E mėrkurė, 23.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Kuptimi eterik i LDK’së dhe sjellja e saj prej sateliti pritet të ndryshojnë me futjen e Rugovës së ri në këtë parti dhe me kandidimin për kryetar të Ministrit Bukoshi. Kjo ngjarje politike jo vetëm për LDK’në, mund ta trandë edhe partinë alkimiste të Dacit.
Trokitja e Ukės dhe guximi i Bukoshit







Bardh Frangu

Trokitja e Ukë Rugovës në dyert e LDK’së me të drejtë u bë ngjarje politike për Kosovën. Shikuar përtej konspiracioneve vulgare që karakterizojnë jetën tonë, vendosmëria e Ukës për t’u angazhuar në parti ka gjasa të mira që ta thyejë konceptin eterik të kësaj partie dhe të krijojë mundësi të re që ky subjekt politik të shohë se toka e Kosovës është më e madhe se ajo copë nën qiellin e Prishtinës me rrethinë. Trokitja tij, përkatësisht gishti i tij tregues drejt LDK’së, për dikë do të konsiderohet si therë, e cila do ta shpërthejë tullumbacen e quajtur LDK. Këtë gjë i pari do ta mësojë (ndoshta pa vullnet) Eqrem Kryeziu, i cili me gjuhën e tij prej ciniku kësaj partie i ka dhënë ngjyrime të dukshme tragjikomike.

Është e pritshme që pleqtë e LDK’së të mos dorëzohen lehtë. Ata sigurisht se nuk do ta ndjekin shembullin e mirë të Kolë Berishës, përkundrazi, do të vazhdojnë të qëndrojnë të strukturuar me logjikën tipike që karakterizon mediokrit, të cilët kanë një mision të vetëm: të pengojnë konkurrencën e vlerave ngado që shfaqen ato. Këtë më së miri e dëshmon shembulli i Isa Mustafës, i cili nuk është i gatshëm për ta lansuar kandidaturën për kryetar të partisë. Isa është i vetëdijshëm se nuk mund të përballet me këtë strukturë pleqsh, ndërsa nuk është nga ata që mund të krijojë edhe një prerje të vrazhdë në këtë parti. Nuk është i gatshëm të veprojë me logjikën alkimiste të Dacit. Isa është racional dhe si i tillë e ka të qartë se nuk mund ta shndërrojë në kapital partiak forcën e votës nga Prishtina. Po ndërsa Isa me forcën e tij politike ka luhatur ndjenjat etike (për aq sa u kanë mbetur) të atyre që vazhdojnë ta udhëheqin nga pozita këmbëkryq këtë parti, inkuadrimi i Ukë Rugovës do të jetë edhe një shtysë tjetër që në këtë parti të nisin ndryshimet e pritshme dhe të nevojshme.

Prania e Ukës në LDK është e mjaftueshme për ta rrënuar konceptin eterik të kësaj partie. Në fund të fundit, Uka mund t’iu thotë: “Mjaft më me frymën e Rugovës, sepse unë jam pasuesi i tij prej mishi e gjaku dhe si i tillë jam në tokë, jam në mesin tuaj”. Mjafton që këtë alibi t’ua heqësh nga dora pleqve të LDK’së dhe të shohësh sa të pafuqishëm bëhen kur nuk mund të shohin yje në mes të ditës.

Trokitja e Ukës në dyert e LDK’së, në një anë, dhe guximi i Bukoshit për t’u kandiduar për kryetar të kësaj partie, në anën tjetër, bëjnë dy momente të reja dhe shumë të rëndësishme për LDK’në. Kur kësaj i shtohet edhe fakti se Isa Mustafa, përfaqësuesi me peshën më të madhe të votës në këtë parti, do të jetë pjesa që përbën këtë trekëndësh, mund të themi lirshëm se vjeshta mund të jetë stina më e nxehtë për këtë parti të vakët.

Detyrohem t’i kthehem sërish fillimit. Nuk jam nga ata që besoj se zhurma mediale që është krijuar rreth angazhimit të Ukës të jetë e kurdisur nga qarqe që kanë për qëllim shkatërrimin e mëtejmë të kësaj partie, e cila edhe ashtu ndodhet në erozion të vazhdueshëm. Kështu mund të rezonojnë vetëm ata që duan ta ruajnë gjendjen e tashme në LDK, shkaku i privilegjeve të fituara nga qëndrimi pranë ish presidentit Rugova. Jo vetëm në interes të kësaj partie, por edhe në interes të Kosovës është që ajo të krijojë profilin e saj politik dhe të bëhet një subjekt konkurrues, gjë e cila i duhet shumë Kosovës në këtë fazë të demokracisë pluraliste.

Po të ishte një parti më normale, LDK’ja nuk do të lejonte të katandisej në këtë masë. Nuk do të lejonte të vazhdonte jetën si parti eterike, logjikë kjo e cila e ka bërë që të sillet edhe si satelit i PDK’së, përkundër që liderët e kësaj partie bashkëqeverisjen e shohin kinse si interes shtetëror të Kosovës. Kuptimi eterik i LDK’së dhe sjellja e saj prej sateliti pritet të ndryshojnë me futjen e Rugovës së Ri në këtë parti dhe me kandidimin për kryetar të Ministrit Bukoshi. Kjo ngjarje politike jo vetëm për LDK’në, mund ta trandë edhe partinë alkimiste të Dacit, përkatësisht anëtarësinë e saj. Mund të binden njerëzit se nga tullumbacet nuk mund të prodhohen anije kozmike. Edhe kjo është e mjaftueshme për fillim. Mjafton që Eqa ta kuptojë se Uka, pos që ka mbushur 18 vjet, me vete ka edhe 18 të tjerë nga fusha e politikës dhe biznesit, madje me një përvojë përfshirjeje në afera të ndryshme, gjë që për realitetin kosovar paradoksalisht e bënë më të pranueshëm. Nëse pleqtë e LDK’së nuk e përkëdhelin Ukën, ata nuk e kanë lehtë as ta grithin atë.

Sigurisht që Bukoshi do të jetë në një situatë më të vështirë. Ingranazhet e vjetra të kësaj partie do të provojnë ta dëmtojnë personalitetin e tij, duke punuar jo vetëm që të mos i kalojë kandidatura, por edhe të komprometohet si Ministër. Një gjë të tillë e paralajmëroi edhe Ramë Manaj. Por, ajo që e bën për ta çmuar guximin e Bukoshit është fakti se kandidimi i tij patjetër do të ndikojë në lëvizjen e strukturave të përgjumura të LDK’së.

Publikuar: 04.09.2010 | 18:03
Lexuar: 591 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime