I famshëm për zhurmën shurdhuese nga e cila ka marrë dhe emrin, pjerrësia dhe gurët , vështirësojnë lëvizjen e banorëve. Rrugëtimin përgjatë tij e cilësuan si ecje e të marrëve. I shtruar me kalldrëm rreth viteve 70, sokaku ngjan pak me atë të dikurshmin. Ajo që bën dallim veç strukturës, është braktisja dhe përgjumja.
Albana Allushaj
Gjirokastër Sokaku i të Marrëve, është rrugica më e famshme në Gjirokastër. Nuk është emri që i ka dhënë famën, por figurat që kanë jetuar e lëvizur përgjatë tij. Në antitezë të plotë me emrin që mban, ka nxjerrë mjaft figura të njohura në të gjitha fushat. Në të famshmin Sokak nuk ka jetuar asnjë i marrë (i çmendur) dhe është padyshim rruga me kalldrëm më e njohur e qytetit. Në krye gjendet furra e Xhevat Avdallit, diku më tej shtëpia ku u lind Enver Hoxha, e në fund ngrihet shtëpia e shkrimtarit Ismail Kadare. I ftohtë dhe I ashpër ashtu si qyteti gri i Kronikë në gur, sokaku nuk bën përjashtim nga rregulli i përgjithshëm.
Teksa zbret në rrugën që përshkon përmes lagjen Palorto, ndjen ftohtësinë e një dite pranvere që sapo ka nisur. Një lehje qeni, një mace e cila është në kërkim të ndonjë ushqimi, disa piku shiu si dhe hapat e kalimtarëve kryesisht fëmijë dhe turistë, prishin qetësinë e tij. Zhurma e krijuar nga ecja mes gurëve të sokakut ka qenë një ritëm i përditshëm i banorëve gjirokastritë, ritëm që ka shoqëruar edhe Kadarenë gjatë 18 viteve të jetës së tij në këtë qytet. Rituali vazhdon edhe sot, por me të tjerë personazhe, pavarësisht nëse nuk janë aq të shquar. Mjafton të ecësh qoftë dhe njëherë të vetme në të për tu bërë pjesë e historisë së saj. Mjafton një prekje dhe ndjesia që të krijohet në të si një magji të ndjekë gjithnjë pas.
Njerëzit, që u kthyen në personazhe të njohur
I famshëm për zhurmën shurdhuese nga e cila ka marrë dhe emrin, pjerrësia dhe gurët , vështirësojnë lëvizjen e banorëve. Rrugëtimin përgjatë tij e cilësuan si ecje e të marrëve. I shtruar me kalldrëm rreth viteve 70, sokaku ngjan pak me atë të dikurshmin. Ajo që bën dallim veç strukturës, është braktisja dhe përgjumja.
Pleqtë e mbetur në Palorto flasin për personazhet më të famshëm të rrugicës.
Kako Pinua, Dino Çiçua, Babazoti janë njerëzit realë të këtij qyteti që e ndoqën pas si hije shkrimtarin, derisa i shndërroi në personazhet më tipikë të veprave të tij. Nga sufatë, puset, sterrat dhe portat e gurta të asaj kohe kanë mbetur pak. Edhe plakat llafazane të lagjes, nuk janë më aty tek sufat ulur tek portat e lyera me gelqere. Dicka ka mbetur nga e shkuara. Gratë por edhe burrat tashmë të thinjur e të kaluar në moshë, kujdesen ende për luleboret dhe të mbjellat e stinës në pak hapësirat e tyre që kanë para shtëpisë.
Ndërsa disa prej banesave në krah të rrugicës tashmë janë kyçur dhe në to ka pllakosur heshtja. Të vetmit vizitorë janë kureshtarët, të cilët tërhiqen nga arkitektura dhe mënyra e ndërtimit me gurë dhe dru, të banesave tre dhe katër katëshe. Të njëjtin fat ka pësuar edhe ish-furra, në të cilën kanë mbetur vetëm muret, pasi shumë vite më parë ajo u përfshi nga flakët.
