Paloma është në një fazë të rëndësishme të jetës së saj dhe po merret ekskluzivisht me veten. Përkrah punës në radio, po kryen një shkollë të dytë, atë për Marrëdhënie me Publikun në Universitetin Europian të Tiranës. Kjo është dhe arsyeja pse, siç thotë vetë Paloma, “nuk ka vend për një djalë në jetën e saj”.
Rudina Mneri (Paloma) ka vendosur ti jap fund thashethemeve në lidhje me jetën e saj private
Pasi kanë qarkulluar thashetheme rreth jetës së saj sentimentale, Rudina Mneri vendos të thyejë heshtjen dhe të flas. Ajo ka qenë një nga personazhet e paktë që nuk i ka mbajtur fshehur nga publiku lidhjet e dashurisë, kështu që ndihet e revoltuar sa herë që media sajon një të dashur për të. Aktualisht, Paloma është në një fazë të rëndësishme të jetës së saj dhe po merret ekskluzivisht me veten. Përkrah punës në radio, po kryen një shkollë të dytë, atë për Marrëdhënie me Publikun në Universitetin Europian të Tiranës. Kjo është dhe arsyeja pse, siç thotë vetë Paloma, “nuk ka vend për një djalë në jetën e saj”.
Përshëndetje Paloma! Pse nuk të kemi parë kohëte fundit në faqet e gazetave? Ka qenë një zgjedhja jote kjo periudhë heshtjeje?
- Kam zgjedhur vetë që të rri disi në prapavijë dhe është kjo arsyeja pse s`jam shfaqur shumë në media. Dua që njerëzit t`i marrë pak malli për mua!
-
Ndërkohë, me se je marrë?
- Kam filluar të investojë shumë në veten time, në të gjitha drejtime por mbi të gjitha, përsa i përket formimit tim intelektual. Po bëj një shkollë të dytë, sepse tani jam në një fazë shumë të rëndësishme të jetës sime dhe dua të investoj në formimin tim të mëtejshëm.
-
Për çfarë po e bën këtë shkollë të dytë?
- Studioj për Marrdhënie Publike në Universitetin Europian të Tiranës. Është një shkollë jashtëzakonisht shumë e mirë, ndër shkollat më të mirë private që ka Shqipëria sot. Kur futesh në ato ambiente është shumë e vështirë të dalësh. Aty të tërheqin që nga kafja, deri te bibliotekat dhe mësimdhënia tepër profesinonale e pedagogët e rinj por shumë të kualifikuar.
-
Cili është ndër ta, i preferuari yt?
- Janë të gjithë shumë të mirë, por do veçoja Henri Çilin. Është ai që më ka ftuar në atë shkollë, madje më ka siguruar dhe bursën për t`i vazhduar studimet aty pa pagesë. Për këtë e falenderoj! Henri më ka dhënë mësim në Universitetin e Tiranës, kur studioja për gazetari, madje e kam pasur pedagog udhëheqës për temën e diplomimit. Është një pedagog i kualifikuar dhe njëkohësisht, njeri shumë i dashur dhe me zemër të madhe. Do t`i jem borxhlie gjithë jetën, pasi më ka dhënë një mundësi të shkëlqyer duke më ofruar një shkollë të dytë.
I shlyen gjithmonë borxhet?
- Në momentin e parë që më jepet mundësia... Nëse një ditë do të kem ndonjë gjë në dorë, kush më ka ndihmuar do të jetë në plan të parë dhe me siguri, do t`ia shpërblejë në mënyrën time. S`thonë kot se “bota është portokall”... Kur të jem lart, do t`i shpërblej të gjithë ata që më kanë bërë ndere.
-
Pse s`thua që u dashka të të zhys në borxhe unë ty?
- (Qesh) S`do ishte keq për ty, më beso! Megjithatë, jemi njerëz që mirëkuptohemi dhe pikërisht kjo, na mban gjallë. Besimi, mirëbesimi te njëri-tjetri!
-
Fakti që je futur në një shkollë të dytë, tregon se ty të pëlqen jeta si studente?
- Nuk më pëlqen të ndahem nga jeta studentore, por nuk ka qenë kjo arsyeja kryesore pse unë hyrë në një shkollë të dytë... Meqënëse katër vitet e mia në Fakultetin e Gazetarisë ishin luks, sepse unë bëja një punë të dyfishtë, qoftë në radio, qoftë në televizion. Që prej moshës 13 vjeçe, unë nuk i isha ndarë punës në media, kurse tani kam më tepër kohë ndaj kam vendosur t`i kushtohem më tepër vetes, pse jo, edhe studimeve. Kërkoj diçka më tepër përsa i përket formimit tim intelektual dhe besoj se kam zgjedhur rrugën e duhur për ta realizuar këtë.
-
Sipas teje, është më e rëndësishme shkolla apo shkolla e jetës?
