Financial Times është përpjekur të llogarisë këtë element të rëndësishëm në jetën e njeriut. Në krye të klasifikimit qëndron shëndeti dhe vlen sa një milionë e gjysmë euro.
Lumturia e vërtetë është të qenit në paqe me vetveten dhe për të arritur këtë gjë, nuk është e thënë të dalësh jashtë natyrës tënde, thotë një studiues. Dëshironi të jeni të lumtur për një periudhë të shkurtër kohe? Hakmerruni. Doni të jeni të lumtur përgjithmonë? Falni, ky është mendimi i Jean-Baptiste Henri Lacordaire. Sekreti për të mos qenë i trishtuar është që të kemi kohë të pyesim vazhdimisht veten nëse jemi ose jo të lumtur, ka thënë George Bernard Shaw.
Nga lindja e njeriut e deri më sot, shumë mendimtarë, filozofë, regjisorë, teologë, shkrimtarë e kanë vrarë mendjen për ta arritur lumturinë, për ta kuptuar, për ta riprodhuar dhe për ta përmbledhur në një koncept të vetëm. Morali, duke parë numrin e madh të aforizmave dhe citimeve, është që lumturia është subjektive, e papërcaktueshme nga fjalët. Megjithatë mund të zbutet me numrat.
Në bazë të studimit të Financial Times, gazeta më e madhe financiare në Europë, është tentuar të kryhet një studim tjetër më i thjeshtë: të përcaktohet, në të holla, vlera e ngjarjeve që ndodhin në jetën e secilit prej nesh. Ngjarje të gëzuara si për shembull një martesë e lumtur dhe ngjarje të hidhura, të tipit ndarje, ose divorc. Gazeta konfirmon se miqësia vlen ekzaktësisht 274,500 euro. Është pasuria më e madhe pas shëndetit.
Kushtet e mira fizike dhe mendore vlejnë 1 milionë e 551 mijë euro. Ky është përfundim i studimit të kryer nga Financial Times, gazeta e cila është mësuar të masë gjithçka me numra. Drejtuesit e kësaj gazete kanë menduar për një llogaritje të kostos së lumturisë, sepse në kohë krize, është gjithnjë e më aktuale health-economics (studimet e ekonomisë që lidhin shëndetin me të hollat për ta mbajtur). Rezultatet e studimit janë shumë të qarta. Një nga koordinatorët e studimit ka qenë Nick Powdthavee, ekonomist dhe studiues i lumturisë në Universitetin e Nju Jorkut, po ashtu edhe një guru në Angli.
Profesori ka drejtuar një grup psikologësh, të cilët kanë llogaritur ndikimin emocional të situatave të veçanta që ndodhin gjatë jetës, peshën e tyre dhe vazhdimësinë e emocioneve të secilit. Lumturia është një e mirë e vlerësuar në para, ndërsa mendja dhe truri, trupi dhe mendja, janë një. Një dhimbjeje psikike i korrespondon një fizike. Sot është bërë diçka e nevojshme të përcaktosh dëmin biologjik, thotë një neurolog.
Pavarësisht shifrave të nxjerra nga studimi anglez, të cilat janë tepër të rëndësishme për të ditur se çfarë vlen me të vërtetë në jetë, për shembull këtu përfshihet pensioni në pleqëri, janë të nevojshme edhe analizat e kryera nga studiuesit se përse paratë nuk na bëjnë të lumtur. Studiuesit theksojnë se me para mund të blihet gjithçka, por sërish nuk e bëjnë lumturinë. Është e vërtetë që paratë bëjnë të lumtur ata që nuk kanë asgjë pas shpirtit.
Personat që kanë arritur një status dhe i plotësojnë vetes nevojat kryesore, nuk marrin më asnjë kënaqësi nga një portofol i mbushur plot me para. Për ta trishtimi sa vjen e rritet: bindja se mund të plotësojnë çdo dëshirë të tyren, nuk aktivizon më ato qarqe cerebrale që stimulojnë qarkullimin e endrofinës, opiate natyrore të prodhuara nga truri, që kanë aftësi të dhurojnë eufori dhe një grimcë lumturie, shton neurologu.
Shumë të rëndësishëm janë edhe miqtë, lidhjet e mira sociale që vlejnë më shumë se sa një martesë e lumtur: 274 mijë euro kundrejt 239 mijë eurove: E ritheksoj, miqtë janë një e mirë e pazëvendësueshme, na plotësojnë. Pjesa më e madhe e pacientëve e lidh fjalën besnikëri me miqësinë, pra më shumë se me dashurinë, thotë një psikiatre. Ajo që i bën njerëzit jo. të lumtur, por të ndihen mirë dhe të qetë është logjika e jo shumë telasheve: Gjëja që na bën të ndihemi të vetmuar dhe të pafat, sidomos përballë një ngjarjeje të vështirë, është humbja e punës, vazhdon më tej psikiatria. Sipas ekspertëve, përfundimisht ligji që rregullon lumturinë tonë është raporti ekzistues mes jetës reale, pra asaj që bëjmë dhe jetës ideale, që dëshirojmë. Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të imagjinojnë, por me këmbët e mbështetura mirë në tokë.