Sipas një anektode që qarkullon në Bruksel, Cathy Ashton, shefja e politikës së jashtme e Bashkimit Europian, i thotë Hillary Clintonit se ajo e ka tashmë numrin e vetëm të tekefonit në rast se Amerika dëshiron t'i "telefonojë Europës". Por, kur Sekretarja e Shtetit i bie këtij numri, ajo gjen një mesazh të regjistruar: "Për politikën e jashtme franceze, shtyp 1. Për politikën e jashtme britanike, shtyp 2...".
Sipas një anektode që qarkullon në Bruksel, Cathy Ashton, shefja e politikës së jashtme e Bashkimit Europian, i thotë Hillary Clintonit se ajo e ka tashmë numrin e vetëm të tekefonit në rast se Amerika dëshiron t'i "telefonojë Europës". Por, kur Sekretarja e Shtetit i bie këtij numri, ajo gjen një mesazh të regjistruar: "Për politikën e jashtme franceze, shtyp 1. Për politikën e jashtme britanike, shtyp 2...".
Ka qenë gjithmonë e vështirë të mendosh 27 shtete europianë, secili me historinë e vet, që të flasin me një zë të vetëm. Megjithatë, kjo ishte detyra që iu besya Lady Ashton kur ajo u emërua ministre e Jashtme e BE, sipas Traktatit të Lisbonës së vitit 2009. Më parë një politikane britanike pak e njohur dhe për pak kohë komisionere e tregtisë, ajo nuk e ka patur të lehtë. Eshtë sulmuar si peshë e lehtë, e padukshme dhe e hutuar prej zënkave të brendshme. Francezët thanë se ajo gaboi në fillim të muajit, kur shkoi në Kinë dhe jo në Uashington (për nisjen e bisedimeve të paqes). Lady Ashton u përgjigj, me pakëz kryelartësi, se nuk kishte kuptim të shkonte e të ulej "në rreshtin e dytë" të një ceremonie në Shtëpinë e Bardhë; më mirë të merrej me udhëheqësit kinezë.
Nuk ka dyshim që Lady Ashton është e ngarkuar dhe jo thjesht nga mungesa e përvojës apo paaftësia për të qenë në dy vende njëherësh. Ajo është në krye të një rrëmuje burokratike. Detyra e saj shkrin tre funksione: e dërguar e politikës së jashtme për Këshillin Europian (që përfaqëson anëtarët e BE), kreu i marrëdhënieve me jashtë të Komisionit Europian (shërbimi civil i BE) dhe kryetare e samiteve të ministrave të Jashtëm të BE. "Shërbimi i jashtëm" i saj ka patur një sërë problemesh me Parlamentin Europian mbi shkurtimet e buxhetit dhe rregullat, si dhe një lobim intensiv për vende pune. Këtë javë, ajo emëroi më në fund serinë e parë të 27 ambasadorëve të BE, por i mungojnë ende zyrtarët më të lartë. Mbështetësit e admirojnë aftësinë e saj për të përballuar gjithçka. Por pas dhjetë muajsh, ajo mbetet një ministre e Jashtme pa një ministri.
Samiti i BE i kësaj jave duhej t'u jepte udhëheqësve të BE një shans për të konsideruar marrëdhëniet me fuqitë globale, të vjetra dhe të reja: mes tyre Amerika, Rusia, Kina, India dhe Turqia. I pyetur nëse kishte patur një dokument diskutimi të prodhuar për të asistuar debatin, një diplomat ngriti supet. Kush do ta prodhonte këtë dokument? Një draft i komunikatës përfundimtare ishte gjithashtu bosh; përsëritja e termave si "strategjik" nuk mund të fshihte një mungesë të mendimit strategjik.
Kjo shërben për të ilustruar problemin më të gjerë që ka BE. Ajo nuk e di tamam se çfarë roli të luajë në një botë ku perëndimi po bie dhe pjesa tjetër po ngjitet. Disa shtete, sidomos Franca, ëndërronin për një botë shumëpolare ku Amerika nuk do të ishte më fuqia e vetme. Tani që kjo ka ardhur, ndoshta më herët nga sa pritej, Europa duket se nuk është në gjendje të shfrytëzojë shansin e saj. Kjo ndodh pjesërisht sepse Europa është vetë shumëpolare. "BE ndodhet mes një shkëmbi dhe një guri", thotë Aleksandër Stubb, ministër i Jashtëm i Finlandës. "Po krijohen shtete të rinj, por BE nuk është shtet. Nuk mund ta gjejë vendin e vet". Dhe si për të vërtetuar këtë, BE nuk arriti këtë javë të ketë të drejtë fjale në Kombet e Bashkuara.
Gjatë një takimi të ministrave të Jashtëm, Stubb sugjeroi që BE i nevojitet një politikë e jashtme më dinjitoze. Duhet të jetë më pak moralizuese kur u predikon të tjerëve të drejtat e njeriut. Kjo do të ndihmojë për objektivat më direktë, si për shembull aksesi në tregjet dinamikë në zhvillim. Carl Bildt, homologu i tij suedez, thotë se prioritet është reformimi i ekonomisë dhe stabilizimi i periferisë së Europës. "Fuqia jonë globale fillon brenda. Ne nuk do të shihemi si të fuqishëm dhe interesantë jashtë nëse nuk shihemi si një ekonomi e fuqishme dhe që kujdesemi për fqinjësinë tonë".
Megjithatë, ky brainstorming ministeror nuk shkoi shumë larg. Kjo mund të ndodhë sepse politika e jashtme shpesh ka të bëjë me problemet më imediatë. Por ndodh edhe sepse BE, pavarësisht gjithë fjalëve për rritjen e peshës së vet në botë, nuk i ka hyrë fare punës për ta bërë këtë. Ajo është ndërtuar mbi idenë që integrimi ekonomik do të linte pas luftat dhe rivalitetet mes kombeve. Gjatë luftës së ftohtë qëndroi pothuajse jashtë diplomacisë dhe sigurisë; kjo ishte punë e NATO-s. Si një trup, nuk e ka mësuar asnjëherë artin e bllofit, kërcënimit dhe lajkatimit të të tjerëve për t'i dalë e veta. Zakonisht mburret me faktin që është donatori më i madh i ndihmës në botë.
Si të luhet
Megjithatë, BE ka disa karta të fuqishme që mund ta bëjnë të luajë shumë më mirë. Tregu i përbashkët është një avantazh: kjo nënkupton një strategji për të vazhduar të gërryhen barrierat e brendshme dhe përdorur tregun si një levë për të negociuar aksesin në tregje të tjerë. Një tjetër as nën mëngë është oferta për anëtarësim në BE. Nëse dëshiron të ketë ndikim tek fqinjë të rëndësishëm si Turqia dhe Ukraina, BE duhet të mbajë hapur dyert për ta. Ishte joshja për anëtarësim që ndihmoi për të arritur suksesin e parë diplomatik për Lady Ashton: një rezolutë e përbashkët BE-Serbi në ansamblenë e OKB që hap rrugë për dialog mes Serbisë dhe Kosovës. Ndoshta është një hap modest. Por marrja e miratimti të Serbisë dhe sigurimi i një pozicioni të përbashkët në BE (pesë anëtarë ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës) kërkoi këmbëngulje, negociata të ethshme dhe, thuhet, një dozë njëmbëdhjetë orëshe zemërimi mes disa shteteve të mëdhenj të BE.
Ky episod ilustron potencialin dhe pengesat që ka politika e jashtme e BE. Lady Ashton mund të ketë sukses vetëm kur të mund të bindë BE-në të bashkëpunojë. Me kalimin e kohës, teksa fiton staturë dhe vetëbesim, ajo mund të përmirësohet. Një ditë të bukur, kur zonja Clinton t'i telefonojë Europës, ajo do të gjejë Lady Ashton në anën tjetër të telefonit. Por baronesha mund të mos jetë ende në gjendje t'i marrë e vetme vendimet. Ajo do të jetë më shumë operatori, që do t'i kalojë mesazhet tek Parisi, Londra, Berlini, Madridi, Varshava...