Të njëjtin fat pësoi edhe shtëpia e Kadaresë, por ajo ka nisur të rikonstruktohet e të kthehet nga pak në identitet. Sikur ta ndiqte një profeci e fëmijërisë së tij, shtëpia u përfshi nga flakët. Secili mburrej se shtëpia e tij do të lëshonte flakën më të madhe po të digjej. Unë u mburra po të digjen librat turqisht të Babazotit tim, të trashë sa një bakllava, rrëfen Kadare tek Kronikë në gur. Dhe vërtet flaka e djegies së shtëpisë së tij ishte më e madhja. Me të u shkrumbuan copëza historie, personazhe, kujtime, brenga e ëndrra nga fëmijaria e shkrimtarit. Ndërsa përballë gjendet shtëpia e gjuhëtarit të njohur Myzafer Xhaxhiu, porta prej druri e së cilës gjithnjë qëndron gjysmë e hapur.
Sokaku i të marrëve
Sokaku i të marrëve është njëra prej nyjeve lidhëse të dy lagjeve Palorto e Varosh. Ajo është një nga rrugicat më të frekunetuarat sot, jo vetëm prej qytetarëve, por edhe prej turistëve vendas e të huaj të cilët kanë si destinacion shtëpinë e shkrimtarit të njohur. Një rrugicë e ngushtë, që gjarpëron mes portave të shtëpive, vende- vende i shtrembër e ku amortizimi i kalldrëmit është i ndjeshëm, ka ruajtur identitetin e vet. Banesat e gurta rrethohen dhe ndahen nga njëra tjetra nga muret e lartë. Për ti bërë me rezistentë në pjesën e sipërme mjeshtrit kanë vendosur pllaka të mëdha guri(sufatë). Dikur sokaku nuk gjente qetësi, ndërsa sot vuan largimin e banorëve të saj, kryesisht të rinjve. Një pjesë janë larguar jashtë vendit të tjerë drejt kryeqytetit. Më besnikët janë të moshuarit, ata që edhe sot si dikur kujdesen për mirëmbajtjen e tij.

Edmond Coli, është rritur dhe ka vendosur që kur mos ta tradhëtojë qytetin e tij, por as edhe sokakun. Invalid ai, tregon se kujdeset cdo ditë për rrugicën, në të cilën nuk mund të ecin paralelisht më shumë se tri vet. Ï fiksuar pas rregullit dhe pastërtisë, Colit nuk i vjen turp të tregojë se me një fshesë në dorë, si një grua nikoqire, e pastron sokakun nga kreu e deri disa metra poshtë shtëpisë së tij. « Na vjen turp të kalojnë turistët dhe të shikojnë qoftë dhe një mbeturinë. Gjithçka duhet të llamburis. Nami i gjirokastritëve ka kaluar kufijtë pë pastërtinë » thotë Coli.
Edhe pse në sokak duken shpeshherë punonjësit e komunales që merren me pastrimin e saj, Coli thotë se, nuk gjejnë karrar( rehat) prej tyre dhe e ripastrojnë përsëri. Duke treguar edhe kufirin e zonës që i takon, Coli na shpjegon se, me pjesën tjetër deri në fund të sokakut merren fqinjët. Sikur mos të mjaftonte kjo, gjatë ditës ai e kontrollon të gjithë hapësirën se mos dikush hedh ndonjë mbeturinë. Ai është aty i gatshëm, për të ruajtur një traditë. Së bashku me gruan dhe dy vajzat e tij, ai jeton në shtëpinë ku më parë ka jetuar xhaxhai i Enverit, Hysen Hoxha. Ndërsa bisedojmë me të ai sjellë në mend vitin 1978, kohë kur ish-udhëqehësi vizitoi qytetin dhe banesën e tij. « Unë këtu eci me sy mbyllur » », kishte deklaruar atëherë, Hoxha.
Ky është Sokaku i të marrëve. Engjëll Fino telekronisti i asaj kohe tregon se rreth viteve 70, kur qyteti njohu një bum të ndërtimit të kalldrëmeve, pranë ish pallatit të pionerit ishte ngritur edhe rrethi i gurëgdhendesve të vegjël që drejtohej nga mjeshtri Simi Llukani. Gjithashtu në të gjitha shkollat 8- vjecare të qytetit u ngritën qendra ku mund te mësohej si gdhendej guri.