- Shiko, kanë të dyja rëndësinë e tyre... Nëse shkolla e jetës të ndihmon të bëhesh njeri, shkolla e vërtetë të ndihmon të formohesh profesionalisht, gjë që është po aq e rëndësishme. Të dyja janë kanë lidhje dhe nuk bëjnë dot pa njëra-tjetrën!
-
Ti ke një shkollë të rrallë të jetës, duke qenë se ke filluar të punosh që fëmijë. Të dalësh që 13 vjeçe në ekran, nuk është gjë e lehtë?
- Nuk u ndjerë herë pas here bosh, në aspektin profesional ndjeva nevojën për më tepër se sa thjesht ajo që kisha mësuar gjatë viteve të para të karrierës sime... Aldua më ka vënë vazhdimisht në disa pozicione, të cilat mua realisht më kanë bërë ta ndjejë atë boshllëkun, përsa i përket formimit tim intelektual. Arrita të ndërgjegjësohem me veten time për këtë dhe i thashë vetes: “Rudinë, ti je një personazh publik dhe ke shumë nevojë për të studiuar, pasi del përpara një publiku të gjerë, të cilit në njëfarë mënyre, i mëson diçka, i transmeton një mesazh. Nëse nuk e di as ti vetë mirë atë që po jep, atëherë si mund ta kuptoj publiku?”.
-
Kjo ishte arsyeja e vetme pse ti hyre në një shkollë të lartë?
- Kjo nuk është arsyeja e vetme që unë iu vura sërish studimeve... Është dhe fakti që, duke parë se të gjithë u janë vënë studimeve vëndçe (qesh) dhe secili po kërkon të perfeksionohet përsa u përket njohurimeve dhe edukimit profesional, edhe unë ndjeva se ajo që kisha përfituar nga studimet në Universitetin e Tiranës, nuk ishin të mjaftueshme. Gjatë studimeve në Universitetin Europian të Tiranës, kam përfituar shumë dhe kam rekuperuar shumë nga ato njohuritë që ndoshta kisha lënë rrugës.
-
Dhe shoh se të ka bërë punë ky investim te vetja, pasi po shoh një Rudinë krejt ndryshe. Më të pjekur, do thosha. Është bukur kur një femër çapkëne, rritet njëkohësisht si njeri dhe si profesioniste?
- Edhe këto të dyja, s`bëjnë dot pa njëra-tjetrën... Kur je e formuar dhe e rritur profesionalisht, nuk do kishte kuptim të mungonte dhe ajo gjallëria tipike. Një femre të zgjuar, i shkon çapkënllëku! Unë në jetën e përditshme, mbetem “crazy”. (Qesh) S`heq dorë as nga qejfi, vetëm se tani që jam dhe në shkollë, i kam programuar gjërat që të gjej kohë për të gjitha.
-
Cila është gjëja më “crazy” që ke bërë kohëve të fundit?
- Ja... Që kam harxhuar aq shumë lekë, sa nuk e kuptoj dhe vetë se sa shumë kam harxhuar. (Qesh) Por që , në momentet kur jam shumë e mërzitur, më pëlqen t`i përkushtohem kujdesit për veten, rrobave, makinës sime; të tilla gjëra, ma ngrenë humorin dhe më sjellin në formë.
-
Çfarë makine ke?
- Sapo kam blerë në fakt, një makinë të re, të bukur dhe shumë të drejtë. Është një “Cross-polo” e 2008-ës dhe jam shumë e kënaqur me të.
-
Edhe flokët, i paske të 2008-ës?
- I kam prerë pak me balluke, që të ngjaj një çikë më e re. (Qesh) Vitet po kalojnë dhe përpara pasqyrës sikur po më duket vetja e madhe.
-
Kompleksi tipik i femrave!
- Me thënë të drejtën, unë e kam pak kompleks moshën, sepse them: “O Zot i madh, kur do mund ta shijoj sërish jetën siç kam bërë deri më sot?”. Megjithatë, shpresoj që, nëse Zoti do më bëjë një dhuratë tjetër në jetë, le të jetë një familje ashtu siç e kam ëndërruar gjithmonë.
-
Ty të pëlqen të ndërtosh një familje?
- Patjetër! Për mua është shumë e rëndësishme të bëhem nënë, sepse i adhuroj fëmijët. Uroj të kem përkrah dhe njeriun e duhur, që të ndërtoj një familje si ajo që kam. Uroj të gjej njeriun e duhur për fëmijët dhe një bashkëshort që të më respektojë dhe kuptojë.
-
Kjo s`është në dorën tënde në fakt, pasi ta kanë gjetur tashmë bashkëshortin?
(Qesh) E di mirë se ku e ke fjalën! Epo, mediat janë më të sigurta se sa unë vetë, përsa i përket jetës sime intime. Më vjen jashtëzakonisht keq që keqinformojnë publikun, duke shpërndarë informacione të pasakta. Ndoshta kjo bëhet për të shitur gazetat, por kështu po e nxjerrin Palomën si femra që i pëlqen të ndërrojë meshkujt, kur unë nuk kam qenë asnjëherë e tillë. Përkundrazi, kam pasur një lidhje serioze e cila zgjati plot pesë vjetë. Lidhjen time atë kohë e kam deklaruar në media, s`e kam mbajtur fshehur dhe nuk e kuptoj pse mediat më lidhin me kë t`u teket atyre, në një kohë që unë po të kisha diçka për momentin, s`do ta kisha pasur problem ta bëja publike. S`kam të tilla komplekse!
Dhe këto kohë konkretisht je përfolur se ke një lidhje me djalin e rexhep Mejdanit.
- Po, është e vërtetë. Lidhja që kanë hamendësuar nëpër gazeta, është ajo me djalin e Rexhep Mejdanit, Denionin, të cilin e kam shumë miq dhe më vjen keq që e fusin dhe atë në këtë valle. Madje më tepër keq më vjen pikërisht për njerëzit që më rrinë pranë, si Denioni apo familja ime, se vetë jam mësuar me këto gjëra. S`më vjen mirë kur të mitë lexojnë gjithfarë shpifjesh në shtyp!
-
Pra, me Denionin jeni thjesht miq?
- Sigurisht! Ai është një djalë jashtëzakonisht i zgjuar dhe me zemër të mirë.
-
Fotoja që juaj që ka dalë në shtyp, krijon keqkuptime në fakt?
- E pse?! Ne jemi thjesht dy miq duke kërcyer, asgjë më tepër. Unë Denion Mejdanin e kam si vëlla. Ndonëse kemi fare pak kohë që jemi njohur, unë e vlerësoj si njeri dhe e cilësoj si një nga miqtë e mi më të mirë. Dua ta sqaroj përfundimisht, se mes ne të dyve nuk ekziston absolutisht asnjë lloj tjetër raporti, përveç miqësisë së pastër.
-
Po përsa i përket pronarit të një diskoje në Vlorë, çfarë mund të na thuash? Kanë dalë thashetheme se ke edhe me të një lidhje të mundshme.
- E vërteta është se unë kam punuar në një disko verore në Vlorë, për rreth tre javë. Radioja ime lidhi një kontratë dhe atje kam bërë rolin e një “Voice joker”-i. Unë atje lidha miqësi me komplet stafin dhe jo vetëm me pronarin, kështu që më duken të tepërta thashethemet. Ajo disko ka disa pronarë, por unë nuk kam absolutisht lidhje me asnjërin prej tyre. Ju siguroj se në jetën time nuk ekziston askush!
-
Ke qenë vetëm gjatë gjithë kësaj kohe?
- Që të jem e sinqertë, pas ndarjes kam dalë me një djalë por kjo lidhje nuk funksionoi, kështu që... Ishte një djalë shumë i mirë, që e respektoja dhe më respektonte, por ja që gjërat nuk ecën.
-
Ndihesh keq që je vetëm apo ke zgjedhur vetë të jesh singëll?
- Kështu kam dashur vetë, të them të drejtën, sepse siç ju thashë dhe pak më sipër, po kaloj një fazë tranzicioni në jetën time dhe më pëlqen të jem vetëm. Dua t`i përkushtohem krejtësisht vetes, gjë që nuk e bën dot kur je dyshe. Kam shkollën, kam punë dhe për momentin, në jetën time s`ka vend për një lidhje. Ndoshta vitin tjetër mund të fillojë të mendoj për diçka konkrete, ndonëse jetës asnjëherë nuk i dihet. Më vjen keq që herë pas here më dalin thashetheme të tilla për jetën private.
-
Gazeta jonë ka shumë lexues, kështu që do mund t`i përgënjeshtrosh këto zëra?
- Ndaj dhe unë zgjodha ta bëj këtë intervistë me gazetën tuaj prestigjoze. (Buzëqesh)
-
Dikush thjesht do kishte qeshur me këto shpifje, ti pse i merr aq seriozisht?
- Se unë jetoj ende në një familje që në këtë drejtim, ka mendime konservatore. Ata nuk ndihem mirë kur dëgjojnë të pathëna dhe të pabëra nga unë, sepse më kanë rritur me shumë përkujdesje dhe më kanë mbështetur në çdo hap. Të mitë dinë çdo detaj të jetës sime, që kur kam qenë adoleshente e deri tani që jam e rritur. Shqetësimi i tyre më i madh ishte kur unë vendosa që 13 vjeçe të merresha me median, pasi dëshira e tyre ishte që të bëja diçka tjetër në jetë. Por kur e kuptuan sa e doja këtë profesion nuk kundërshtuan më, por e respektuan zgjedhjen time. Kemi pasur gjithmonë një marrëdhënie të mira, madje mamin e marr ndonjëherë me vete kur dal me shoqet e mia (qesh), se jemi si mikesha bashkë.
Gentian Minga