Ministri Jakupi potencoi se punëtoria është një etap drejt përgatitjeve për fillimin e negociatave për kapitullin 27 që ka të bëjë me mjedisin jetësor.
Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Nexhati Jakupi sot e hapi punëtorinë me temë "Përgatitjet e MMJPH-së për inkuadrim në BE", që realizohet në kuadër të projektit "Përkrahje për anëtarësim në BE nga sfera e mjedisit jetësor".
Ministri Jakupi potencoi se punëtoria është një etap drejt përgatitjeve për fillimin e negociatave për kapitullin 27 që ka të bëjë me mjedisin jetësor.
"Kapitulli 27 për mjedis jetësor është një nga kapitujt më të kompleksuar i cili kërkon angazhime të fuqishme për koordinim dhe përgjegjësi të mëdha të cilat njëkohësisht janë kahëzuar drejt sigurisë së zhvillimit të qëndrueshëm të vendit. MMJPH-ja është përgjegjëse për këtë kapitull dhe e koordinon tërë procesin e harmonizimit të legjislativës dhe implementimit të saj", theksoi Jakupi dhe shtoi se për momentin MMJPH-ja e zbaton skriningun e pestë në kapitullin 27.
Ai përkujtoi se deri më tani janë marrë të gjitha vendimet në të cilat implementohen direktivat e BE-së. "Me vendosjen e ligjit për menaxhimin me bateri, akumulatorë dhe bateri hedhëse, i cili është në procedurë parlamentare dhe me vendosjen e Ligjit për menaxhimin me hedhurinën nga pajisja elektrike dhe elektronike, i cili është planifikuar për vitin 2011, do ta kompletojmë legjislativën në të gjitha sferat e mjedisit jetësor", tha Jakupi.
Sipas tij, punëtoria paraqet mundësi për këmbimin e përvojave dhe praktikave mes Maqedonisë dhe vendeve-anëtare të BE-së, Suedisë dhe Lituanisë.
Ministri i mëparshëm i Mjedisit Jetësor nga Lituania, Arunas Kundrotas e transmetoi përvojën nga shteti i tij dhe informon se për to direktiva më e shtrenjtë për zbatimin ishte trajtimi i ujërave komunale.
Punëtoria është organizuar në bashkëpunim me Agjencinë Suedeze për Mbrojtjen e Mjedisit Jetësor (SEPA).