Zot ruaje Presidentin! E ka shkelur Kushtetutën! Po ani çka? Ai e di se Duhet të ketë Shkelës dhe të Shkelur. Si do të ishte Vendi Ynë pa këtë të Vërtetë? Si do të ishte Bota pa të Keqen dhe të Mirën? Zot ruaje Presidentin! Zot, që nuk je askund, ruaje Presidentin! Vetëm Një e kemi. Vetëm Një!
Arben Idrizi
Zot ruaje Presidentin!
Është Një dhe i Vetëm. Është mbi të gjithë. Është Përfaqësuesi Yt mbi Tokë.
Zot ruaje Presidentin!
E ka shkelur Kushtetutën! Por se ka bërë këtë ngase nuk e dinte, e ka bërë këtë ngase e dinte. E çka di Presidenti është e Drejtë.
Zot ruaje Presidentin!
Është zgjedhur nga Vota e Lirë e qytetarëve. As Partia e Tij asnjë votë më shumë se sa që ka mundur nuk e ka vjedhur.
Zot ruaje Presidentin!
Vjen nga një Parti që Vendit i ka dhënë shumë Dhimbje e Mashtrime; një Parti që ka Potencial e Vullnet të vazhdojë tutje në të njëjtën mënyrë!
Zot ruaje Presidentin!
Ne, institucionet dhe qytetarët, ia kishim vënë përfundi Prapanicës një Kushtetutë që mund ta interpretonte si të donte, e tash që duam tia ndalojmë këtë, as Mendja as Shpata nuk e dinë çka do të ndodhë me Të.
Zot ruaje Presidentin!
Mos e lër të japë dorëheqje! Mos e lër ta pranojë fajin! Mos e bëjë ta ulë kokën e të jetë i poshtëruar para atyre të cilëve ua ka ulur kokën dhe i ka poshtëruar!
Zot ruaje Presidentin!
Çfarë do të bëjmë ne pa Kar-izmin e tij Anti-Kushtetues?
Zot ruaje Presidentin!
Tash i ka zgjedhjet në Parti e mund ta lënë edhe pa Postin që e kishte Ngrirë.
Zot ruaje Presidentin!
Mos e tundo ta përdorë Zotësinë e Tij prej Meduze të na Ngrijë të gjithë neve.
Zot ruaje Presidentin!
Të gjithë Miqtë e Tij të Rremë partiakë do ta sfidojnë dhe do ta përdorin kundër Tij këtë akuzë që i ka rënë mbi kokë pa të keqen e Tij.
Zot ruaje Presidentin!
Të gjithë tash janë bërë kundër Tij.
Zot ruaje Presidentin!
Edhe Partia Tjetër në Koalicion, Armike e përbetuar e Tij, mund tia kthejë shpinën.
Tash që Gjykata Kushtetuese më në fund e nxori Mutin në shesh, askush sdëshiron ti marrë erë më.
Zot ruaje Presidentin!
Ai vetëm sa e kishte vazhduar një Traditë fisnore primitive në një Botë Demokratike.
Zot ruaje Presidentin!
Çka do të ndodhë me bizneset e tij familjare nëse se ka më ndikimin që kishte?
Çka do të ndodhë me Autoritetin e tij prej Juristi e Profesori Universitar?
Zot ruaje Presidentin!
Presidentin e Drejtë nga Qytetarët e Padrejtë.
Zot ruaje Presidentin!
Nga Opozita që prej kohësh kërkonte Zgjedhje.
Sa mizor duhet të jesh që tia mohosh dikujt Lakminë për Pushtet vetëm e vetëm për ta marrë vetë atë Pushtet?
Zot ruaje Presidentin!
Denigrimi i tij Politik është Denigrim edhe i Partisë së Tij; Denigrimi Politik i Partisë së Tij është Denigrim edhe i Vendit.
Zot ruaje Presidentin!
Presidentin KushtetutShkelës!
Zot ruaje Presidentin!
Vetë Partia e kishte Tunduar dhe Përkrahur ta shkelte Kushtetutën.
Vetë Zgjedhësit e Tij.
Zot ruaje Presidentin!
Ai me Partinë e Tij dhe Partinë Tjetër e kanë Çliruar Vendin dhe e kanë Shpallur Pavarësinë.
Zot ruaje Presidentin!
Ka shumë merita në krijimin e një Shteti ku lulëzojnë Parimet e shëndosha humane të Korrupsionit, Vjedhjes dhe Mashtrimit.
Zot ruaje Presidentin!
Të paktën të mos ketë njolla biografike në Librin e Historisë.
Zot ruaje Presidentin!
Nëse Ai shkarkohet, çka do të ndodhë me tërë ata ministra e politikanë që dyshohen për shkelje të ndryshme e për më tepër tashmë janë nën hetime e megjithatë ende sjanë shkarkuar, ende i mbajnë postet e tyre?
Zot ruaje Presidentin!
Nga Ndërgjegjja e Gjyqtarëve Kushtetues dhe nga Vendimet e tyre të ngutshme.
Zot ruaje Presidentin!
Nga pensioni 40 euro. Nga pleqëria e rëndë e qytetarëve të zakonshëm të Kosovës. Nga privimet ekzistenciale dhe diplomatike.
Zot ruaje Presidentin!
Kush si Ai qëndron mbi Ligjin? Kush si Ai përfiton nga shkelja e tij?
Zot ruaje Presidentin!
Mos e lër ta braktisë frymën jo demokratike për ti lënë vend frymës demokratike!
Zot ruaje Presidentin!
Ndihmoje të jetë nervoz, ndihmoje ta interpretojë situatën si tia dojë qejfi, ndihmoje të mos e njohë Autoritetin e Gjykatës Kushtetuese!
Zot ruaje Presidentin!
E ka shkelur Kushtetutën!
Po ani çka?
Ai e di se Duhet të ketë Shkelës dhe të Shkelur. Si do të ishte Vendi Ynë pa këtë të Vërtetë? Si do të ishte Bota pa të Keqen dhe të Mirën?
Zot ruaje Presidentin!
Zot, që nuk je askund, ruaje Presidentin!
Vetëm Një e kemi. Vetëm Një!