E martë, 30.09.2014
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Fytyra apo fasada e një objekti për shumëkënd duket të jetë një nga elementet më të rëndësishme dhe kjo jo vetëm për njerëzit që profesionalisht adresojnë këto problematika dhe zhvillime, por edhe për njerëzit e rëndomtë.
Zhveshja prishtinase





Eliza Hoxha

Fytyra apo fasada e një objekti për shumëkënd duket të jetë një nga elementet më të rëndësishme dhe kjo jo vetëm për njerëzit që profesionalisht adresojnë këto problematika dhe zhvillime, por edhe për njerëzit e rëndomtë. Shpeshherë na ka rastisur që dikush të përshkruajë një ndërtesë të bukur dhe impresionuese të një qyteti duke iu referuar pikërisht fasadës së tij. Kjo na bën të kuptojmë se roli i fasadës së një objekti është përtej veshjes së tij si domosdoshmëri, duke qenë kështu një nga copëzat që e formojnë tërësinë e fytyrës së një qyteti përmes të cilave ai reprezentohet në momente të ndryshme në kohë dhe në hapësirë. Një qasje e tillë do të na reflektonte një mjedis të shumëllojshmërive të shtresuara dhe të bashkëdyzuara midis të vjetrës dhe të resë, e cila do të jetësonte urbanitetin në kuptimin e plotë të fjalës.

“Prishtina fashion”

Veshja e objektit, apo fasada e tij, si një element që determinon brendësinë e tij dhe e mbron atë nga kushtet e jashtme, në Prishtinë mund të analizohet edhe përballë veshjes së njerëzve në aspektin e funksionit, si element i personalitetit dhe kontekstit ku ata frekuentojnë apo vendndodhen. Shënjuesit e lëvizshëm (njerëzit) dhe ata statikë (objektet) në panoramën prishtinase sot i përcjell dhe i identifikon fenomeni i zhveshjes. Zhveshja fizike, zhveshja nga vlerat e trashëguara dhe të krijuara ndër vite, zhveshja kulturore e çka jo tjetër janë peizazhi aktual social, politik dhe fizik prishtinas. Kjo është moda aktuale e kryeqendrës së Kosovës, e cila në mohim të çdo vlere të trashëguar qytetarie ndër vite ka humbur rrugën e saj duke shkuar kah akulturimi total i saj si mjedis dhe mendësi kolektive. Në këtë zhveshje kolektive prishtinase vjen në shprehje sërish “fasada” si elementi i vetëm që po e grimon, maskon dhe disi po e mbështjellë zbrazëtinë dhe varfërinë tonë intelektuale në të gjitha dimensionet e jetës në qytet.

“Grand rainbow”

Gjithçka që aludohej të jetë zhvillim dhe prosperim i viteve ‘70-‘80 në Prishtinë, sot ballafaqohet me procesin e mohimit. Shenjuesit që e shënuan Prishtinën e bërë kryeqytet dikur, në të gjitha panoramat dhe udhëpërshkrimet për të, sot o nuk janë më, pasi janë djegur ose rrënuar, o janë në procesin e shpërfytyrimit apo zhveshjes për veshjen e radhës. Objekti i Bankës Ekonomike të Kosovës (tani - Qeveria e Kosovës), Eximkos (tani- ProCredit bank), hotel Iliria, Rilindja (tani - Qeveria e Kosovës) dhe Hoteli Grand janë vetëm disa nga shumë rastet për t’u përmendur . Të gjitha këto ndryshuan pamje, fytyrë apo veshje pa pasur fare respekt as për veten e tyre e as për kontekstin apo rrethinën ku ata përkasin duke qenë shënjues të memories kolektive të këtij qyteti.

Përderisa qytetet e tjera e ushqejnë historinë e tyre duke i ruajtur dhe konservuar objektet që shënuan atë, duke i përparuar ato me funksione të reja për t’i bërë të përdorshme edhe për nevojat e sotme, ne vazhdimisht i mohojmë ato. Përderisa të tjerët konservimin historik të qyteteve apo reperëve të kujtesës së tyre kolektive e shikojnë si nevojë psikologjike, ne këto procese i ulim gjithherë në rrafshin sentimental, i cili sërish na çon në mohim. Arkitekti Daniel Libeskind nevojën për t’u hapur nga e ardhmja e mbështet në nevojën për t’i rezistuar shlyerjes së historisë dhe nevojën për t’iu përgjigjur historisë.

Kjo na bën të kuptojmë se ajo çfarë po bëjmë ne është pikërisht zhveshja e këtij qyteti nga historia e zhvillimit të tij, çfarëdo të ketë qenë ajo, sado e dhimbshme, e trishtueshme, jashtë shijes sonë dhe dëshirave tona për të. Ideja dhe mundësia që sot mund ta bëjmë qytetin tonë bazuar në dëshirat dhe shijen tonë, nuk nënkupton lirinë e zhbërjes dhe shlyerjes së veprave dhe zhveshjes së tyre, por krijon hapësirë për ne për t’iu dhënë këtyre objekteve përgjigje të reja që ato t’i shërbejnë më dinjitet qytetit dhe njeriut të sotëm. Rasti i Hotelit Grand vetëm sa po e dëshmon edhe një herë se sa të patakt dhe mohues jemi ndaj një ikone që shënonte panoramat kryesore prishtinase. Veç emri i tij na rrëfen historinë dhe rëndësinë e tij si pjesëtar i rëndësishëm i mozaikut të këtij qyteti, duke qenë hoteli më i madh apo “grand” dhe i vetmi me pesë yje në Prishtinë dikur dhe duke shkëlqyer në peizazhin prishtinas si objekt i mbështjellë me mermer apo që ndryshe e quajnë gurë shkëlqyes, vezullues apo ndriçues.

Ky shkëlqim i Grandit u venit e u zbeh shumë pas lufte, duke qenë i gjithkujt e i askujt për një kohë të gjatë deri në privatizimin e tij. Dhe, tash sa kohë, edhe pse i privatizuar, ai nuk u përparua aspak për nga funksioni, shërbimet dhe oferta e tij 5-yjëshe nuk u begatua. Ajo u la në harresë deri në një pikë kur ideja e përparimit të tij dhe investimeve për të nga shumëkush u nënkuptua jo me përmbajtjen, vlerën e tij si shënjues i këtij qytetit, pozicionin dhe imazhin e tij, por me ndërrimin e fytyrës së tij. Nga një material i qëndrueshëm e natyror (mermeri), i cili e reprezentonte me dinjitet përmbajtjen e tij të brendshme, luksin dhe komoditetin e shërbimeve 5-yjëshe që i kishte dikur, sot ai po mbështillet me panelet e aluminit “Trespa”, për të reflektuar çfarë? Për të shënjuar çfarë? Për të përparuar çfarë? Për t’u identifikuar me çfarë?

Sot të gjithë ende e keni mundësinë ta shikoni dhe ta krahasoni se cila veshje i shkon më shumë Grandit: veshja e tij e dikurshme e pastër dhe vezulluese apo zhveshja e tij e re e mërrolur shumëngjyrëshe. Ju pëlqeu apo jo, asgjë nuk do të mund ta ndryshojë faktin që njerëzit edhe për kohë të gjatë do të orientohen në Prishtinë përmes tij. Dhe, një ditë pas shiu, kur Ylberi Grand do të shfaqet tërësisht në siluetën e Prishtinës, do ta kuptojmë se ai nuk është më një hije e bukur shumëngjyrëshe që vezullon në peizazhin e tij me diellin e ditës pas shiu, por një hije e rëndë për të qëndruar dhe reflektuar qytetin në diell e në shi deri në modën e radhës, për zhveshjen e radhës.

Publikuar: 14.09.2010 | 02:35
Lexuar: 1216 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime