Në lidhje me asistencën teknike për IPA fondet ambasadori Kekesh theksoi se IPA fondet janë përkrahja më e mirë për Maqedoninë në procesin integrues, por duhet kuptuar se IPA programi është shkencë në vete, ku kërkohet punë, përkushtim dhe studim.
Kryetari i komunës së Gostivarit Rufi Osmani priti në vizitë ambasadorin e Republikës së Hungarisë në Maqedoni, ekselencën e tij z. Ferenc Kekeshi me të cilin diskutuan për tema të ndryshme në relacion të bashkëpunimit të ndërsjellë.
"Patëm mundësi të bisedojmë me ambasadorin për çështje me interes të funksionimit të pushtetit komunal, bashkëpunimit komunë-qeveri, shfrytëzimit të fondeve evropiane dhe mundësisë së bashkëpunimit të komunës së Gostivarit dhe bizneseve të ndryshme në kuadër të Republikës së Hungarisë.
Ndamë shqetësimet e përbashkëta që të tejkalohet çështja e problemit me emrit që Maqedonia e ka me Greqinë dhe proceset integruese të Maqedonisë në NATO dhe BE ta ndjekin dinamikën e preferuar nga qytetarët e Maqedonisë." - theksoi mes tjerash kryetari Osmani. Ai përmendi se ambasadori do të rekomandojë disa komuna me të cilat do të bashkëpunohet në drejtim të asistencës teknike.
Ambasadori Kekeshi më tej u shpreh: "Nuk është vizita ime e parë në Gostivar, mbasi kam qenë edhe më herët por është vizita ime e parë ku kam pasur një diskutim shumë të frytshëm mbi mundësitë e bashkëpunimit mes Hungarisë dhe Maqedonisë, gjegjësisht komunës suaj. Sipas tij ndonjëherë nuk mjafton të rrish vetëm në Shkup dhe të flasësh me përfaqësuesit e Qeverisë por nevojitet që të vizitohen vendet që të njihesh me realitetin për së afërmi.
Në lidhje me asistencën teknike për IPA fondet ambasadori Kekesh theksoi se IPA fondet janë përkrahja më e mirë për Maqedoninë në procesin integrues, por duhet kuptuar se IPA programi është shkencë në vete, ku kërkohet punë, përkushtim dhe studim. Në këtë drejtim mendojmë se mund të ndihmojmë pasi kemi përvojë në lëmin për aplikim në fondet Evropiane. Përvoja e shtetit tim mund të jetë ndihmë për vendin tuaj, nënvizoi ambasadori hungarez.
Pas përfundimit të takimit në kabinet, kryetari Osmani dhe ambasadori Kekesh bënë një shëtitje në sheshin ku vizituan stendat që ishin në Qendër të qytetit me rastin e manifestimit "Ditët e Biznesit" të organizuar nga Klubi slloveno maqedonas.
Në fund kryetari Osmani ftoi ambasadorin që të provojë specialitetin e Gostivarit, me çka u ulën të shijojnë bakllavanë të përgatitur nga duart e shkathëta të konditorëve gostivaras.