E mėrkurė, 23.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Çka po bëjmë kështu në Kosovë? Mbase, përgjigjen e dimë të gjithë. Po shumë prej nesh s’duam ta themi. Se jemi të zënë. Sepse kemi punë më të mençur. Sepse nuk besojmë që gjërat mund të ndryshojnë. Sepse mendojmë që nuk ka gjë prej nesh.
Interesi publik dhe shteti privat




Blerim Shala

Në shoqërinë kosovare, në politikën e vendit, në relacionet midis qytetarit dhe politikës, ende nuk është arritur të definohet në mënyrë të qartë territori kryekëput politik, dhe ai i cili, para së gjithash karakterizohet me interesin shtetëror, e ky interes, në këto vitet e para të ekzistimit të Republikës së Kosovës duket që në radhë të parë përkon me funksionimin e Rendit Kushtetues në gjithë Kosovën, në respektimin e Kushtetutës, në subordinimin ndaj rendit dhe ligjit.

Derisa kufijtë midis këtyre dy territoreve në ekzistimin e një shteti janë të përzierë, siç po ndodh me ne, në rastin e Kosovës, s’do mend që nuk është rendi i stabilizimit ligjor dhe politik të Kosovës.

Temat e këtij llojit të dytë, të interesit shtetëror, nuk adresohen dot me përplasjet e rëndomta dhe të përditshme në mes të qeverisë dhe opozitës, midis kësaj dhe asaj partie, këtij ose atij lideri politik. Këto tema tejkalojnë bindshëm kornizat e çdoditshmërisë politike dhe ato të cikleve zgjedhore disavjeçare, kur qytetari a votuesi me votën e tij gjykon qeverinë në fuqi, dhe përcakton se a janë partitë që kanë udhëhequr me shtetin të denja për të mbetur në krye të tij, apo duhet të ndodhë ndryshimi.

Janë këto tema që thërrasin, domosdoshmërisht, përfshirjen e qytetarit në trajtimin dhe zgjidhjen e tyre, sepse këto çështje nuk mbulohen dot as nga Qeveria dhe jo rrallë as nga Kuvendi.

Shkurt, janë këto tema të cilat bëjnë që politika t’i kthehet sovranit, qytetarit, atij që me vullnetin e tij e bën shtetin.

Këtu do të përmendim një shembull për të mirë, kur ka ardhur në shprehje vullneti i qytetarit për ta tëfilluar një lëmsh politik dhe ligjor që kërcënonte stabilitetin politik, si dhe marrëdhëniet e shoqërisë kosovare me EULEX-in, me Misionin e sundimit të ligjit.

Për Albin Kurtin është fjala. Rasti i liderit të Lëvizjes “Vetëvendosje” dhe i përtëritjes së procesit gjyqësor kundër tij, kësaj here nga ana e EULEX-it, bëri që të ndodhë një mobilizim i paparë i viteve të fundit, nga ana e Shoqërisë Civile, por mbi të gjitha, prej vetë qytetarëve të Kosovës, në përkrahjen e Kurtit, të raportit të tij ndaj drejtësisë së EULEX-it. Këtu nuk kishim të bëjmë me një konfrontim politik, apo me rreshtimin e qytetarëve dhe të shumë OJQ-ve kah Kurti, por me një përkushtim të qartë dhe të fuqishëm të qytetarëve të Kosovës në mbrojtje të të drejtës së Albin Kurtit që të mos gjykohet për një ngjarje të njohur (protestat e shkurtit të vitit 2007), e cila asnjëherë nuk u trajtua si duhet nga drejtësia.

Shoqëria kosovare vlerësoi dhe këtë e tha zëshëm, që këtu, në rastin Kurti, pra, po kalohet një vijë e kuqe në relacionet midis EULEX-it dhe shoqërisë kosovare.

Nëse shembulli i prijësit të Lëvizjes “Vetëvendosje” ka dëshmuar që pragu i tolerancës politike të kosovarëve njeh qartazi mekanizmin e shprehjes së pakënaqësisë, të reagimit dhe të veprimit, janë disa raste a shembuj të tjerë që kanë provuar të kundërtën, veçmas javëve dhe muajve të fundit.

Çfarë të thuhet, ta zëmë, për Rastin e Rahovecit, ku Kryeministri dhe Presidenti i vendit, Hashim Thaçi dhe Fatmir Sejdiu, me dy këmbë kanë shkelur Kushtetutën e Kosovës dhe Ligjet e vendit? Apo, si mund të komentohen proceset tepër të rëndësishme të privatizimit të PTK-së, kompanisë publike më fitimprurëse në vend, apo të hyrjes në fazën finale të seleksionimit të pretendentëve për të ndërtuar kapacitetet e reja energjetike në vend? Çfarë mund të flitet pastaj, për temën e Fatmir Sejdiu, Presidentit të Kosovës, i cili që nga qershori trajtohet në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, me dyshimin e ditur që ka shpërfillur keq mandatin e tij presidencial, duke mbajtur postin e Kryetarit të LDK-së?

Këto dhe disa çështje të tjera të kësaj natyre, në masë të madhe vlerësohen gabimisht si tema të rëndomta politike, ku vijnë në shprehje interesat e thjeshta politike të Qeverisë apo të opozitës, të PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe të ndonjë partie tjetër, ku fitimi dhe humbja shkojnë në llogaritë e këtij apo atij politikani, dhe ku qytetari i Kosovës nuk ka dhe nuk do të duhej të kishte farë interesi të vetin.

Partitë dhe liderët e tyre gjithsesi, sepse kjo është logjika politike, e shfrytëzojnë çdo rast dhe secilën temë të mundshme, për promovimin e agjendave dhe interesave të tyre. Këtu nuk ka gjë të keqe. Por, në këto raste që u përmendën më parë, e mbase ai më i freskëti është ky i Rahovecit, kemi të bëjmë me një raport themelor të qytetarit me shtetin, të qytetarit me Kushtetutën dhe Ligjin, e jo me një zënkë, kundërthënie a konfrontim politik midis partive kosovare. Kemi të bëjmë pra me interesin publik dhe shtetëror të qytetarëve të Kosovës që edhe në Rahovec, edhe në Prishtinë, edhe kudo në këtë Kosovën që nuk i ka as 11 mijë kilometra katrorë, të gjithë ne, pa marrë parasysh a jemi Presidentë, Kryeministra, politikanë, gazetarë, punëtorë krahu, profesorë universitarë apo vetëm qytetarë (në instancë të fundit, të gjithë ne jemi vetëm qytetarë), ta respektojmë Ligjin dhe Kushtetutën.

As më pak dhe as më shumë. Ky është ligji themelor në çdo shtet.

Në rastin e Rahovecit, të privatizimit të PTK-së, në këtë të Presidentit Sejdiu (në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës), nuk po përcaktohet dot fati i një Kryetari të Komunës, i një Presidenti të vendit, i menaxhmentit të një kompanie publike. Këtu po trajtohet fati i një Kushtetute dhe një Ligji, i një pasurie të krijuar me gjenerata të tëra (PTK). Këtu po përcaktohet, në fakt, fati i të gjithë neve, qytetarëve të Kosovës, madje, edhe i atyre që tek do të vijnë.

Çka po bëjmë kështu në Kosovë dhe me Kosovën?

Mbase, përgjigjen e dimë të gjithë. Po shumë prej nesh nuk duam ta themi. Se jemi të zënë. Sepse kemi punë më të mençur. Sepse nuk besojmë që gjërat mund të ndryshojnë dhe ta marrin të mbarën. Sepse mendojmë që nuk ka gjë prej nesh.

Nuk është ashtu. Edhe këtë e dimë kur qetësohemi dhe mendojmë kthjellët. Nuk është ashtu.

Publikuar: 06.09.2010 | 18:37
Lexuar: 621 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime