Legjenda e futbollit botëror Diego Armando Maradona dëshiron të kthehet në postin e trajnerit të Përfaqësueses së Argjentinës.
Maradona për t'u kthyer në punë është i gatshëm të largojë ndihmësit e tij shumë të kritikuar. Maradona në një intervistë për "Fox Sports" ka shprehur dëshirën e tij që të kthehet në krye të Argjentinës.
Ikona argjentinase u shkarkua nga detyra e trajnerit pas përfundimit të Botërorit 2010 të futbollit.
Argjentina u eliminua në çerekfinale të Botërorit nga Gjermania me rezultatin 4:0. Federata e Futbollit e Argjentinës kishte dashur të mbante në krye Maradonën, por me kusht që të largoheshin ndihmësit e tij. Maradona refuzoi këtë kushtëzim dhe kontrata nuk iu vazhdua.
"Unë do të jepja jetën për t'u kthyer në detyrën e trajnerit të Argjentinës. Jam duke vdekur nga dëshira për të qenë me skuadrën. Jam i etur për hakmarrje", ka thënë Maradona.
Aktualisht detyrën e trajnerit të Argjentinës është duke e kryer Sergio Batista. Batista është trajner i përkohshëm, pasi trajneri i ri i "gauçosëve" pritet të emërohet në muajt e ardhshëm.
Lutjet e Maradonës do të kryejnë shumë pak punë. Më herët presidenti i Federatës së Futbollit të Argjentinës, Julio Grondona, kishte thënë se vetëm në rast të ndonjë ndryshimi të madh nuk do t'ia jepte punën "e plotë" të përkohshmit Batista.
Argjentina me Batistan ka fituar dy ndeshjet miqësore, duke triumfuar ndaj Irlandës me rezultatin 1:0 dhe ndaj kampiones në fuqi të botës, Spanjës me rezultatin 4:1.
Maradona ka thënë se është tradhtuar nga presidenti i federatës, Grondona.
"Grondona tha se kemi pasur një botëror të mirë dhe se është e nevojshme të vazhdojmë bashkëpunimin deri në 'Copa America' të vitit 2011. Por nuk e mbajti fjalën", ka thënë Maradona.