Turistët në Afganistan, ka disa vjet që konsiderohen si një ngjarje "ekzotike", por rezidentët e një lugine të paqme në zemër të vendit, shpresojnë të ringjallin serinë e turneve të vizitorëve, e cila shihet si një shpresë për daljen nga varfëria.
Emma Graham-Harrison
Vetëm turistët më budallenj, më të çmendur do të shkonin në Afganistan në këto kohë. Lajmet për sulme vetëvrasëse, pengmarrjet dhe rishfaqjet e Talebanëve kanë eklipsuar dëshirën e shumicës, por udhëtuesit më të patrembur, që kërkojnë panoramat e mahnitshme dhe thesaret arkeologjike, vijnë këtu çdo vit.
Turistët në Afganistan, ka disa vjet që konsiderohen si një ngjarje "ekzotike", por rezidentët e një lugine të paqme në zemër të vendit, shpresojnë të ringjallin serinë e turneve të vizitorëve, e cila shihet si një shpresë për daljen nga varfëria.
Toka e varfër dhe klima e ashpër e luginës së Bamijanit nuk e bëjnë atë më të preferuarën e fermerëve, por në shumë vende të tjera, thesaret natyrale dhe historike të saj do të lejonin që vendasit të jetonin vetëm duke u kujdesur për vizitorët.
Zona krenohet me një skenë spektakolare dhe një koleksion të pamasë të rrënojave të trashëgimisë kulturore, duke përfshirë mbetje të Buda-ve gjigande, të hedhura në erë nga talebanët në 2001-shin, dhe një kaskadë unike liqenesh që muajin e kaluar u bënë parku i parë kombëtar i Afganistanit.
"Bamijani është vend shumë i famshëm",- Najibullah Ahrai, drejtor për informacionin dhe kulturën i provincës.
"Këto janë asete jetësore për banorët lokalë".
Dekadat e luftës dhe shkatërrimit, të shkaktuara nga talebanët kur morën kontrollin e zonës pas një rezistence të ashpër, kanë bërë që qyteti të mbetet në rrënoja dhe lehtësirat turistike të jenë shumë modeste.
Për momentin, ka vetëm dy hotele të nivelit mesatar në zonë, një prej të cilëve drejtohet nga një gazetar japonez që erdhi në Afganistan në 1990-ën.
Rruga e dheut vazhdon për më pak se 200 kilometra nga Kabuli, një odise e lodhshme 9-orëshe, pasi ajri me pluhur nuk lejon uljen e aeroplanëve komercialë.
Disa nga vendet historike akoma i mirëpresin vizitorët me tabela paralajmëruese për minat, dhe si për të vërtetuar këtë shohim rruginat e shënuara me gurët e bardhë e të kuq të skuadrave çminuese, por në fund të dekadës pritet që rrugët kryesore të jenë të sigurta.
"Kemi një vend historik që do të tërhiqte shumë turistë në Bamijan, por elementi ynë i dobët është informacioni dhe shërbimet",- tha për Rojters Amir Foladi, drejtor i Programit të Ekoturizmit për Bamijanin.
ASPHALT ROAD TO DEVELOPMENT
Një numër gjithnjë e në rritje organizatash të huaja po ndihmojnë banorët lokalë për hartimin e një strategjie të turizmit në zonat me vlera natyrale. Zelanda e Re ka dhënë 1.2 milionë dollarë për projektin e Foladi-t, i cili do të zgjasë tre vjet.
Kjo sipërmarrje ambicioze do të përpiqet të financojë shtëpi pritjeje përreth provincës, trajnimin e stafit të tyre, ngritjen e një shërbimi guidash turistike, hartimin e fletëpalosjeve informative dhe tërheqjen e turistëve në evente lokale si, festivali i vitit të ri persian.
Puna ka filluar për ndërtimin e rrugës së asfaltuar dhe në banorët e Bamijanit shihen shpresa të mëdha se afganët e klasës së mesme të kryeqytetit që kërkojnë të largojnë nga pluhuri dhe rrugët e mbipopulluara, do të jenë vizitorët e parë që do të nxisin fillimet e turizmit në këtë zonë.
"Kur rruga të jetë shtruar, kjo do të sjellë shumë turistë afganë, dhe kjo do të jetë e mjaftueshme deri sa situata e sigurisë të përmirësohet",- tha Foladi.
Përpara luftës, kjo zonë tërhiqte rreth 60 000 turistë, madje edhe në 2005-ën, kur situata u përmirësua pak, këtu vinin gjysma e kësaj shifre, tha ai.
Edhe tani, disa turistë të guximshëm kanë arritur në Afganistan dhe po shijojnë vlerat e tij.
"Më pëlqen shumë të shkoj në vende që janë paksa ndryshe",- thotë mësuesi britanik Toby Waterson, i cili ka ardhur të vizitojë një mikun e tij që punon në misionin e Kombeve të Bashkuara, por që përfundoi duke vizituar Veriun e vendit, që relativisht është zonë e sigurt.
Ai e donte aq shumë vendin, saqë e shtyu për disa ditë nisjen e tij që të shikonte sa më shumë, por e pranonte se të shkosh për pushime në kufirin e zonës së luftës, nuk mund ta bëjë gjithkush.
"Do të ishte budallallëk të vije këtu pa njohur njeri, pasi ti hyn përnjëherë në "flluskën" e Kabulit, por gjithashtu po mësoj pak edhe nga gjuha",- shtoi ai.
Si një vend ku zyrtarët dhe diplomatët lëvizin me makina të blinduara, të tërheqësh më shumë turistë se ato të rrallët e aventurës, do të thoshte të vije bast për paqen. Me rritjen e militantizmit taleban, ky do të ishte një bixhoz i rrezikshëm.
Por ekspertë të kulturës dhe zhvillimit që po përpiqen të mbledhin copat e Bamijanit, thonë se është vitale të ofrohet një alternativë ndaj varfërisë, që ka qenë mjeti kryesor i rekrutimit nga grupet militante, si dhe të tregojë se është paqja ajo që sjell të mirët ekonomike.
"Ne nuk do t"i humbasim shpresat tona, shumë projekte të tjera po zhvillohen në këto momente, dhe ju nuk mund të rrini duarkryq vetëm sepse keni frikë",- tha Foladi.