E enjte, 24.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Për më tepër, Komuna e Prishtinës nuk ka arritur të ketë as formularë adekuatë për të regjistruar një klub nate dhe nuk jep leje pune për këtë kategori të bizneseve që e kanë karakterizuar kryeqytetin qëkur mbaj mend.
Ora 00:00





Mirlinda Shaipi

Ora 23:50. Pronari i kafenesë ndez dritat për t’iu treguar klientëve të tij se ka përfunduar orari i punës. Ajo që nuk arrin t’iu tregojë është arsyeja se pse ata nuk mund të qëndrojnë më gjatë në një natë të premte. Kjo ka qenë pamje e zakonshme gjatë disa javëve të fundit nëpër të gjitha kafenetë dhe klubet e kryeqytetit, njësitë speciale dhe kamerat me një dritë verbuese kanë bërë që të rinjtë e qytetit të indinjohen dhe të dëshpërohen. Çfarë po ndodh në të vërtetë? Ku qëndron problemi? A po e shkelin kafenetë dhe klubet orarin e caktuar nga Komuna? Ajo që kam arritur të kuptoj është se për dhjetë vjet nuk ka pasur kurrfarë legjislacioni, i cili e ka rregulluar punën e këtyre bizneseve.

Për më tepër, Komuna e Prishtinës nuk ka arritur të ketë as formularë adekuatë për të regjistruar një klub nate dhe nuk jep leje pune për këtë kategori të bizneseve që e kanë karakterizuar kryeqytetin qëkur mbaj mend. Ndjehem e revoltuar që për 10 vjet rresht, të miturit paskan konsumuar alkool nëpër baret dhe klubet e kryeqytetit pa as edhe vëmendjen më të vogël të autoriteteve komunale aq më pak t’i dënojë ato. Ndjehem e revoltuar që disa nga ngjarjet më të rëndësishme politike janë mbajtur nëpër lokale deri natën vonë, në lokalet të cilat tani po mbyllen me pretekstin se nuk kanë të drejtë pune. Ishin pikërisht këto lokale ku pretendentët për poste politike vinin të bëjnë fushatë me të rinjtë, apo edhe ku për pak sa nuk u prish koalicioni qeverisës (për ata që nuk e mbajnë në mend, fjala është për aferën ‘Zanzi Bar’).

Më duhet të them që ideja e rregullimit të jetës së natës në kryeqytet është e mirëseardhur për shumë arsye, por kjo çfarë është duke ndodhur javëve të fundit nuk është zgjidhje. Do të isha e lumtur sikur të ndodhte ajo që ndodh në shtetet e civilizuara perëndimore ku të miturit nuk mund të blejnë as edhe një pako cigare aq më pak të futen në klube dhe të konsumojnë alkool derisa t’ju dojë qejfi. Fëmijët tanë jo që blejnë cigare, ata pinë alkool, fëmijët tanë rrinë në rrugë deri vonë duke shitur artikuj nga më të ndryshmit, përfshirë edhe cigare. Shteti ynë sheh e bën sehir dhe bën atë që di më së miri. Mbyll sytë.

Komuna ka pasur në dispozicion dhe përgjegjësi të veten dhjetë vjet për të caktuar parametrat teknike për punë të klubeve të natës, parandalimin e ndotjes akustike, duke bërë matje dhe duke caktuar decibelët maksimalë, apo qoftë edhe moslejimin e hapjes së tyre në lokacione të banuara. NUK E KA BËRË. Dhe, kjo nuk do të thotë që nuk duhet bërë tani e tutje, por frikësohem nga fakti që Komuna ua paska lejuar bizneseve të tilla të veprojnë në mënyrë të paligjshme për kaq kohë të gjatë. Çfarë duhet të mendoj unë për kompetencën e Komunës si një votuese e mundshme kur të vijë koha e zgjedhjeve? A duhet të dal në zgjedhje dhe çfarë duhet të kem parasysh kur të
hedh votën time?

Ajo që kemi parë kohëve të fundit është mënyra e vetme të cilën Komuna dhe organet qendrore dinë. Jo zgjidhja e problemit por intervenimi i përkohshëm. Dhe të them të drejtën kjo më ofendon inteligjencën. Si duket zgjidhja e problemeve të shumta në kryeqytet, duke përfshirë edhe orarin e punës së kafeneve, sepse mendoj që nuk është i vetmi, kërkon pak mund profesional dhe përgjegjësi civile dhe mendoj se organet kompetente edhe më tutje janë të paafta ta bëjnë një gjë të tillë. Problemet e kryeqytetit kërkojnë punë të mirëfilltë, involvim të komunitetit të biznesit, të komunitetit të gjerë, të qytetarëve, takime të rregullta me qytetarë (unë personalisht, por kam përshtypjen edhe shumica dërrmuese e qytetarëve nuk di emrat e asnjërit nga këshilltarët e asamblesë komunale e as të drejtorëve të drejtorateve).

Qytetarët e Prishtinës ka kohë që heshtin, po heshtin për tmerrin që po përjeton infrastruktura e qytetit, po heshtin për faktin që kompanitë ndërtuese (me leje, pa leje apo edhe si kontraktore e Komunës ndotin ambientin me pluhur, baltë e mbeturina inerte), po heshtin për ngufatjen e qytetit që po ndodh me dijen dhe lejen e Komunës dhe tani kjo e fundit, nxjerrja e dhunshme e qytetarëve nga lokalet e natës me armë të drejtuara drejt fytyrës së tyre. Më lejoni t’ju them që nuk kam aspak dëshirë të shoh kurrfarë armësh apo njësi speciale çdo natë në hapësirat ku unë shkoj për t’u shoqëruar dhe takuar me të tjerë. Aty ku shkoj për t’u argëtuar. Armët dhe njësitë speciale më kthejnë në një periudhë që nuk dua të kujtoj.

Ajo që presim nga ata që përfaqësojnë rendin dhe qetësinë është të ndjekin kriminelët e vërtetë, të merren me hajdutë, shpërndarës droge, dhunues, e vrasës ndërsa me kafenetë, obligimet dhe përgjegjësitë civile të tyre duhet të merren organet civile. Unë dëshiroj rend dhe qetësi, dëshiroj rregull, por jo në këtë formë. Rendi dhe qetësia duhet të kenë një bazë ligjore. Argumenti nuk duhet të jetë “e bëj ngase mundem” po duhet të jetë “e bëj ngase thotë ligji”. Prandaj, le të jetë një porosi për ata që i kanë futur veshët në lesh, të mos vazhdojnë të injorojnë problemet por të mundohen t’i zgjidhin ato, gjithnjë me pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve në këto vendime, sepse në të kundërtën durimi i qytetarëve ka kufi. Le të mos e provokojmë atë duke ‘rregulluar’ probleme përkohësisht me urdhra të prera nga ‘lart’.

Pushtetarët, si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal, duhet të kuptojnë njëherë e përgjithmonë se problemet mund të zgjidhen vetëm me pjesëmarrje të qytetarëve në emër të të cilëve merren ato vendime. Ky është gurthemeli i demokracisë të cilën tani kemi filluar ta shënojmë me ditë speciale të saj dhe kultura e pjesëmarrjes së qytetarëve nuk duhet të jetë vetëm një slogan nëpër reklama promovuese, por një praktikë e përditshme me të cilën qeverisësit duhet të mësohen.

Publikuar: 24.09.2010 | 10:41
Lexuar: 601 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime