E enjte, 24.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Me pamjet e bukura që shfaqen prej Grykës së Rugovës, qetësinë e peizazhit, majat dhe liqenet e saj, gjatë verës Rugova ishte destinacion i mijëra qytetarëve nga Peja, Kosova e më gjerë.
Rugova, bazė edhe pėr turizėm kulturor





Enver Ulaj

Terrenet për ecje, biçikleta e motoçikleta, ngjitje në shkëmbinj, kampingjet gjatë verës e skijimin gjatë dimrit, i bëjnë fshatrat dhe shtigjet e Rugovës të preferuara për të gjithë ata që e kanë për qejf turizmin malor, i cili është në rritje. Edhe pse nuk ka shifra, restorantet, motelet dhe kamp- shtëpizat e Rugovës këtë vit mendohet që kanë qenë më të vizituara më shumë se asnjë vit më parë.

Artistët ia kanë mësyrë Rugovës

Më se dhjetë restorante dhe lokale tjera të rregulluara mirë, kryesisht në përputhje me ambientin natyral ofrojnë nga mënyja tradicionale e ushqime të kuzhinës së bulmetit, tipike për malësinë e deri te ato të kuzhinës evropiane. Këto lokale nga viti në vit po shtohen duke i dhënë ofertës së tyre secila profilin e vet. Këtë verë në Rekë të Allagës është hapur restoranti “Art Design”, një ambient të cilin artisti Vedat Belegu me punimet e tij i ka dhënë formën e një ambienti artistik. Dy evenimente artistike janë mbajtur në këtë vend. I pari kushtuar poetit Azem Shkreli, kurse gjatë muajit korrik në të njëjtin lokal në Rugovë është bërë hapja e festivalit të filmit të metrazhit të shkurtër ShqipFilmFest.

Vetëm ndonjë kilometër më tej një tjetër ambient artistik është përuruar këtë verë. Një amfiteatër mes një pjerrtësie malore, ofron vende përreth një mijë pjesëmarrës.

Kolonia Art-Turizëm “Kodra” është quajtur aktiviteti, që me angazhimin e artistit Sylë Mujaj, është mbajtur në këtë vend, afër fshatit Drelaj. Në mbrëmjen poetike “Poezi me fitilaqa” me krijues nga Kosova dhe Shqipëria është shënuar vënia në funksion e këtij objekti. Edhe ky objekt me investim prej më se qind mijë eurosh është bërë nga entuziazmi i një personi. Besnik Lajçi, ka vite që dërgon para nga Danimarka për të hapur këtë amfiteatër dhe disa objekte shoqëruese mes bjeshkëve, përfshirë edhe rrugën në një terren jo të lehtë për t’u hapur.

“Unë kam ofruar një vend që mund të shfrytëzohet. Le të mbetet tek institucionet, të gjejnë mënyra për ta vënë në punë”, ka thënë Lajçi.

Rrugët, problem që po zgjidhet ngadalë

Rrugët janë bërë një nga problemet që zonën e bënë të pashfrytëzuar mirë, me gjithë potencialin që ekziston. Në mungesë të interesimit të institucioneve, disa rrugë lokale nëpër fshatra po mendohet të lidhen me krahun e djathtë të rrugës që tash disa vite është asfaltuar nga Peja në Kuqishtë. “Po tentojmë të mbledhim me vetëkontribut, por është shumë vështirë... nëse arrijmë të bëjmë rrugën për në Dugaivë, do të kemi shumë më shumë qasje në një pjesë të bukur të Rugovës, që nuk njihet nga shumë veta”, thotë Ramë Mujaj, një nismëtar i këtij aksioni.

Kurse rruga deri në fshatin Bogë, që është qendra e turizmit në Rugovë, ka disa vite që premtohet nga Qeveria e Kosovës. Vetëm në fillim në muajit shtator zv.kryeministri Hajredin Kuçi ka premtuar se kësaj herë paratë do të jepen në komunë deri më 1 janar. Me këtë rrugë do ketë më shumë qasje në këtë lokalitet, që ka ambiente hoteliere dhe kapacitete në sektorin privat dhe ku gjatë dimrit mbahen garat e skijimit.

Hapja e këtyre rrugëve, posaçërisht hapja e rrugës së Çakorrit, që mendohet se do bëhet vitin tjetër, për të lidhur Kosovën me Malin e Zi, bashkë me rrugën e Peklenës, që do hapte rrugët për Rugovën e vërtetë, janë perspektiva e zhvillimit të turizmit të vërtetë në këtë zonë, thotë Ramiz Lajçi, banor nga Rugova.

Publikuar: 17.09.2010 | 12:12
Lexuar: 1210 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet
45456456531 (19/04/2012 19:06:48) shum mir..

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime