E enjte, 24.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Këtej nga anët tona, veshja e shpenguar e vajzave adoleshente mund të përbëjë një problem më të madh se sa gjetkë. Pse? Shumë e thjeshtë. Meshkujt shqiptarë nuk janë mësuar të bashkëjetojnë me këtë over-sexualisation.
Vajzat “e zhveshura” tė shkollave tė mesme





Mustafa Nano

Në gazetën The Observer të dy ditëve më parë u publikua një shkrim i cili merrej me minifundet në shkolla, që po bëhen gjithnjë e më “mini”. Ka nisur një debat lidhur me këtë fakt në Britani. A duhet që vajzat të vishen me minifunde në shkollë? A nuk është ca si shumë turbulluese një veshje e tillë? A nuk do ishte më e udhës që të visheshin me pantallona, apo me funde të gjatë? Ja, këto janë disa nga pyetjet që kanë lindur në atdheun e Mary Quant’it.

Personalisht, kur i shoh rrugëve, minifundet më pëlqejnë. Më duken si të designuara nga një dorë divine. Zbulojnë çfarë është e pakuptimtë ta fshehin dhe fshehin çfarë është e pakuptimtë ta zbulojnë. E di, pamja mund të rezultojë trallisëse për ata që u grahin makinave e mjeteve të tjera motorike (edhe për këmbësorët, në fakt), por në fund të fundit, jashtë ka rreziqe të tjera më të mëdha sesa shastisja prej një minifundi. Do bëjmë si do bëjmë me këtë rrezik, ngaqë në rrethana të tilla “qari e mbulon qederin”. Por edhe sikur të mos ishte kështu, nuk është se kemi në dorë për të bërë ndonjë ndërhyrje. Është punë e vajzave dhe grave se si vishen; më saktë, është punë individuale e çdo gruaje dhe e çdo vajze. Jashtë punës e shkollës, ashtu si dhe burrat e djemtë, ato janë të lira të bëjnë një zgjedhje midis udhëzimeve (ndoshta urdhrave) të vanitetit të tyre më të skajshëm dhe urdhrave (ndoshta udhëzimeve) të moralit publik e social.

Po në punë e në shkollë? Një pjesë e mirë e dikastereve i detyrojnë burrat të vishen me kostum e kravatë, ndërsa gratë të vishen në mënyrë serioze (nuk përcaktohet mirë se ç’do të thotë “serioze”, por me sa duket nuk ka nevojë që të përcaktohet, ngaqë të gjitha gratë e dinë). Bëjnë mirë? Sipas meje, po. Përputhet me deontologjinë e profesionit me emrin “public servile”. Kultura e shërbimit nuk shkon shumë me non-chalance’ën. Burokratët vanitozë, d.m.th., të veshur në mënyrë të shkujdesur, nuk të frymëzojnë besim.

Përfytyroni një gjyqtar apo gjyqtare, një mësues apo mësuese, një nëpunës të postës, një zyrtare të pushtetit lokal, etj, etj, të veshur si t’u vijë përmbarë! Do t’u zinit besë zotësive e kompetencës së tyre në rrethanat kur do të kishit nevojë për ta? Nuk besoj.

Këtejpari ka edhe ndërmarrje e kompani private që kanë bërë të detyrueshëm një kod të përcaktuar veshjeje. Sa herë më është dashur të shkoj nga redaksitë e administratat e Gazetës Shekulli, apo të televizionit Top Channel, e kam ditur se kanë një rregull që nuk të lejon të hysh e të dalësh me pantallona të shkurtra. Me sa më kujtohet, ata të Gazetës Shekulli kanë pasur (nuk di ç’bëhet këto kohët e fundit) një kod të detyrueshëm veshjeje edhe për vajzat, i cili ndalonte zbulimin e tepruar të tyre. Bëjnë mirë? Nuk jam fare dakord me atë që ndodh në këto dy raste konkrete, por nuk jam shumë i sigurt për çdo rast. Kompanitë private që kryejnë shërbime, e që janë në kontakt të vazhdueshëm me klientë e konsumatorë, nuk bëjnë keq të përcaktojnë një veshje të detyrueshme; por jo domosdoshmërisht “serioze e namusqare”. Ndërsa kompani e aktivitete të tjera nuk është fare e thënë të standardizojnë veshjen e punonjësve të tyre.

Në fund të fundit, varet nga lloji i shërbimit që kryejnë. Ndonjëherë varet nga optika individuale e gjithsecilit, gjë që e bën çdo zgjedhje të diskutueshme. Mund të ketë plot njerëz që janë të idesë se një shitëse e re, e bukur, dhe e zbuluar nga të gjitha anët, së pari shkon me natyrën e shërbimit që ajo kryen, dhe së dyti ndjell klientët. Mbi bazën e kësaj logjike, shitëset e reja të dyqaneve në rrugën e Durrësit, të Kavajës, Myslim Shyri apo gjetkë, janë këshilluar, me sa duket, të vishen “të zhveshura”. E lashë të nënkuptohet pak më sipër se personalisht qetësohem e paqtohem përballë një trupi të zbuluar femre, por shitëse të tilla më duken si prostituta. Të kuptohemi, ngaqë janë shitëse, e ngaqë më duket se me këmbët e zbuluara kërkojnë të më marrin mendjen e të më shtinë në kokë idenë e blerjes së një malli të gabuar. Ah, po të ishin kliente, s’do kish asgjë të keqe; përkundrazi.
Po në shkolla? Në këtë pikë ndryshon puna. Pesëdhjetë vite më parë (1960), kur Mary Quant shpiku minifundin dhe “e përhapi” nëpër shkolla, flitej (dhe zhvilloheshin beteja) mbi nevojën e çlirimit kulturor të femrës. Ka rrjedhur kohë qysh nga ai moment dhe askush nuk ka guxuar t’i kundërvihet seriozisht minifundit nëpër shkolla, me frikën se do të paditej si prapanik, konservator apo reaksionar.

Por tani, pikërisht në Britaninë e Madhe, ka filluar “beteja” kundër minifundit në shkolla. Të para ishin shkollat St Aidan’s dhe St Alban’s. Çfarë ka ndodhur? Stafi pedagogjik i këtyre shkollave, të cilat po ndiqen nga të tjera, ka përpiluar një letër, dhe ua ka dërguar prindërve të nxënësve. Me anë të kësaj letre i bëjnë me dije se vajzat e tyre nuk do të lejohen më në shkollë të veshura me minifund; duhet të vishen me pantallona. Shkaku? Fundet e ngushtë e të shkurtër janë bërë një problem i madh që po largon vëmendjen nga procesi mësimor dhe edukativ. Teksti i letrës ishte i drejtpërdrejtë: “Fundi i vajzës suaj është aq i shkurtër, sa ajo gjithë kohën nuk bën gjë tjetër, veçse tërheq poshtë fundin e fundit. Ky gjest e shpërqendron krejt”.

Shumë mësues britanikë mendojnë se fundet e shkurtra kallin mendime jo fort të përshtatshme në kokën e djemve. Një mësues flet për gazetën Observer, dhe e çon këtë problem edhe tek kategoria e vet: "Minifundet nuk janë një gjë e re, por puna po bëhet keq e më keq dhe fundet po bëhen aq të shkurtër, sa mësuesit meshkuj nuk po e fshehin bezdinë teksa janë të shtrënguar të shohin të linjtat e vajzave në korridore, e sidomos nëpër shkallë”.

Afërmendsh, sa më sipër është dhe një çështje shqiptare. Madje, kam frikë se është më shumë një çështje shqiptare; këtej nga anët tona veshja e shpenguar e vajzave adoleshente mund të përbëjë një problem më të madh se sa gjetkë. Pse? Shumë e thjeshtë. Meshkujt shqiptarë, në rastin konkret gjimnazistët dhe mësuesit e shkollave të mesme, nuk janë mësuar të bashkëjetojnë me këtë over-sexualisation. Nuk është thjesht se vajzat e zbuluara ca si tepër mund të kallin mendime “jo dhe aq pedagogjike e akademike” në kokën e djemve e të mësuesve. Këtejpari, për shkak të kulturës, të traditës, të prapambetjes, të skrupujve të munguar socialë, për shkaqe të tjera (n’daçi dhe klimaterike), apo për shkak të faktit që janë mësuar t’i qërojnë hesapet në mënyrën e tyre me inhibicionet e tyre seksuale, meshkujt janë më pak të prirur, më pak të gatshëm e më pak të përgatitur t’u bëjnë ballë pulsioneve të mishit të tyre të provokuar në “ditën me diell”. Një mësues britanik mund të qortohet nga ca e ca, ndërsa e shohin duke u bërë vajzave leksione anti-përdhunim; mund të qortohet me idenë, se “Miniskirts don’t cause rape, rapists do” (Janë përdhunuesit ata që përdhunojnë, e jo minifundet). Por këtu nuk duhet qortuar një mësues i tillë; përkundrazi, duhet lëvduar, e duhet marrë si model, pasi përdhunimi është një dukuri më e kollajtë e më e shpeshtë.

Dhe për ta mbyllur, po kthehem në krye të shkrimit. Dhe po përsëris: një trup (pothuaj) i zbuluar femre është bukuria vetë; edhe pafajësia vetë, n’daçi. Por në anën tjetër, si zor të gjenden në këtë botë gjëra më shpërqendruese e më shastisëse se sa hiret e një femre të re. Hiret e një femre nuk të lejojnë të fokusohesh. Mirëpo, nëpër shkolla nuk mund të bëhet asgjë pa fokusim. Prandaj, nuk do ishte keq që ta hapnim një debat si ky që është hapur në Britaninë e Madhe. Zgjidhjen kemi për ta gjetur më shpejt se sa ata.

Publikuar: 24.09.2010 | 18:59
Lexuar: 820 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime