Të premten mbyllet konkursi për zgjedhjen e projektit më të mirë ideor për sheshin. Ndërsa, nga java e ardhshme sipas të parit të Çairit, Izet Mexhiti, pritet të realizohen debate publike për të hartuar një projekt sa më të mirë dhe sa më profesional
Aida XHONI
Komuna e Çairit synon të bëjë Sheshin Skënderbeu si kryesor në qytetin e Shkupit. Kjo do të mundësohet me projektin i cili së shpejti pritet të fillojë me realizim dhe që parasheh ndryshimin total të planit urbanistik te Sheshi Skënderbeu në Shkup.
Me këtë aktivitetet politike e kulturore po dhe tjera dalëngadalë do të transferohen në Sheshin Skënderbeu, kur mirëfilli dihet se në këtë anë jetojnë një pjesë e madhe e shqiptarëve si dhe artizanatet e shumta në Çarshinë e Vjetër. Siç bën të ditur njeriu i parë i Çairit, Izet Mexhiti, të premten mbyllet konkursi për zgjedhjen e projektit më të mirë ideor për sheshin.
Me rebalancin e buxhetit të Republikës së Maqedonisë janë ndarë 10 milionë denarë për projektimin e Sheshit Skënderbeu. Të premten më 3 shtator, edhe zyrtarisht mbyllet konkursi për zgjedhje të projektit më të përshtatshëm ideor. Ka mjaft arkitekt që janë të interesuar deri këto momente, ka sqaruar Mexhiti.
Ndërkohë, sipas tij, nga java e ardhshme pritet të realizohen debate publike për të hartuar një projekt sa më të mirë dhe sa më profesional.
Menjëherë pas përfundimit të konkursit dhe zgjedhjes së ofertuesit më të mirë, do të organizohen disa debate publike, në të cilat mund të kyçen arkitektë, por edhe qytetarë të ndryshëm të japin propozimet dhe kritikat të cilat gjithsesi se do të jenë të mirëpritura. Pas këtyre debateve do të merret një vendim përfundimtar dhe do të fillohet me punët ndërtimore, ka thënë më tej i pari i Çairit Mexhiti.
Sipas informatave të para, parashihet që parkingu momental të ndërtohet nën tokë, ndërsa sipërfaqja e sheshit do të jetë 5 mijë me 24 mijë metër katror, derisa Sheshi Makedonija, sa për ilustrim zë një sipërfaqe prej 17 mijë metro katrorë.
Parkingu që është mbi tokë, te Sheshi Skënderbeu te shtëpia e mallrave De Koka- Trade, do të duhet të hyjë nën tokë.
Ajo hapësirë do të lidhet me pjesën tjetër nga ana e Teatrit Popullor Maqedonas, këtu sërish do të mendojmë se a do të ndërtojmë mbikalim (urë) ose nivelin e rrugës do ta zbresim më poshtë. Sheshin Skënderbeu do ta shndërrojmë në sheshet më joshëse dhe më të madh në qytetin e Shkupit, ka thënë më tej Mexhiti. Me këtë madje sipas autoriteteve të Çairit synohet të kthehet imazhi i Çarshisë së Vjetër.
Komuna e Çairit si në vitet e kaluara edhe sivjet ka vendosur Çarshinë në prioritetet e saj, bën çmos që procesi i rivitalizimit të jetë sa më i shkurtër dhe sa më shpejt Çarshia të shndërrohet në pjesën më të frekuentuar të qytetit, ka thënë Mexhiti.
Aktualisht kjo vërehet edhe me frekuentimin e madh të qytetarëve që i bëjnë Çarshisë së Vjetër. Një qytetar thotë se duhet të kthehet imazhi i kësaj Çarshie, pasi që siç shton në gjitha shtetet perëndimore, pamjet e vjetra të qytetit janë më të frekuentuara, ndaj kjo duhet të ndodhë edhe me Çarshinë e Vjetër.
Në Shtëpinë e mallrave Ilinden që gjendet në Çarshinë e Vjetër, gjegjësisht përballë shtatores së Skënderbeut, janë disperzuar edhe pesë fakultete të Universitetit Shtetëror të Tetovës (USHT) edhe atë Fakulteti Ekonomik, Fakulteti Juridik, Fakulteti për gjermanishten dhe anglishten, Fakulteti i Gazetarisë dhe Fakulteti i Politikologjisë.
Debat publik rreth sheshit
Menjëherë pas përfundimit të konkursit dhe zgjedhjes së ofertuesit më të mirë, do të organizohen disa debate publike, në të cilat mund të kyçen arkitektë, por edhe qytetarë të ndryshëm të japin propozimet dhe kritikat të cilat gjithsesi se do të jenë të mirëpritura. Pas këtyre debateve do të merret një vendim përfundimtar dhe do të fillohet me punët ndërtimore, ka thënë më tej i pari i Çairit Mexhiti.