Ish-sekretari britanik i energjetikës, Ed Miliban, është zgjedhur të shtunën shefi i ri i Partisë Laburiste, duke e mposhtur në garën për këtë post vëllanë e tij, David Miliband, ish-ministër të Punëve të Jashtme, u bë e ditur në një konferencë speciale të mbajtur në Manchester.
Pas katër raundeve të votimit, Milibandi më i ri (40) fitoi me 50.65 për qind të votave, karshi Davidit më të vjetër, i cili mblodhi 49.35 për qind të votave. David konsiderohej si favorit për ta fituar kryesimin e partisë deri në orët e fundit të përmbylljes së garës.
Edhe tre kandidatë të tjerë kishin garuar po ashtu për të zëvendësuar në këtë detyrë ish-kryeministrin, Gordon Brown, i cili dha dorëheqje nga drejtimi i partisë në muajin maj, pasi laburistët dolën të dytët në zgjedhjet kombëtare dhe u largua nga zyra pas 13 vjetësh të kryesimit në Britaninë e Madhe. Asnjëri prej tyre megjithatë nuk arriti të mbledhë më shumë se 50 për qind të votave të domosdoshme për kryesim.
Me të dhënë deklaratën e tij për pranimin e postit, Ed lavdëroi vëllanë e tij dhe i tha se i kishte dhënë partisë mësime shumë të vlefshme. David, të dua aq shumë, tha ai para delegatëve. Ndërsa më tiu drejtuar shtetit, Miliband tha: E di se e kemi humbur pushtetin, e di se duhet të ndryshojmë. Sot, një gjeneratë e re e laburistëve është lindur.