Në fakt, perceptime e pritshmëri jorealiste dhe të gabuara. Sepse shpëtimi mund të vijë vetëm nga ajo që shfaqet si burim zhgënjimi, pra nga kriza, në një kohë që e ashtuquajtura shpresë është e dënuar të pjellë, si për herë në këto 20 vjet, përsëri zhgënjim.
Andrea Stefani
Mos duhet të besojmë se një vit krizë politike dhe thuajse paralizë parlamentare qenka rrjedhojë e një keqkuptimi nga ana e klasës politike dhe se me tu kuptuar gabimi, gjendja do të ndryshojë? Është kjo pyetja retorike që mund të formulosh pasi je njohur me deklaratën ku Bamir Topi, Presidenti i Republikës, shprehu njëherazi edhe zhgënjim për legjislaturën e kaluar, por edhe shpresë për legjislaturën e re. Në fakt, perceptime e pritshmëri jorealiste dhe të gabuara. Sepse shpëtimi mund të vijë vetëm nga ajo që shfaqet si burim zhgënjimi, pra nga kriza, në një kohë që e ashtuquajtura shpresë është e dënuar të pjellë, si për herë në këto 20 vjet, përsëri zhgënjim.
* * *
Por le të nisim me zhgënjimin. Përse legjislatura e vitit të kaluar na paska qenë një zhgënjim si për Presidentin Topi, ashtu edhe për partnerët ndërkombëtarë? Mos vallë se ata kanë pasur iluzionin se me një Kryeministër autoritarist si Berisha mund të ketë jetë normale politike në Shqipëri? Me sa duket po. Por zhgënjimi në këtë rast u mbetet iluzionistëve. Në të kundërt, ata që kanë paralajmëruar se Berisha nuk do të heqë dorë nga objektivi për të sunduar me çdo kusht, duke u konfrontuar ashpër me opozitën politike dhe të gjithë ata që e kritikojnë, nuk janë të zhgënjyer. Sepse ka ndodhur, as më shumë dhe as më pak, por ajo që prisnin.
Nga njëra anë kemi pasur një Berishë që pasi ka manipuluar zgjedhjet, është vërsulur të kapë të gjitha institucionet e pavarura për të betonuar një pushtet gjithnjë e më të korruptuar, dhe nga ana tjetër një opozitë që pavarësisht disa të metave, nuk është përkulur, por i ka rezistuar me sukses në rritje intolerancës dhe agresionit berishist. Në këtë kuptim situata nuk është zhgënjyese dhe është pikërisht rezistenca e opozitës ajo që jep shpresë. Dhe kriza do të ishte zgjidhur me kohë pa rezistencën e opozitës. Por paqja që do pasonte do ishte maska e nënshtrimit, triumfi i manipulimit. Elektorati opozitar është i shqetësuar, por jo i zhgënjyer. Ai do të ishte i zhgënjyer sikur lidershipi opozitar të ishte përulur përpara presioneve të pushtetit dhe ca miqve të tij ndërkombëtarë, duke braktisur kauzën e transparencës në emër të gjoja stabilitetit të demokracisë parlamentare. Opozita nuk lejoi që kriza të mbyllet pa çrrënjosur të keqen, pra ashtu si operacioni i një të sëmuri pa shërim.
Të shpresosh për më shumë, sikundër duket se ka ndodhur me Topin dhe ndoshta me disa ndërkombëtarë, do të thotë të mos kesh mësuar asgjë nga e kaluara. Dhe e kaluara nuk është viti 2009. Politikisht viti 2009 është ende pjesë e së sotmes politike. E kaluara është gjithë tranzicioni shqiptar i mbytur në kriza e tragjedi. Dhe në secilën prej tyre, njëri nga polet i fiksuar dhe permanent i çdo krize ka qenë dhe mbetet politikani Sali Berisha. Dhe pas analizës së kësaj të kaluare, të mos dalësh në konkluzionin se me politikanë si Berisha dhe me shërbëtorë të tij mund të ketë vetëm kriza, është një miopi e pafalshme politike dhe fatale për fatet e vendit. Prandaj Presidentit Topi mund ti japim vetëm një porosi po me fjalët e Topit:
që ta ndërtojmë të ardhmen më mirë, është detyrim të analizojmë të kaluarën. E vërteta mbi të kaluarën qartëson natyrshëm edhe të tashmen. Plotësisht e vërtetë! E vërteta e së kaluarës së tranzicionit qartëson natyrshëm se përse me Berishën përsëri në pushtet, jemi përsëri në krizë.
* * *
Tani të kalojmë te besimi dhe shpresa. Pasi shpreh zhgënjim që politika shqiptare u tregua e paaftë të krijojë
një platformë të përbashkët dhe të qëndrueshme politike
për të krijuar një marrëveshje të gjerë politike mbi çështjet më jetike dhe problemet të cilat kapërcejnë kufirin e interesave të ngushta, ato partiake e të pushtetit
, Topi nuk ngurron të shprehë besimin dhe shpresën se një gjë e tillë mund të arrihet në legjislaturën që sapo ka nisur. Por si, me çfarë magjie do arrihet kjo, nuk e thotë. Deklarata e Presidentit vetëm nënkupton se për gjëra të tilla duhet konsensus. Por mos vallë Berisha nuk e dinte këtë dhe me ta mësuar nga Topi kriza do zgjidhet si me magji? Asgjë e këtillë nuk do të ndodhë. Problemi në Shqipëri nuk është paqartësia ideore e liderëve, por mungesa e dedikimit ndaj ideve dhe parimeve të demokracisë. E kemi thënë dhe do ta themi pa u lodhur, Berisha është një autokrat i vendosur. Ai nuk përpiqet për demokraci e për liri, por vetëm për sundim. Demokracia i duhet atij vetëm si mjet për të qëndruar pafundësisht në pushtet.
Si e tillë, i duhet e pervertuar vetëm si guaskë, por pa votë të lirë, pa drejtësi, pa liri. Teorikisht Berisha i di parimet e demokracisë, ndoshta edhe më mirë se Topi e shumë të tjerë. Në disa raste ai i ka kapur gafil edhe kundërshtarët e tij që kanë propozuar procedura jodemokratike. Por puna është se në praktikë Berisha është kundërshtar i vendosur i demokracisë liberale. Demokraci me fjalë dhe antidemokraci me vepra, kjo është ajo që e bën të rrezikshëm Berishën për demokracinë. Prandaj është iluzion të shpresosh se mund të ketë konsensus me Berishën. Si të gjithë autokratët, Berisha ofron vetëm një alternativë: nënshtrimin ndaj vullnetit të tij despotik. Të gjitha të këqijat që ndodhin në Shqipëri (edhe kriza që nuk po mbyllet dot) lidhen me këtë vullnet që këmbëngul i pakufizuar nga asnjë pushtet dhe nga asnjë ligj. Është një vullnet prej Fyhreri, që nëse nuk krasitet nga opozita dhe nga shteti ligjor, do bëhet pengesë e pakapërcyeshme për integrimin, por edhe burim mynxyrash të tjera për vendin. Provat janë pa fund. Topi vetë thotë se integrimi në BE kërkon një administratë publike të qëndrueshme, ..të reformuar sipas standardeve europiane, larg emërimeve partiake dhe presioneve politike, apo të frikësuar nga pushteti apo ndryshimi i tij.
A ka shqiptar që nuk e di se sot në Shqipëri administrata publike është çiflig i pushtetit dhe se nëpunësi publik është një çifçi që flaket nga puna nëse nuk voton për pushtetin e radhës, apo nuk i shërben korrupsionit të tij? Dhe kjo nuk ndodh pa vullnetin politik të lidershipit salinist. A mund të bëjë kushdo që aspiron Shqipërinë europiane konsensus me një qeverisje të tillë të dhunshme? Topi thotë me të drejtë se integrimi europian i Shqipërisë kërkon një pushtet gjyqësor të pavarur nga politika dhe tërësisht profesional, si dhe një drejtësi të qytetarëve dhe jo të shtetarëve. Por ai e di fare mirë se Berisha (i cili sapo ja ka hedhur poshtë disa kandidatura për Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese), ka bërë dhe do të bëjë gjithçka ti fusë njerëzit e tij në organet më të larta të gjyqësorit, që ta ketë gjyqësorin një vegël të tij kundër qytetarëve dhe opozitës. Topi thotë prapë me të drejtë se çështja e pronës, e kthimit dhe e kompensimit të saj mbetet themel i shtetit ligjor dhe gur prove për një demokraci, por në sajë të vullnetit prej despoti të Berishës, sapo është përfunduar një tjetër projektligj që e sikteris të drejtën e pronarëve për në kalendat greke. Nën komunizëm jo pak pronarë janë internuar fizikisht, sot në të ashtuquajturën demokraci berishiane është e drejta e tyre që internohen.
Madje juristë berishistë si Alibeaj, marrin edhe guximin ta izolojnë këtë të drejtë nga drejtësia europiane, nga Strasburgu, me ligje që skanë asgjë të përbashkët me të drejtën. Këto ligje janë telat e rinj me gjemba të izolimit që i ngrihen së drejtës së pronës së dhunuar për 45 vjet nga komunizmi nga qeveria demokratike. Të gjithë këta elementë dhe detyra thelbësore për integrimin e Shqipërisë në BE, dhe shumë të tjera, janë zgjidhur keq dhe në mënyrën më neokomuniste të mundshme nga pushteti berishist. Dhe si mund të shpresosh që ky pushtet dhe ky lidership të jenë premisë për konsensus demokratik? Prandaj larg hipokrizisë me konsensuse të pamundura, larg iluzioneve që sjellin zhgënjim miopësh, themi se sot situata politike ofron dy alternativa: Ose pushteti berishist do të mposhtet, ose opozita do të nënshtrohet. E para do qe një shpëtim për demokracinë liberale, ndërsa e dyta fundi i saj.