Rivalja e saj Raiffeisen Bank, nuk ka raportuar ende në BQK, por këtë mund ta zvarrisë deri në fund të shtatorit në kohën kur përgatitet raporti i tremujorit për bankat komerciale nga Banka Qendrore.
Totali i fitimit të bankave private në tregun e Kosovës për tetë muaj të këtij viti sillet rreth 20 milionë euro. Lider për profit në tregun bankar janë bankat e huaja Pro Credit e Raiffeisen Bank. Ndërsa, me humbje operojnë dy bankat e huaja Teb Bank dhe Banka Kombëtare Tregtare, e cila ka shënuar humbje për miliona euro. Sipas një raporti të Bankës Qendrore të Kosovës për veprimtarinë tetëmuajshe të bankave komerciale të cilin e ka siguruar gazeta del se prin banka Pro Credit me një fitim prej 11 milionë e 618 mijë euro.
Rivalja e saj Raiffeisen Bank, nuk ka raportuar ende në BQK, por këtë mund ta zvarrisë deri në fund të shtatorit në kohën kur përgatitet raporti i tremujorit për bankat komerciale nga Banka Qendrore. Sipas të dhënave të publikuara në qershor banka Raiffeisen ka një fitim prej 6 milionë eurosh për gjashtë muaj. Vendin e tretë për nga fitimi e ka banka sllovene NLB Bank, e cila për tetë muaj ka fituar në Kosovë, 2 milionë e 923 mijë euro. Banka Private e Biznesit e cila ka një fitim prej 696 mijë eurosh renditet pas bankave të huaja për nga profiti. Përgjysmë më pak profit ka Banka Ekonomike e biznesmenit dhe politikanit Behxhet Pacollit, e cila për tetë muaj ka fituar vetëm 308 mijë euro.
Ndërsa, me humbje në tregun e Kosovës operon Teb Bank, e cila për tetë muaj ka shënuar një humbje prej 92 mijë eurosh. Shumëfish më shumë humbje ka Banka Kombëtare Tregtare , e cila 1 milionë e 925 mijë euro i ka humbur vetëm për tetë muaj të këtij viti. Për sa i përket Komercialna Banka, sipas të dhënave të saj të publikuar në muajin qershor kjo bankë ka një fitim prej 106 mijë euro, ndërsa ka një qarkullim të parave të gatshme prej mbi 9 milionë eurosh.
Totali i depozitave të saj kap shumën prej 19 milionë eurosh, ndërsa shuma e kredive që ka dhënë shkon në mbi 3 milionë euro. Ndërsa, mbi 1 miliard e 200 mijë euro është fondi i depozitave që kanë të gjitha bankat komerciale që operojnë në tregun e Kosovës. Totali i shumës së kredive që kanë dhënë bankat komerciale në Kosovë është afro 1 miliard euro. Rreth 670 milionë janë kredi që u kanë dhënë bizneseve, ndërsa afro 270 milionë euro janë kredi individuale. Kurse afro 30 milionë euro është shuma e parave të gatshme që kanë bankat private. (koha)