Me hapjen e këtij universiteti, të rinjtë shqiptarë nuk do të kenë nevojë të shkojnë në vendet e huaja për të vazhduar studimet teologjike
Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, haxhi Selim Muça, me anë të një deklarate të shpërndarë sot ka publikuar vendimin e marrë nga ky komunitet për ngritjen e Universitetit Teologjik Islam në Shqipëri, njofton Start.
Ky universitet do të synojë dhënien e një arsimi të lartë të përshtatshëm me kulturën, traditat dhe karakteristikat e shoqërisë shqiptare, duke mbajtur në bazat e tij, themelet dhe kushtet e besimit dhe fesë islame. Me hapjen e këtij universiteti, të rinjtë shqiptarë nuk do të kenë nevojë të shkojnë në vendet e huaja për të vazhduar studimet teologjike, thotë komunikata.
Sipas KMSH-së, ky Universitet do të jetë një institucion i standardeve ndërkombëtare, duke synuar tërheqjen dhe arsimimin e të rinjve jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga vendet e rajonit dhe Evropa, duke u bërë kështu një qendër e promovimit të vlerave islame shqiptare. Në fund, shprehet falënderimi për të gjithë imamët dhe besimtarët myslimanë që shprehën solidaritetin ndaj Muçës.
Gjithashtu dua të falënderoj përzemërsisht të gjithë myftinjtë në rang vendi, veçanërisht imamët e Tiranës, por edhe të gjithë Shqipërisë, besimtarët dhe qytetarët e shumtë që me anë të telefonatave, mesazheve dhe emeileve kanë shprehur solidaritetin e palëkundur dhe mbështetjen ndaj meje dhe institucionit tonë. Duke ju falënderuar për bashkëpunimin, lutem që Paqja dhe Mirësia e Allahut Fuqiplotë të jetë mbi të gjithë ne, përfundon deklarata.