Sejdiu nuk la pa përmendur edhe në këtë ditë miqtë e Kosovës për ndihmën e tyre që i dhanë popullit tonë gjatë luftës, por edhe tani për ndihmën e tyre në forcimin e shtetit më të ri në Evropë.
Prishtinë. Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu uroi sot kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, me rastin e festës së Bajramit të Madh.
Në emrin tim dhe të popullit të Republikës së Kosovës ju shpreh urimet më të përzemërta me rastin e festës së Bajramit të Madh. Kjo ditë e shënuar e gjen vendin tonë të dashur, Republikën e Kosovës, me shumë arritje, për realizimin e të cilave kontributi i Bashkësisë Islame të Kosovës, dhe juaji personalisht, është i pamohueshëm, thuhet mes tjerash në telegramin e urimit të Presidentit Sejdiu.
Duke e vlerësuar lart rolin Tuaj dhe të Bashkësisë Islame në të gjitha proceset që ka kaluar vendi ynë, urojmë që paqja, dashuria dhe harmonia në mes qytetarëve të Kosovës dhe të botës mbarë të mbizotërojë përherë. Jam i bindur se edhe në të në ardhmen, Ju do ti shërbeni me vullnet të plotë, sikundër deri më tani, thellimit të harmonisë, tolerancës ndërfetare dhe mirëkuptimit në mes qytetarëve të Kosovës pas dallim etnie e besimi, u shpreh Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu.
Me këtë rasti, Presidenti Sejdiu uroi edhe të gjithë besimtarët myslimanë të Republikës së Kosovës, duke uruar për paqe, shëndet, begati dhe harmoni në familje.
"Dua tju shpreh urimet më të sinqerta me rastin e Festës së Bajramit të Madh, duke ju dëshiruar paqe, shëndet, begati dhe harmoni të plotë në familjet tuaja. Në këtë ditë kremteje, shprehim nderimin tonë për të gjithë ata besimtarë të devotshëm e të urtë, të cilët me agjërim kanë kaluar një muaj nën shenjën e adhurimit të Zotit, nën shenjën e mirësisë dhe të përulësisë, të sakrificës e të dashurisë për njëri-tjetrin dhe për njerëzimin mbarë", tha Presidenti Sejdiu.
Sejdiu nuk la pa përmendur edhe në këtë ditë miqtë e Kosovës për ndihmën e tyre që i dhanë popullit tonë gjatë luftës, por edhe tani për ndihmën e tyre në forcimin e shtetit më të ri në Evropë.
"Edhe sot, si gjithmonë, le të theksojmë fuqishëm falënderimin tonë të përhershëm për miqtë tanë, për miqtë e Kosovës, që na ndihmuan edhe në kohën e luftës sonë për liri e pavarësi dhe që po na ndihmojnë edhe sot në forcimin e shtetit tonë të pavarur e demokratik", u shpreh Sejdiu.
Mirëpo, Presidenti i Republikës së Kosovës, Famir Sejdiu, në telegramin e tij të urimit, nuk la pa përmendur edhe për ata që u flijuan për lirinë e popullit tonë.
"Po ashtu, nderim të veçantë shprehim edhe për të gjithë ata që shkrin vetveten e tyre për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, të cilët u sakrifikuan për një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët e vendit pa dallim. Kosova ka qenë gjithmonë një shembull i rrallë i bashkëjetesës, i tolerancës dhe i harmonisë në mes njerëzve të përkatësive të ndryshme etnike e fetare. Le të punojmë së bashku që ky mozaik i shkëlqyeshëm që na ka dhuruar Zoti të mbetet i tillë përherë", u shpreh për fund Presidenti i Republikës së Kosovës, Famir Sejdiu.