Në këtë çështje, një pjesë e përgjegjësisë i takon Federatës Shqiptare të Futbollit, e cila është edhe organizatorja e këtyre kampionateve të moshave. Neglizhenca e këtij institucioni nis me faktin që në shumë ndeshje nuk ka fare arbitër të katërt, për të mos folur më pas për terrenet apo fushat sportive ku luhen këto takime.
Gjergji Mima
- Nëse në vendet me futboll të zhvilluar ose ato që kërkojnë ta zhvillojnë sa më shumë këtë sport, i jepet një rëndësi e veçantë ekipeve zinxhir, në Shqipëri thuajse ndodh e kundërta dhe futbolli i moshave është lënë krejtësisht në harresë.
Nëse në shumë vende ka një infrastrukturë sportive shumë të zhvilluar dhe në kushte optimale, ka ekipe zinxhir që funksionojnë më së miri, ka akademi futbolli që formon dhe nxjerr talente, këto jo vetëm që nuk ekzistojnë në vendin tonë ose në disa raste janë në nivel shumë të ulët, por absurdi qëndron në faktin se dhuna apo trukimi i ndeshjeve hyjnë në mentalitetin e fëmijëve që në hapat e parë të tyre në botën e futbollit.
Në vendin tonë organizohen çdo vit dy kampionate për moshat, një U-19 dhe një U-17, të cilat jo vetëm që nuk luajnë absolutisht funksionin e tyre për të formuar lojtarë të rinj, por në shumë ndeshje arrihet deri aty sa fushat e futbollit shndërrohen në arena të vërteta gladiatorësh, aq sa në disa raste është rrezikuar jeta e futbollistëve dhe gjyqtarëve.
Në këtë çështje, një pjesë e përgjegjësisë i takon Federatës Shqiptare të Futbollit, e cila është edhe organizatorja e këtyre kampionateve të moshave.
Neglizhenca e këtij institucioni nis me faktin që në shumë ndeshje nuk ka fare arbitër të katërt, për të mos folur më pas për terrenet apo fushat sportive ku luhen këto takime.
Vetëm fusha futbolli nuk mund të quhen, pasi jo vetëm që mungon plotësisht bari, por thuajse gjatë të gjithë kampionatit janë të zhytura në baltë dhe vetëm gjatë pranverës shndërrohen në fusha të thata.
Përveç kësaj, dhuna është një absurditet i papranueshëm që ndodh thuajse çdo javë në kampionatet e moshave. Në incidentet e dhunshme, që në shumë raste janë shndërruar në sherre masive, marrin pjesë vetë prindërit e fëmijëve që luajnë në fushë. Prindërit bëhen shpesh herë promotorë të këtyre incidenteve dhe në disa raste kanë arritur deri aty sa kanë hyrë në terrenet sportive për të goditur lojtarët kundërshtarë apo gjyqtarët.
Një fakt ky i pranueshëm edhe nga drejtuesit e FSHF-së, të cilët shprehen se prindërit janë nxitësit e dhunës në kampionatet e moshave. Federata nga ana e saj, megjithëse në shumë raste ka dënuar rëndë skuadrat apo lojtarët, aktet e dhunshme shfaqen thuajse çdo javë, në një kohë që ende nuk gjendet një rrugë për të ndaluar vandalizma të tilla.
Ndoshta do të ishte mirë që të ndërpritej për një farë kohe këto kampionate, pasi jo vetëm që funksionin e tyre kryesor për të formuar futbollistë të rinj nuk po e realizojnë, por formojnë lojtarë dhunues dhe manipulatore.
Ky është pak a shumë futbolli i moshave në vendin tonë, për të mos folur më pas për akuzat e disa prej lojtarëve që luajnë jashtë, të cilëve u janë kërkuar shuma të mëdha parash për t'u përfshirë në ekipet zinxhir të kombëtares shqiptare.
Futbolli i moshave ka nevojë për një reformë të thellë, pasi në të kundërt do të vazhdojë të jetë i zhytur në llum dhe i rrethuar nga fenomenet më negative që ekzistojnë në sportin e futbollit.