Thelbi i saj, sipas specialistit të Inspektoratit Kombëtar i Arsimit Parauniversitar (IKAP), Vladimir Pasku, lidhet me decentralizimin e vendimmarrjes në arsim përmes rritjes së përfshirjes së prindërve dhe komunitetit në veprimtarinë e shkollave.
Erla Gjikolli
- Menaxhimi në bazë shkolle, një strategji që zbatohet në arsimin parauniversitar në vende të ndryshme, po shihet nga specialistët e arsimit si një model që përfshin edhe sistemit tone arsimor.
Thelbi i saj, sipas specialistit të Inspektoratit Kombëtar i Arsimit Parauniversitar (IKAP), Vladimir Pasku, lidhet me decentralizimin e vendimmarrjes në arsim përmes rritjes së përfshirjes së prindërve dhe komunitetit në veprimtarinë e shkollave.
Frytet e kësaj strategjie shihen në shumicën e atyre vendeve me rezultate të mira të nxënësve në testimet ndërkombëtare, autoritetet lokale dhe shkollat e të cilëve kanë marrë autonomi substanciale për vendimmarrje në përmbajtjen e kurrikulës, alokimin dhe menaxhimin e burimeve njerëzore, materiale e financiare dhe në fuqizimin e motivimit profesional të drejtorëve dhe mësuesve të shkollave.
"E shndërruar në një lëvizje me përmasa globale, ka përfshirë edhe zhvillimet e arsimit shqiptar", tha Pasku, duke shpjeguar se menaxhimi në bazë shkolle, nënkupton decentralizim të autoritetit nga qeveria qendrore, tek niveli i shkollës dhe konceptualisht, mund të shihet si ndryshim formal i strukturave qeverisëse, që identifikon shkollat individuale si njësitë primare të përmirësimit.
Në këtë mënyrë, sipas paskut, realizohet një rishpërndarje e autoritetit vendimmarrës, nga që ky autoritet konsiderohet si instrumenti i parë, përmes të cilit mund të stimulohet dhe mbështetet përmirësimi arsimor.
Në këtë proces decentralizues, përgjegjësia dhe autoriteti vendimmarrës mbi veprimet e shkollës transferohen tek drejtorët, mësuesit e prindërit, disa here, tek nxënësit dhe anëtarët e komunitetit shkollor. Pasku shton se "këta aktorë të nivelit shkollor duhet të konfirmohen dhe operojnë brenda politikave të përcaktuara nga qeveria qendrore".
Arsimi i mirë, thekson ai, nuk ka të bëjë vetëm me inputet fizike, si klasat, mësuesit dhe tekstet mësimore, por edhe me stimujt që çojnë tek një mësimdhënie sa më e mirë.
Por, nisur nga nevojat e jashtëzakonshme për kapacitete menaxheriale, teknike dhe financiare të shtetit, si shërbim, arsimi është mjaft kompleks për të qenë efektiv nëse mbetet i organizuar në mënyrë qendrore. Ndërsa vendimmarrja lokale dhe decentralizimi fiskal mund të kenë efekte pozitive në rezultatet e shkollës, testimet, provimet e lirimit dhe maturës, duke i bërë shkollat të përgjegjshme për rezultatet që prodhojnë.
Kjo ide, sipas Paskut, mbështetet në paradigmën se "cilësi e mirë dhe shërbim i duhur mund të sigurohet nëse ofruesit janë përgjegjës para klientëve të tyre." Roli i pushtetit qendror në arsim është i padiskutueshëm dhe përcaktimi i saktë i këtij roli afekton mënyrën e konceptimit dhe të zbatimit të veprimtarive të kësaj lëvizje, theksoi Pasku.
-Niveli i autonomisë shkollore në arsimin shqiptar
"Pa dyshim, duket se është herët të flasim për autonomi të forte dhe shumë të fortë të shkollës shqiptare", shpjegon Pasku, duke shtuar se "disa zhvillime që janë duke ndodhur, krijojnë kushtet për të diskutuar për nivelin e kësaj autonomie".
Ai vlerëson faktin që disa kompetenca i kanë kaluar autoriteteve arsimore locale dhe pushtetit vendor. Mirëmbajtja e shkollave, administrimi i konvikteve janë elemente të fortë decentralizues. "Nëse zbresim në nivelin e shkollës, nuk mund të thuhet se shkollat nuk kanë autonomi dhe mund të pranojmë se ato kanë një autonomi të kufizuar, që tenton të jetë e moderuar", argumenton Pasku.
Sipas tij, mësuesi ka fituar të drejtën që të vendosë t'a zhvillojë një kapitull ose linjë lëndore në një lëndë deri në 10% më shumë, ose deri në 10% më pak orë mësimore, kundrejt numrit të orëve të parashikuara në programin përkatës lëndor.
Ndërkaq, pjesën e quajtur "orë të lira", që zë 10% -15% të orëve totale, mësuesi mund ta përdorë për përforcimin e lëndëve të planit mësimor, provimet e lirimit, Maturës Shtetërore, projekte kurrikulare, module mësimore, lëndë me zgjedhje, veprimtari të ndryshme shkollore dhe vlerësime në nivel shkolle të arritjeve të nxënësve.
Shumë shpejt, shkollat e mesme fituan kompetencën që të ofrojnë lëndë me zgjedhje për nxënësit e tyre si dhe të bëjnë ekuivalentimin e nxënësve që kalojnë nga një kategori shkolle, në tjetrën. Nga ana tjetër, Alterteksti, ende larg një akti që garanton autonomi shkollore në zgjedhjen e kurrikulës, u ka dhënë shkollave kompetencën për të zgjedhur tekstet mësimore në mozaikun që ofron Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Po kështu, shkolla ka fituar kompetencën për grumbullimin, ruajtjen dhe përdorimin e të ardhurave nga dhurimet nga prindërit e nxënësve të shkollave të arsimit parauniversitar, që menaxhohet dhe monitorohet nga bordi i shkollës.
Qeveria e nxënësve, këshilli i prindërve, këshilli i disiplinës janë aktorë të nivelit institucional, që shtrojnë shinat e një autonomie të pritshme më të lartë shkollore.
Sipas Paskut, "nëse nuk mund të përcaktojmë shkallën e autonomisë së shkollës shqiptare në kontekstin e mësipërm, mund të deklarojmë me bindje se në jetën e saj ka shumë elemente që të ofrojnë shijen e autonomisë disi të forte".