Myftiu Tërnava ka dhënë porosi për të gjithë besimtarët që sikurse që kanë kryer agjërimin si obligim ndaj Zotit, tani të vazhdojnë me vepra të mira, në mënyrë që Zoti të jetë i kënaqur më solidaritetin e treguar.
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e festës së Fitër-Bajramit, duke dhënë porosinë që sikurse gjatë muajit të agjërimit të vazhdohet edhe më tutje toleranca e dashuria ndërnjerëzore dhe humaniteti.
Në një mesazh drejtuar të mërkurën besimtarëve myslimanë me rastin e përfundimit të muajit të shenjtë të Ramazanit, myftiu Tërnava tha se festa e Fitër-Bajramit ngërthen në vete rikujtimin dhe përkushtimin ndaj Krijuesit të gjithësisë, të cilin besimtarët me të madhe e shprehen edhe gjatë muajit të agjërimit.
Kam kënaqësinë që në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, të institucioneve të saj dhe në emrin tim personal, ti përgëzojë të gjithë besimtarët për përmbushjen e njërit prej obligimeve kryesore të fesë islame, dhe tua urojë Fitër Bajramin, duke e lutur Allahun e madhërishëm që të na ketë pranuar agjërimin, lutjet, ibadetet dhe punët e mira që kemi bërë gjatë këtij muaji në shenjë respekti ndaj krijuesit Fuqiplotë, ka thënë ai.
Myftiu Tërnava ka dhënë porosi për të gjithë besimtarët që sikurse që kanë kryer agjërimin si obligim ndaj Zotit, tani të vazhdojnë me vepra të mira, në mënyrë që Zoti të jetë i kënaqur më solidaritetin e treguar.
Edhe në këtë rast, Tërnava ka shprehur mirënjohje për të gjithë ata që në një mënyrë a në një tjetër kanë dhënë kontributin e tyre për pavarësinë e Kosovës, përfshirë këtu edhe kontributin e miqve ndërkombëtar që po japin në realizimin e shtetësisë së Kosovës.
Jemi gjeneratë me fat që Zoti na zgjodhi të jemi dëshmitarë të ngjarjeve të rëndësishme për popullin tonë, si rënia e komunizmit, luftën për çlirimin e Kosovës, pavarësinë e saj, hyrjen e Shqipërisë në NATO, fitoren tonë në GJND dhe tani bashkërisht po ndërtojmë procesin për integrimin e vendeve tona në Bashkimin Evropian. Presim që edhe nesër në Asamblenë e OKB-së të dalim fitimtarë e Kosova përfundimisht të zërë vendin e saj në OKB, ka thënë Tërnava.
Ndër të tjera, myftiu Tërnava theksoi se Kurani mbështet konceptet e moralit, dashurisë e mëshirës, përkushtimit e sakrificës, tolerancës dhe paqes, andaj besimtari i pajisur me këto virtyte duhet të përhap dashuri, respekt, harmoni e kënaqësi te të gjithë njerëzit që janë të prirë të punojnë vepra të mira.
Duke u nisur nga parimet bazë të Islamit, Tërnava ka porositur disa herë të gjithë besimtarët që të shtrijnë dorën e ndihmës ndaj skamnorëve, jetimëve dhe të gjithë atyre që janë në nevojë. Dita e parë e festës së Fitër- Bajramit është të enjten më 9 shtator.