E enjte, 24.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Tradita e shkurtër demokratike e Maqedonisë dëshmon për kontroverset që e kanë ndjekur çështjen e regjistrimit dhe për mosmarrëveshje të theksuara mes dy grupeve më të mëdha etnike në raport me proceset e regjistrimit të mbajtura para vitit 2001.
Sa jemi?




Ermira MEHMETI

Pyetja “Sa jemi?” është pyetje që në kontinuitet dominon debatin politik, ekonomik e social të Maqedonisë që nga pavarësimi e deri më sot. Natyrisht, ky debat do të konsiderohej krejtësisht i panevojshëm sikur Maqedonia të ishte një shtet me një traditë të gjatë demokratike, me institucione funksionale e realisht të pavarura nga vullneti politik i elitave në pushtet. Ky debat do të ishte poashtu i panevojshëm po qe se Maqedonia do të ishte një shtet plotësisht homogjen për nga përbërja etnike, gjuhësore e fetare e saj dhe po qe se do të ishte ndërtuar si një shtet tipik nacional, ku një komb i vetëm përbën gjithë territorin brenda kufijve të shtetit. Por, meqenëse Maqedonia është një shtet me një traditë mjaft të shkurtër demokratike dhe për më shumë, është shtet shumë heterogjen për nga përbërja etnike, gjuhësore e fetare, debati mbi pyetjen “Sa jemi?” do të vazhdojë të jetë në qendrën e vëmendjes sonë politike edhe për një kohë të gjatë.

Studiuesit me të drejtë e parashtrojnë pyetjen nëse demokracia vërtetë është e mundur në shtetet me diversitet kulturor, gjuhësor, etnik e fetar. Demokracia është definuar si pushtet i shumicës, por kush është shumica nëpër shtetet me më shumë se një komunitet etnik? Është pikërisht kjo dilemë themelore e rregullimit demokratik që e sjell çështjen e regjistrimit në qendër të debatit. Sepse, pyetja “sa jemi?” është në varshmëri të drejtpërdrejtë me pyetjen “kush jemi?” në kontekst të definimit të shtetit, të organizimit të tij, dhe në mënyrë të veçantë, në kontekst të ndarjes së pushtetit.

Mendimtarët klasikë të demokracisë liberale shumë seriozisht e kanë sfiduar idenë e funksionimit të insistucioneve demokratike në shtetet diverse. Xhon Stjuat Milli për shembull, pohonte se “institucionet e lira janë gati se të pamundura në një shtet të përbërë nga më shumë nacionalitete.” Në shek.XX, kjo ide duket se gjeti bazën e vet të argumentimit, sidomos me shpërthimin e valës së re të nacionalizmit në shtetet në të cilat po rrënohej regjimi komunist dhe shumë studiues mbronin tezën se po qe se një kulturë dhe një shtet që në masë të madhe e mbështet po atë kulturë nuk bashkëjetojnë, arti i ndërtimit të demokracisë do të jetë në mënyrë substanciale më i vështirë se sa sikur të bashkëjetonin (Gellner).

E megjithatë, koncepti i demokracisë liberale pas Luftës së Dytë Botërore dhe sidomos në përfundim të shek. XX sikur fitoi një formë të re. Ideja e sundimit të shumicës u ballafaqua me nevojën thelbësore për zgjerim të definicionit mbi shumicën. Në kërkim të përgjigjeve dhe për të akomoduar kërkesat që dolën në sipërfaqe kur migracioni dhe lëvizja e lirë e njerëzve ndikuan në realitetet demografike të shteteve. Si përgjigje, ideja për individin u zëvendësua nga ideja për kolektivin dhe prej këtu, përpjekjet për rregullimin e të drejtave kolektive si mënyrë për të akomoduar popujt joshumicë në shtetet diverse u bë çështje esenciale. Parimi i inkluzivitetit mori një domethënie të veçantë në ndërtimin e demokracive moderne dhe pikërisht këtë po e shohim në shtetin tonë. Mekanizmat demokratikë në shtetet multietnike fituan një pamje specifike për shkak se burrështetasit u nisën nga një parim bazë që jeta e njeriut është e pacenueshme, që dallimet duhet respektuar dhe jo përjashtuar, që diversitetet janë pasuri dhe jo handikap i shoqërive të përparuara.
Prej këtu, është e qartë përse çështja e regjistrimit në shtetet multietnike ka një peshë të veçantë politike. Numrat në shtetet si Maqedonia janë treguesi themelor për atë se i kujt është shteti. Prandaj, nuk është e mundur që regjistrimi të shihet dhe trajtohet si një çështje thjesht teknike e evidentimit të banorëve e amvisërive.