Fryt i tyre është edhe ndërtimi Sokakut I të Marreve. Askush nuk mban mend se kush e etiketoi me këtë emër. Për të egzistojnë disa verisone. Coli tregon se në të vërtetë në këtë rrugicë, nuk ka jetuar asnjë i marrë. Në fakt, shton ai, Sokaku më parë ka qënë i shtruar vetëm me gurë dhe jo kaq i sistemuar dhe duke qenë se ishte e tatëpjetë, kur njerëzit ecnin me nxitim, gurët lëviznin dhe rrokulliseshin, dhe dukej sikur në të ecnin të marrët.
Pastaj, për ca kohë mori emrin Rruga e pionierit, sepse u shtrua me kalldrëm nga kursi i gurgdhëndësve. Shumë gojdhëna të tjera qarkullojnë: Tregojnë që shumë kohë më parë, në krye të sokakut vinte një i marrë nga lagjia e sipërme e qytetit që bërtiste, hidhte gurë e tërhiqte pas vetes sende të vjetra. Një tjetër fletë për një nuse të bukur që me hiret e saj, cmendi gjithë burrat e rrugicës, e që më pas u zhduk pa lënë gjurmë. Pavarësisht se jo pak herë mori dhe emërtesa të ndryshe, ai gjithmonë identifikohet prej të gjithëve si « Sokaku i të marrëve ».
Sokaku, i njerzve të shquar
Sokaku është rruga më e njohur jo vetëm e qytetit të gurtë. Emërtesa nuk ka asnjë lidhje me familjet dhe emrat që kanë jetuar në të, pjesa më e madhe e të cilëve janë të njohur në mbarë vendin në fusha të tilla, si letërsi, arkitekturë, drejtësi, inxhinieri, arsim etj. Kjo rrugicë quhet vërtet sokaku i të marrëve, por në fakt ky është një sokak i mrekullueshëm, me njerëz të mirë dhe intelektualë. Duke nisur nga kreu i sokakut me mësuesen Fazilet Kokona (drejtoreshë e shkollës Urani Rumbo) dhe motra e saj. Në krahun tjetër ishte Nezaqet Skënduli, dhe ajo arsimtare, pastaj vijnë brezi i Kokonajve, Basri Kokona dhe babai i tij, edhe ata intelektualë.
Duke ecur më poshtë në krahun tjetër janë Zekajt, edhe kjo një familje nga ku kanë dalë njerëz të shkolluar e të shquar, profesorë e gjyqtarë, me taban kombëtar. Pastaj më poshtë në krahun tjetër është familja e Halil Çalit, pastaj vjen familja e Agron dhe Proletar Doracit, inxhinierë e arkitetktë të njohur që kanë dhënë kontributin e tyre në ndërtimin dhe rikonstruksionin e mjaft banesave karakteristike.
Me tej, gjendet familja e Çipatëve, ku njëri prej tyre ka qenë jurist dhe njëkohësisht drejtor i shkollës së parë Liria; ndërsa Haxhi Çipi nëndrejtor i bankës. Pak më poshtë ndodhet familja Anastasi, që nxorri poetin e famshëm Demokrat Anastasi. Duke zbritur më poshtë janë të vendosur familjet e Torajt, Ismail Kadares, shtëpia e gjuhëtarit të njohur Muzafer Xhaxhiut, shtëpia e Kako Pinos, etj. « Nuk besoj se ka në Shqipëri një rrugicë të tillë, në një gjatësi prej 100 metrash të ketë nxjerre njerëz kaq me peshë e kaq të shquar », të thotë të tjerë banorë të cilët i ndesh teksa i pyet për familjet që jetojnë në të.
Investimet
Megjithë përpjekjet dhe kujdesin e banorëve sokaku ka nevojën e ndërhyrjes. Drejtori i monumenteve Spartak Drasa, thotë se, investimet janë duke kryer në shtëpinë e shkrimatrit Ismail Kadare për vetë rëndësinë që ajo paraqitet. Në fazën e dytë, në këtë banesë po kryhet një investim i cili kap vlerën e 80 mijë dollarëve, ndërsa shton se për sokakun nuk është parashikuar asnjë rikosntruksion pasi ajo ende paraqitet në gjendje të mirë.
Numri i vizitorëve të cilët e përdorin këtë pjesë të rrugës e që kanë si destinacion banesën e Kadares, është shtuar sidomos pas vitit 2005, kohë kur qyteti kaloi nën mbrojtjen e UNESKO-s.