nuk u publikua asnjëherë. Politika kosovare edhe një herë dëshmoi se nuk është në gjendje të bëjë politika nacionale dhe strategjike.

Ajo vazhdon me politika “ad hoc”, të cilat po dëshmohen si të dështuara. E natyrisht, se me këto politika dhe pa ofensivën e fuqishme diplomatike të SHBA-ve dhe të shteteve të tjera mike, Kosova do ta kishte shumë të vështirë përballjen në Nju-Jork më 9 shtator. Falë atyre, Kosova mund të triumfojë edhe një herë!

Publikuar: 03.09.2010 | 00:40
Lexuar: 406 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime