Ky është fati i 35 vjeçarit Sabedin Xheladini nga Bllaca e Shkupit, i cili gjatë kohë vuan nga sëmundja e veshkave dhe 3 herë në javë shkon në dializë.
Me 33 mijë euro në xhep niset për në Egjipt, për transplantimin e veshkës. Ndërsa, kthehet nga dogana e aeroportit të Shkupit me vetëm 2 mijë euro, për shkak se me pavetëdije, nuk e kishte deklaruar shumën e përgjithshme të të hollave!
Ky është fati i 35 vjeçarit Sabedin Xheladini nga Bllaca e Shkupit, i cili gjatë kohë vuan nga sëmundja e veshkave dhe 3 herë në javë shkon në dializë.
Për shërim nga kjo sëmundje në një nga spitalet private të Kajros, ai me ndihmën e shumë njerëzve human, mezi kishte grumbulluar 33 mijë euro, por pasi i merren 31 mijë euro në Aeroportin e Shkupit, prej 10 korrikut e deri më sot, edhe pas shumë tentimeve, atij nuk i është kthyer as edhe një cent.
Kur kam hy në aeroport dogana më ka vet ku je tu shkua, ju thash që jam tu shku në operacion, çka ki me veti në xhep, ju thash kam pare. Me thanë nxjerri sa pare i ke, ju tregova, edhe më kanë thanë ndalu. U ndala, më nxjerrën anash, ka ardhë edhe një doganier tjetër edhe më tha prit këtu, erdh edhe ai aty, i morën paret, ma dhanë një letër edhe mandej për nja 15 minuta, mi dhanë njëherë paret më thanë shtini paret në xhep e për të dytën herë prapë mi morën, kështu u shpreh Sabedin Xheladini, I sëmurë nga veshka.
Sabedini thotë se përveç 31 mijë eurove që i janë marrë nga dogana e aeroportit, ai është dashur të paguaj edhe një dënim prej 42 mijë denarësh, për shkak të shkeljes së ligjit që parasheh paralajmërimin e shumave të caktuara të të hollave kur barten jashtë shtetit.
Mandej të hënën më thanë me shkua me pagu një dënim, me marr një letër në aeroport, shkova e mora edhe atë në Fershped, e pagova në postë, 42 mijë denarë, thanë pasi e ke paguar këtë dënimin kemi me ty kthye paret, dënimin e pagova, që dy muaj e gjysmë nuk kemi asgjë, as pare e asgjë, prit sot prit nesër, këtë javë javën tjetër, nuk ka asgjë, tha Sabedin Xheladini.
Sabedini thotë se edhe pas shumë tentimeve dhe kërkesave për tju kthyer kjo shumë e të hollave nuk ka arritur të bëj asgjë. Para dy ditëve ka arritur vendim nga gjykata se lënda do të zgjidhet përmes procesit gjyqësor. Nga Dogana e Maqedonisë u shprehën se ditëve në vijim do të dalin me prononcim rreth rastit.
(Melihate Rustemi, Alsat-M)