Tradita e shkurtër demokratike e Maqedonisë dëshmon për kontroverset që e kanë ndjekur çështjen e regjistrimit dhe për mosmarrëveshje të theksuara mes dy grupeve më të mëdha etnike në raport me proceset e regjistrimit të mbajtura para vitit 2001. Regjistrimin e parë në vitin 1991 shqiptarët e bojkotuan pas apelit të klasës politike shqiptare asokohe. Arsyeja për këtë bojkot ishte pikërisht gjuha në të cilën duhej realizuar regjistrimi. Me kërkesë të komunitetit ndërkombëtar, në vitin 1994 u bë propozim për përsëritje të bojkotit, dhe këtë propozim e kishte kundërshtuar pikërisht VMRO-DPMNE, duke arsyetuar se nuk ka fare nevojë për regjistrim të ri dhe se qëllimi i vetëm i partive shqiptare kishte qenë destabilizimi i Maqedonisë (Maleska). Me shpërthimin e konfliktit në vitin 2001, Grupi Ndërkombëtar i Krizave, në raportin e publikuar lidhur me kërkesat e shqiptarëve në Maqedoni, rekomandonte mes tjerash se “regjistrimi duhet të realizohet me ndihmë ndërkombëtare, për të përcaktuar realitetin demografik sa më sakt që është e mundur.”

Me arritjen e Marrëveshjes së Ohrit, çështja e përfaqësimit procentual në shtet fitoi një domethënie edhe më të madhe. Të gjitha dispozitat më të rëndësishme të këtij dokumenti janë drejtpërsëdrejti të varura nga rezultati i regjistrimit. Prandaj, procesi i regjistrimit në Maqedoni ka rëndësi të jashtëzakonshme për vendosjen dhe ruajtjen e balancit etnik në vend dhe jorastësisht komuniteti ndërkombëtar çështjen e regjistrimit e ka vendosur pikërisht në masat për ndërtim të mirëbesimit ndërmjet komuniteteve, dhe ka insistuar që ky proces të realizohet me monitorim ndërkombëtar.

Por si do të realizohet regjistrimi në vitin 2011? Propozim ligji krijon mundësi për regjistrimin e të gjithë qytetarëve në Maqedoni. Për shqiptarët, që historikisht kanë pasur arsye për të kontestuar dhe për të mosbesuar në qëllimin e regjistrimit, propozim ligji krijon kornizë optimale për ndërtim të mirëbesimit ndaj procesit. Në proces do të marrin pjesë regjistrues shqiptarë dhe do të përdoret edhe gjuha shqipe. Të gjithë shqiptarët që përkohësisht jetojnë jashtë shtetit, ligji u jep të drejtë që ata t’i regjistrojënjë anëtar i familjes që do të jetë në shtëpi në momentin e regjistrimit, duke prezantuar një dokument për këta anëtarë. Anëtarët e familjes që jetojnë jashtë mund të dërgojnë dokumentet e tyre të identifikimit përmes postës dhe në regjistrim mund të prezantohet çdo lloj dokumenti i identifikimit, nga pasaporta, letërnjoftimi dhe certifikata e lindjes. Propozim ligji parasheh krijimin e Komisionit Shtetëror për Regjistrim, që në bashkëpunim me Entin Shtetëror të Statistikës, do të menaxhojë me procesin dhe pastaj do të përpunojë të dhënat. Ky Komision ka për detyrë të eliminojë dyshimet në punën e Entit që përherë ka qenë prezente këtu. Dhe, elementi kryesor, gjithë procesin e regjistrimit do ta monitorojë Enti europian i statistikave, EUROSTAT. Ky është argument i fuqishëm përse ne si shqiptarë duhet me mirëbesim t’i qasemi regjistrimit.

Ligji do të krijojë kornizën juridike për të garantuar një proces fer, të drejtë dhe plotësisht transparent, me mundësi të vogla për manipulime. Ajo që ngelet është që ne ta marrim mbi vete detyrën tonë qytetare për të kontribuar në suksesin e këtij procesi. Nga të gjithë ne bashkërisht pritet të ndihmojmë që fjala për rëndësinë e regjistrimit të arrijë në çdo shtëpi, në çdo familje, tek secili individ, brenda ose jashtë shtetit. Sepse, vetë ne më së miri dhe më së shumti mund të ndihmojmë që pyetja “sa jemi” të marrë përgjigjen e duhur.

Publikuar: 15.09.2010 | 22:57
Lexuar: 643 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime