Me gjithë sulmet e shumta, madrilenët nuk arritën të shënonin gol kundër Levantes. Në përgjithësi futbollistët e Realit këtë edicion kanë shënuar vetëm gjashtë gola në pesë ndeshjet e para.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, pranon se është tepër i brengosur pasi skuadra e tij nuk po shënon gola të mjaftueshëm këtë edicion. Reali barazoi të shtunën mbrëma pa gola si mysafir i Levantes.
Me gjithë sulmet e shumta, madrilenët nuk arritën të shënonin gol kundër Levantes. Në përgjithësi futbollistët e Realit këtë edicion kanë shënuar vetëm gjashtë gola në pesë ndeshjet e para.
"Jam i brengosur që nuk shënuam gol duke e pasur parasysh se sa shumë sulmuam dhe sa shumë raste patëm. Nuk është normale të lëshosh aq shumë raste. Ne kemi krijuar raste kundër çdo skuadre me të cilën jemi përballur këtë edicion. Edhe kundër Levantes krijuam shumë, por nuk arritëm të shënojmë. Mosefikasiteti na ka humbur katër pikë, përfshirë këtu edhe ndeshjen me Mallorcan.
Edhe pse mbrojtja ka qenë solide, duke pranuar vetëm një gol në gjashtë ndeshje, në sulm na ka munguar efikasiteti", ka thënë Mourinho, shkroi gazeta spanjolle "AS".
Reali me barazimin e arritur ka humbur kreun e tabelës. Tash kryeson Valencia me 13 pikë të mbledhura nga pesë ndeshje. Mourinho e mori detyrën e trajnerit të Realit këtë verë.
"Mungesa e golave nuk është shkaku i kualitetit të mangët të futbollistëve. Ne e dimë se futbollistët gjatë stinorit shënojnë mjaft gola. Ne duam të shënojmë fitore çdoherë. Çdo pikë është një më shumë në konto, por në këtë rast nuk jemi të kënaqur me pikën e fituar", ka thënë Mourinho.
Në të vërtetë me ardhjen e Mourinhos në Real, ekspertët edhe llogarisnin që skuadra madrilene të ishte më e fortë në mbrojtje, por njëherësh më e dobët në sulm.