Vendimin e ministrit të Arsimit Pero Stojanovski për vendosjen e ndërrimeve në baza etnike në shkollën e mesme "Niko Nestor" në Strugë, e kanë mbështetur vet nxënësit maqedonas të udhëhequr nga disa organizata joqeveritare të Strugës.
Sipas tyre, ndërrimet në baza etnike janë mënyra më e mirë për një zgjidhje të përkohshme të problemeve.
"Ne jemi për bashkëjetesë, besojmë dhe punojmë për të njëjtën. Dëshirojmë dhe kërkojmë që të arrijmë te zgjidhje e problemeve në mënyrë racionale dhe civilizuese pa përdorur dhunë dhe arrogancë. E përkrahim vendimin për vendosje të ndërrimeve etnike ndërsa përmes projekteve të ndryshme do të mundohemi ndërtojmë synimet tona afatgjate", theksoi Bisera Mojsovska, nxënëse e sh.m. "Niko Nestor" Strugë.
Shkaqet për ngjarjet e fundit në shkollën e mesme në Strugë nxënësit i adresojnë te profesorët dhe prindërit e nxënësve shqiptarë.
"Shkaqet mund të kërkohen... ndoshta ekziston padurueshmëri etnike, por nga ana tjetër ato rrahje janë të iniciuar, të nxitur nga ana e profesorëve, veçanërisht shqiptarë dhe prindërve të tyre, me qëllimin të cilin nuk dua ta cek, dihet se cili është qëllimi i gjithë atyre punëve", tha Nikolla Domazetovski, nxënës i sh.m "Niko Nestor" Strugë.
Vendimi për ndërrimet etnike në "Niko Nestor" të Strugës pasuan pas incidenteve të shumta në këtë shkollë mes nxënësve shqiptarë dhe maqedonas. Lidhur me këtë, profesorë universitar një ditë më parë nëpërmjet Alsatit apeluan se ndarja sipas etnisë është e rrezikshme për ndërtimin e një shoqërie multietnike, dhe po të mos parandalohet, pasojat do t'i ndjejnë të gjithë në Maqedoni.Alsat-m