Në vjeshtë hiqen vizat, jo më kufij për shqiptarët në mbarë Evropën.
Qeveria plotësoi me seriozitet të gjitha kushtet për të merituar heqjen e vizave me BE.

Në përputhje me premtimin e bërë, brenda kësaj vjeshte qytetarët shqiptarë do të fitojnë të drejtën për të lëvizur të lirë në mbarë Evropën. Kështu e ka komentuar Kryeministri Berisha pritjen e madhe të shqiptarëve për të lëvizur të lirë në hapësirën Shengen gjatë inaugurimit të rrugës Hoxharë-Darëzezë. Duke u ndalur tek liberalizimi i vizave, Kryeministri theksoi se plotësimi i të gjitha kushteve dhe kritereve të vendosura nga Bashkimi Evropian bën të mundur realizimin e ëndrrës së shqiptarëve për të lëvizur këtë vjeshtë të lirë në mbarë Evropën. "Të shumtë ishin ata që mendonin se ne nuk do të arrinim dot të plotësonim kërkesat, kushtet për të merituar lëvizjen e lirë në Evropë, por faktet janë të tjera, sot me reforma të thella ne ia dolëm që ju të keni në xhepin tuaj, pasaportat më të mira, më moderne në Evropë. Ne ia dolëm bashkërisht, që të vendosim në të katër anët e pikave të kalimit të kufirit sistemet më moderne të kontrollit dhe sigurisë. Ne ia dolëm me vendosmëri të madhe të realizojmë tregues kriminaliteti qartësisht më të ulët sesa mesatarja e vendeve anëtarë të Bashkimit Evropian. Ne ia dolëm pra, të plotësojmë një nga një kushtet dhe të meritojmë plotësisht që gjatë muajve që vijnë të lëvizim të lirë në mbarë Evropën njëlloj si qytetarët e saj", theksoi Berisha. Vetëm pak ditë më parë, Parlamenti Evropian i hapi rrugën zyrtarisht liberalizimit të vizave Shqipëri-BE. Komiteti për Çështjet e Brendshme në PE u njoh me një raport faktmbledhës të ekspertëve të KE lidhur me punën e bërë nga qeveria shqiptare për përmbushjen e kushteve të mbetura në kuadër të heqjes së vizave. Rezultatet e paraqitura nga misioni i KE kanë qenë tërësisht pozitive, duke konstatuar se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe se është gati për heqjen e vizave.
Mbi mesataren e BE për bizneset dhe internetin
Falë reformave të ndërmarra nga qeveria, vendi ka kaluar mesataren e disa vendeve të BE lidhur me lehtësirat që ofron për biznesin, por edhe për përdorimin e internetit apo fushën e teknologjisë. Berisha u shpreh se kjo është një meritë e jashtëzakonshme e qytetarëve shqiptarë, e djersës, e mundit të punës së tyre, kjo është një meritë e madhe e reformave të kësaj qeverie, e cila në një hark kohor të shkurtër më pak se pesëvjeçar ia doli të shënojë ndryshimet më të mëdha në infrastrukturë, në rrugë, në shkolla, në rroga, në pensione. "Këto ditë mediat njoftuan se Organizata Botërore e Telekomunikacionit klasifikoi Shqipërinë disa pikë më lart në internet në të gjitha shkollat se një pjesë e vendeve të zhvilluara anëtare të Bashkimit Evropian. Në rast se iu kujtohet ju, katër vite më parë, kur ne shpallëm se kompjuteri nuk do të jetë më mollë e ndaluar për fëmijët e Shqipërisë, pati nga ata që përqeshën dhe e konsideruan lajthitje një premtim ireal, sot është realitet, sot Shqipëria ka në çdo shkollë internet dhe qëndron disa pikë më lart se vende më të zhvilluara të Bashkimit Evropian", theksoi Berisha. Një tjetër dukuri të rrugës pozitive për ekonominë shqiptare Berisha ka cilësuar edhe klasifikimin e Shqipërisë 28 pikë mbi mesataren e vendeve të zhvilluara për lehtësinë e fillimit të biznesit. "Po gjatë kësaj vere agjencitë më serioze, Banka Botërore dhe agjencitë e tjera, klasifikuan Shqipërinë 28 pikë mbi mesataren e vendeve të zhvilluara për lehtësinë e fillimit të biznesit. Klasifikuan Shqipërinë disa pikë më lart sesa mesatarja e vendeve më të zhvilluara për investime, pra mundi dhe djersa juaj, reformat e qeverisë po e bëjnë çdo ditë dhe më shumë Darëzezën, Fierin, Shqipërinë një vend ku jetohet më mirë dhe do të jetohet gjithnjë e më mirë", u shpreh Berisha.